në shqipëri do të kisha vdekur me kohë
s’do të më dilte as për te blerë një gazetë letrare
si exlibris
atje çmimet rriten
atje vuan për t’u ngrohur në dimër
askush nuk mendon për ty
dhe kur vdes
kujtojnë se je midis të gjallëve
të gjithë kanë vdekur një herë
në 97-tën
pastaj nga koronavirusi
pastaj nga kotësia
vdekja është bërë pjesë e jetës
dhe i vdekur vdes atje
prej këtij paradoksi
mua këtu më shtrëngon malli
që s’më le të vdes
në shqipëri do të kisha vdekur me kohë
sepse nuk isha me asnjë parti
që të më kujtonin
do të më mjaftonte vetëm emri i lokalit ku pija kafe
dhe dera pa numër e pensionit
dhe ato rrugët e rinisë që s’janë më
dhe ajo shtëpia në periferi
me dy ballkone të mëdhenj plot me vazo me lule
që ajo i ujiste në mëngjes
dhe dilte në mbrëmje
me mjekrën të mbështetur midis dy pëllëmbëve
dhe më thërriste prej andej
ik, kaçurrels, s’martohem unë me një tuhaf poet!
s’janë më, s’janë më
kanë ikur njerëzit, ashtu nxitimthi sikur të shpallej lufta botërore
dhe unë ika nga sytë këmbët!
tani rri dhe mendohem!
andej po më vdesin shokët
këtu rrohet!
atje s’ka malle kaq të fortë
që t’i djegë dhe t’i kalisë si hekurin
ata rrinë në një vend, nuk hedhin një hap jashtë
të shohin ç’bëhet!
ejani, miq, provojeni dhe ju çdo të thotë mall
të kaliteni si hekuri!
po ata janë të dobët
si argjila
të butë
të shkrifët
gati për t’u shtrirë në sharrë a në shish tufinë
mallin s’e durojnë
ne këtej e fshehim
kur shkojmë atje jemi të shuar
jashtë te veshur e të mbathur si xhentëllmenë
brenda hiri gri
na ka mbuluar
po mbahemi
qeshim e qerasim
dhe s’duam të ngrihemi
prit, të tregoj dhe këtë… pse kaq shpejt të ikim?
duam të ndezim zjarrin e fikur.
ata rrojnë dhe të vdekur
ne kemi vdekur!
ObserverKult
Lexo edhe: