Libri na dërgon në vende magjike, na bën të jetojmë jetët që i kemi ëndërruar, na zhvillon…

Dita Ndërkombëtare e Librit dhe të Drejtave të Autorit

Nga Manjola Brahaj

Dita e Librit festohet çdo 23 prill sepse është data në të cilën në vitin 1616, ndërruan jetë dy shkrimtarët e shquar të historisë botërore: Miguel de Cervantes dhe William Shakespeare. UNESCO e zyrtarizoi këtë ditë në 1995 edhe pse tradita e festimit të saj ka ndodhur shumë kohë më përpara. Një koinçidencë e veçantë e cila bëri që kjo ditë të fiksohej në kalendar si një homazh botëror kushtuar librit dhe autorit, pra letërsisë.

Dita Ndërkombëtare e Librit është një ditë shumë e veçantë pasi vjen si një ftesë për të reflektuar për vlerën, rëndësinë dhe peshën që ka libri në jetët dhe kulturën tonë.

Kjo sepse libri përtej të qenit një kalim i thjeshtë kohe, gjatë procesit të të lexuarit na dërgon në vende magjike, na bën të jetojmë jetët që i kemi ëndërruar, na zhvillon dhe pasuron imagjinatën tonë, na jep mundësinë që të themi fjalët që i kemi ngulfatur brenda vetes, na lejon që të drejtojmë pyetje dhe të vëmë në dyshim realitete e botëra të ndryshme dhe mbetet natyrisht një zakon ushqyes i shpirtit shumë i shëndetshëm që askush nuk do duhej të refuzonte. Ndaj mendoj se nëse ka diçka që është i pazëvendësueshëm është pikërisht shndërrimi i fuqishëm që mund të na bëjë leximi i një libri të mirë, përthithja prej vorbullës së rrëfimit e magjisë së të tij për të dalë në sipërfaqe të tjetërsuar e të përjetësuar njëkohësisht.

Po ndaj me ju më poshtë disa thënie kushtuar librit dhe leximit nga autor të ndryshëm.

“Ndër instrumentet e shumtë të njeriut, më i mahnitshmi, pa dyshim është libri. Instrumentet e tjera janë zgjatim i trupit të tij. Mikroskopi dhe teleskopi janë zgjatim i syrit; telefoni është zgjatim i zërit; kemi edhe parmendën dhe shpatën, kuptohet zgjatime të krahut. Por libri është diçka tjetër: libri është zgjatim i kujtesës dhe imagjinatës”. / Jorge Luis Borges

“Shtëpia pa libra është si trupi pa shpirt.” / Cicerón

“Një libër sëpatë që then detin e akullt që ndodhet brenda nesh.”/ Franz Kafka

“Libart janë si pasqyra: duke u parë në ta, zbulojmë kush se kush jemi.”/ José Luis Villalonga

“Të mësuarit e leximit ka qenë gjëja më e rëndësishme që më ka ndodhur në jetë.”/ Mario Vargas Llosa

“Për të udhëtuar larg, nuk ka anije më të mirë se sa një libër.”/ Emily Dickinson

“Librat janë miqtë që kurrë nuk të zhgënjejnë.”/ Thomas Carlyle

“Në një vend të një libri ekziston një frazë duke na pritur për t’i dhënë kuptim ekzistencës.”/ Miguel de Cervantes

“Librat janë avioni, treni, rruga. Janë fati dhe udhëtimi. Janë shtëpia.”/ Anna Quindlen

“Të rrish vetëm me një libër të mirë do të thotë të jesh i aftë të kuptosh vetveten më shumë.”/ Harold Bloom

ObserverKult


Lexo edhe:

DITA NDËRKOMBËTARE E LIBRIT DHE E DREJTAVE TË AUTORIT- PSE U VENDOS TË JETË MË 23 PRILL