
Nga Nikollë Berishaj
Lufta ndërmjet të së mirës dhe të keqes është diku në thelb të asaj që quhet kushtimisht thelbi i artit në tërësi dhe i letërsisë në veçanti. Këtë luftë të pakurrkund fund ia vunë vetes si detyrë e obligim të gjithë idealistët e të gjitha kohëve. Dhe çuditërisht, me veprimtarinë e vet në shumicën e rasteve gjetën vetëm një satisfaksion personal, rrahje krahësh, por jo edhe zhvillim të shoqërisë në drejtimin që e propozonin ata, autorët e veprave artistike, që rehatinë e tyre shpirtërore ia kushtojnë misionit të vet.
Shoqëria njerëzore, në të gjitha fazat e ndryshimeve dhe të zhvillimit të saj eci përmbi tehun e mprehtë ndërmjet asaj që elita shpirtërore e quan si të mirë, si vazhdimësi e evolucionit të së mirës, përkundrejt elitës materiale të një shoqërie, që zhvillimin e sheh në “përparimin e shpejtë” material, duke shmangur gjërat që atë përparim e pengojnë, ngase ta pamundësojnë nuk kishin mundësi, askurrë.
Madje, gjatë gjithë historisë së zhvillimit shoqëror, artisti has në pengesa nga ata, të cilët i japin të drejtë vetes të përcaktojnë të mirën e të keqen, por pa analizuar saktësisht se ku do të çojnë akëcila lëvizje “moderne” shoqërore.
Edhe letërsia, si prodhuese e vazhdueshme e ideve të tilla, gjithnjë ishte në njëfarë konfrontimi me rrjedhën e “mendësisë moderne për kohën”, dhe sa më opozitare të ishte, disi aq më e suksesshme merrej, por njëkohësisht më e “kritikuar” nga etablishmenti shoqëror. Më e suksesshme për një grup modest të njerëzve që lexojnë, që mendojnë, por që shpesh janë në letargji të veprimit, zakonisht të bindur se nuk mund të ndryshojnë shumë nga realiteti.
Ekzistenca e shkrimtarëve të tillë, siç na paraqitet Mark Pashko Lucgjonaj, jo vetëm në romanin Livia, na fut në mendime të ndikuara nga leximi ynë i dikurshëm, që është ngulitur thellë në nënvetëdijen tonë, qoftë edhe si citati i njohur i Fishtës, “Se vjershtarët sa janë n’këtë jetë /Gjithmonë luftë kanë me kuletë” në Metamorfozën e tij, në të cilën Fishta në fund shpërthen se “Nuk jam më shqiptar”, e kjo na jep të mendojmë se elita intelektuale dhe ajo e vendimmarrjes shoqërore shpesh janë subjekte krejtësisht të kundërta me njëra tjetrin.
“Cogito ergo sum” (Mendoj, prandaj jam!) konstaton Rëne Dekarti. Por sikur këtij mendimi të njohur të Dekartit t’ia shtonim një fjalë të vetme, fjalën NJERI, atëherë ai do të mund të konceptohej më saktësisht: “Mendoj, prandaj jam NJERI”, ndërkaq e thënë vetëm kështu, njerëzit me të cilët “ballafaqohet” autori ynë, e të cilët vendosin edhe për jetën tonë, e shndërrojnë lehtësisht në: “mendoj, prandaj fitoj, prandaj jam i fuqishëm”.
Lufta e autorit të Livias është luftë për ruajtjen e themeleve të njerëzimit, luftë për ruajtjen e familjes në rrethana të globalizimit gjithëpërfshirës, që nuk lë asgjë dhe askënd pa përfshirë. Rreziku që i kanoset familjes në këtë konstelacion të fuqive që e drejtojnë realitetin tonë na futet tradhtisht dhe bëhet modus vivendi.
Realiteti i Lekë Bardhit- personazhit të romanit, sipas meje, gjen një ngjashmëri të madhe me botën e ëndrrave, në të cilën objektet e zakonshme, më të afërta të tija deformohen ose metamofrohen në mënyrë tejet të çuditshme, për të të pakuptueshme, të papritshme dhe të paartikulueshme. Ngjashmërinë e deformimit të jetës e gjejmë te një pikturë surrealiste të piktorit të madh Salvador Dali, “Orët që shkrihen”. Këto orë të Dalisë derdhen papritmas si një materie zhelatinoze që na ik nga duart dhe nuk mund ta materializojmë sërish si një gjë të qëndrueshme, të fortë, sado të provojmë.
“E kishte kuptuar Leka (profesori…) se shtigjet i ishin mbyllur, ngase kudo në pozita po vinin njerëz të cilët ishin pa shtyllë kurrizore, ishin delet e kopesë së lindjes, ishin pionierët e shkollave të shërbëtorëve të djallit!” …
“Gradat e vjetra osmane të bajraktarit, të beut, ato sllave të vojvodës ose perjanikut, oficerit, kapedanit, majorit të Italisë fashiste ose Gjermanisë naziste, mbaheshin me mburrje nga pasardhësit e atyre që ishin graduar”
Edhe jeta Lekës i rrëshqet nga duart, fillimisht me ndarjen nga bashkëshortja e tij, Livia, e më vonë edhe me raportin me të bijën – Arlinën. Të dyja bien pre e suksesit të shpejt të premtuar, me kusht që të pranojnë gjithçka që u ofrohet. Që të dyja u nënshtrohen kërkesave të imponuara, deri operacioneve plastike dhe botokseve, për hir të dukjes më atraktive të tyre si kusht i punësimit të ri. E këto të dyja nuk e shohim me syzet definuese të Lekës kultin e vetëm, që i mbetet këtij kombi për t’u mbajtur gjallë – institucionin e familjes.
Siç e kemi njoftuar edhe në romanet e tjera të të njëjtit autor, loja me kapitujt, që mundësisht “do të duheshin” të ishin të rrumbullakuar, edhe këtu është në funksion të ngarkesës dramatike të rrëfimit, në funksion të pritjes së përfundimit tij. Livia si personazh futet në roman me mesazhin e saj për divorcin, për t’iu rikthyer më vonë në mënyrë retrospektive që nga momenti i takimit të parë të tyre dhe më se një çerek shekulli të jetës së përbashkët. Kapërcimet prej skene në skenë – paraqiten si rrugëtim i një mendjeje të shqetësuar për bindjet e tij, dështimin e të cilave e sheh qartë në shoqërinë e tij, që betohej për tradicionalizëm.
Shkrirja e orëve që Dalia tenton t’i paraqesë në mënyrë surrealiste sikur plotësisht e përshkruajnë jetën Lekës. Gjatë vlerësimit të parimeve jetësore të Lekës, na paraqitet, çuditërisht edhe një ngjashmëri tjetër, ngjashmëria me format shkëmbore (statike) e të patjetërsueshme të së njëjtës pikturë. Orët që shkrihen si dylli në diellin e shkretëtirës, ofrojnë një përshkrim të mprehtë të rrjedhshmërisë së jetës së tij, ndërkaq format shkëmbore të pikturës paraqesin luftën e tij të pa kompromis në ruajtjen e asaj që (nuk?) mund të ruhet.
Ndonëse gjatë reflektimit tonë lidhur me ato orë, jemi të vetëdijshëm se për zbutjen, e më vonë fillimin e shkrirjes së këtyre orëve duhet të ketë ekzistuar një kusht i domosdoshëm, një temperaturë kritike, që ta mundësojë këtë. Në pasazhin e romanit mbi dëshirën e dikurshme të Lekës të takohet me Orakullin e madh dhe Dodonën, si dhe zbulimi se kishte mbetur vetëm, i braktisur prej të gjithëve, ai gjendet mbi varrin e nënës – orakullit të tij, e cila kishte dhënë shpirt vetëm tri javë pas martesës së tij, pikërisht atëherë, kur i kishin thënë se do ta dërgojnë në azilin e pleqve.
“Nënë. – iu drejtua. Kam tre fëmijë. Kam një jetë që po më zhgogëlohet si kokrrat e misrit. Kam një botë që po më shembet…”
Leka është kundërshtar i paepur i gllamurit që na shitet në të gjitha anët si gjëja e vetme e duhur për jetën e njeriut, kundërshtar i shitjes dhe stërshitjes së gjithsejtë, deri edhe të varrit pesëqind vjet të vjetër të paraardhësve, vetëm e vetëm për ta bërë vendin, vend pelegrinazhi të një grupi njerëzish, për botëkuptimin e tij, të papranueshën. Shkas i këtij pelegrinazhi bëhet “dëshmia” e një politikani vendor se aty ishin eshtrat e dy meshkujve të përqafuar njëri me tjetrin“. Ndërkaq, familja pronare e truallit dhe varrezës së lashtë stërgjyshore (që ka braktisur vendlindjen), e kishte dhënë atë truall (lexo varrin e të paerëve) në qira, për përfitime nga përqindja e vizitorëve. Në jetën e banorëve të Holtës gjithçka ishte në shitje…, gjithçka matej me profitin.
Lufta e tij me kundërshtarët e idealizimit të tradicionales së Holtës, një lokaliteti diku në periferi ku kryesisht zhvillohet ngjarja, shpesh duket si luftë donkishotiane me mullinjtë e erës. Për ta futur këtë koncept në roman, autori “thërret” personazhin e romanit AI, një kreaturë humanoide në figurën e të cilës shihen qartas pasojat e dhunshme të sjelljes njerëzore “Koka e madhe e rrumbullakët, pa flokë e pa hundë në mes, përveç dy syve që vetëm sy njeriu nuk ishin, e bënin akoma më të frikshëm...” AI ka si mision t’i paralajmërojë njerëzit për të keqen me të cilën do të takohen. Ai askund nuk gjen mirëkuptim (përpos te Leka), derisa edhe e vrasin, të bindur se një humanoid i tillë do të fëlliqte Holtën, sa me dukje, aq me fjalë. “Verba volant, scripta manent” (Fjalët i merr era, të shkruarat mbeten) thoshin latinët. Vetëm për Lekën fjalët e tij nuk i mori era. U nguliten në vetëdijen e Lekës, aq sa edhe e varrosi atë në varrezën e tij familjare.
“Këmbëngulja e kujtesës” e bën autorin t’i përmbahet pjesës së dytë të kësaj sentence – scripta manent, ndonëse në Holtën tonë bashkëkohore, për shumicën dërmuese do të ishte më e përshtatshme t’i përmbahej pjesës së parë të saj. E në atë shumicë zakonisht bëjnë pjesë ata të cilët janë të bindur se nuk kanë nevojë të lexojnë, por që shpesh e nënshkruajnë fatin e Lekës dhe të popullit.
Dhe në fund po e përsëris atë që shkrova për kopertinën e këtij romani, ndërsa e lexova në dorëshkrim:
Frika për ruajtjen e nivelit pasi të fitohet një çmim i lartë, edhe nëse ekzistonte tek autori Mark Pashko ishte e kotë. Pas marrjes së çmimit “Rexhai Surroi” për romanin “Humbja” që u vlerësua si roman i vitit, autori na paraqitet me romanin e radhës, me romanin Livia.
Livia është një labirint nëpër të cilin mbisundon shtjella që të zë frymën, e në të cilin na fut autori duke mos ngurruar që edhe me grahmat e fundit, ku nuk shihet as një rreze shpëtimi, të shprehë qëndrimet e veta, të futura në gojën e personazheve, lidhur me atë që mund ta quajmë rend i ri botëror, apo globalizim, dhe pasojat e tij në një familje, në fakt, jo në një, por në familje si koncept bazë i shoqërisë.
Autori nuk ngurron, që ta (keq)përdorë personazhin kryesor, Lekën si luftëtar me mullinjtë e erës për ruajtjen e familjes…
Dhe, a ruhet familja??? Atë do ta zbuloni gjatë leximit…
Koha gjatë leximit të këtij romani, assesi nuk është kohë e humbur, përkundrazi!
ObserverKult

Lexo edhe:
(VIDEO) FESTIVALI POETIK I PRISHTINËS 3/ TAKIM POETIK DHE DISKUTIM ME NIKOLLË BERISHAJN