Romani “Mbyllur për pushime” vjen si testament i të shkuarës dhe si kërkesë për ta njohur atë, nga një këndvështrim i ri…

Nga Adrian Zalla

Romani “Mbyllur për pushime” me autor Stefan Çapalikun, është i freskët fare, është një botim i 2021 dhe ka pak javë që ka dalë në treg nga kolana e botimeve “Fishta”; madje libri ende po promovohet në qendra e qytete të ndryshme të Shqipërisë!

          Romani është kompozuar në tre pjesë, ose siç autori ka zgjedhur ti quajë në tre libra, romani pra përbëhet nga një triologji brenda njëra-tjetrës të cilat ndërlidhen e ndërveprojnë me njëra-tjetrën mjaft bukur por edhe më vete mund të qëndronin përsosmërisht mirë. Romani mbart në faqet e tij tri kultura, tre çifte të dashuruara, disa tipologji marrëdhëniesh të ndryshme,  tri gra, njëra serbe, njëra italiane e tjetra austriake si dhe disa histori që ndodhin njëra pas tjetrës ose zhvillohen në të njëjtën kohë!

            Ajo çka bie në sy menjëherë sapo hap faqen e parë të romanit është hapja me një frazë e cila thotë: “Humbësit dashurohen me të shkuarën, fitimtarët me të sotmen” një frazë e cila të bën të mendosh lidhjen e titullit me romanin, por mbase edhe historinë që do të rrëfehet!

       Në roman ngjarjet nisin në Beograd! Historia e parë që nis të na rrëfehet është ajo e Milicës me Hermanin. Romani është plotësisht me sfond historik ngjarjet nisin të zhvillohen më 11 shtator 1943, por rrugës ngjarjet udhëhiqen edhe nga një retrospektivë e gjetur si në rastin e profesor Shirokës dhe më pas në perspektivë si të gjitha ngjarjet e jashtëzakonshme, e njëjta gjë ndodh edhe në fillimin e rrëfimit të historisë së Ibrahim Harapit!

       Hermani është një ushtarak i lartë që urdhërohet të vijë në Tiranë për një mision të rëndësishëm politik, diplomatik, ushtarak e social. Kur arrin gati në Tiranën e viteve ’40 ai pohon: “Kam parë shumë qytete pa bulevard por kurrë nuk kisha parë bulevard pa qytet” një fjali e cila të bën të reflektosh mbi të shkuarën por edhe të tashmen. Një fjali e cila na nxjerr zbuluar për mungesën e njohjes së të kaluarës, por edhe na bën të pyesim veten a ka mbetur ende Tirana, kryeqyteti ynë një bulevard pa qytet?

             Romani “Mbyllur për pushime” është i kompozuar në 3 libra dhe 27 kapitujt në total dhe teknika e përdorur për rrëfimin e historive të personazheve është ciklike, ngjan me ciklin e jetës, lindim-jetojmë-vdesim. Romani rezervon plot supriza, me ngjarje të papritura por edhe elemente suprizë si Dashuria e Milicës me Filipin, aty në këtë mes na del edhe letërkëmbimi si i vetmi element komunikimi gjatë viteve ´40 por edhe si një element trashëgues i ruajtjes së romancitetit i cili është i pakohë e i pavdekshëm mbase.

        Romani është i mbushur me ngjarje që nuk priten, me dashuri që lindin pa u kuptuar si, me takime të pazakonshme, ngjarje me partizanë si protagonistë, përvijimin e historisë së Lukës djalit të profesor Shirokës me të dhëna të jashtëzakonshme në muzikë i cili ka një rrugëtim mjaft të gjatë…

         Do duhet ta lexoni për të zbuluar arsyet se pse romani është titulluar “Mbyllur për pushime”, historinë e Ibrahimit, bashkohet apo jo ai me Marinën, si përfundon ai, po profesor Shiroka me Margaritën, po Milica, Herman Janos e Filipi si ndahen në fund të romanit por edhe mjaft ngjarje me personazhe të mirëmenduar por që mbartin rëndësi të madhe në ngjarjet e romanit si Patër Andreasi, Bim Kurbani apo Rrem Bardhi. Romani është i ri dhe nuk do doja të zbuloja më tepër nga subjekti, por di të them që ndërlidhja e librave me njëri-tjetrin, por edhe përvijimi i historive është i hatashëm…

         Në roman padyshim nuk mungojnë as elementët e ruajtjes së trashëgimisë dhe traditës, dhe patjetër këto elemente e veçori na shfaqen në rrëfimin sesi prof Shiroka kishte detyruar Lukën të mësonte këngë të plota nga “Lahuta e Malcis” pasi sipas tij “Lahuta e Malcis” mbartte gjuhën më të bukur dhe të pasur shqipe, episodi ku Luka duhet t’i heqë shaminë Fatmës së vdekur edhe pse nuk thuhet se është traditë shqiptare thuhet se kështu është zakoni, dhe shqiptarët kanë një vazhdimësi ruajtje dhe trashëgimie të ruajtjes së zakoneve mortore e dasmore.

            Por edhe gjuha na shfaqet ose serviret si ruajtëse e traditave si në fjalitë; “E kishte ruajtur zoti; E mira këputet së holli; Ia nisi muhabetit për shtatë palë qejfe”. Sigurisht autori nuk harron as të promovojë, Shirokën, Shkodrën, Ulqinin, bashkëjetesën fetare, besnikërinë mes miqve, e plot gjëra tjera pozitive për Shqipërinë…

             Romani është shumplanësh për nga teknikat narrative por edhe ato stilistike, rrafshet shpesh i lënë vendin njëri-tjetrit, dhe të bëjnë të dyshosh për qëllimin, në është ai i të krijuarit një larmi unike stilesh e formash apo ai i të bërit lexuesin konfuz! Gjuha dhe narracioni janë të kuruara deri në detajin e shenjave të pikësimit, është një gjuhë e pasur e mbizotëruar nga metafora, epiteti dhe ndërtimi i kompozitave të reja. Rrëfimi bëhet në vetën e tretë njëjës e shumës.

          Kapitujt ndërkëmbehen mes tyre, ka kapituj të ndërtuar mbi fjalitë e thjeshta, fjalitë e shkurtëra, sintagamat por që mbartin fuqi të madhe edhe imazhi. Nga ana tjetër ka kapituj ku fjalia është një paragraf i tërë, i ndërtuar me sintagma, fjali të thjeshta apo të përbëra, kjo formë e të shkruarit na shfaqet në kapitullin e tretë të librit të parë, për herë të parë në këtë roman me tri pjesë, duket se autori ka gjykuar se bukuria e Ibrahimit është kaq marrafrymëse saqë fjalia e shkurtër, fjalia e thjeshtë i rri e vogël, e ngushtë personazhit të tij.

     Ndërkëmbimi ose kombinimi i këtyre stileve formave narracioni krijon ambiguitet, larmi formash narracioni, por edhe larmi përshkrimesh sipas karaktereve dhe personazheve. Duket se narracioni vihet në shërbim të personazhit ose ngjarjes që vijon! Mbizotëron detaji përshkrues që gati shëndrrohet në autopsi në përshkrimin mbi  sfondin historik, njeriun, ngjarjet, situatat, ndjesitë me hollësitë që jepen duke e bërë romanin të mos ketë asgjë të tepërt por edhe të ngjajë si një lloj shfaqeje gjatë kohës që e lexon…

           Është një roman i mbushur me gjurmë, sidomos gjurmë historike të të gjitha kohërave të lidhura me historinë, gjeografinë, kulturën, artin, gjuhën e letërsinë. Sfondi historik është i pranishëm kurdoherë, përmes detajeve artitekturore si përmendja e vendeve historike të ndryshme, vendbanimeve të ndryshme kulturore, reminishencave, figurave e ngjarjeve historike, epokave të ndryshme apo edhe regjimeve të ndryshme!

        Romani “Mbyllur për pushime” është një roman i cili e sheh rrjedhën e historisë ndryshe, e tregon ndryshe, dhe e përcjell ndryshe! Është një roman që përpiqet të hedhë dritëhije mbi të shkuarën para nisjes së komunizmit ku parulla “Zgjedhje të lira e të ndershme” ende kishte një kuptim e ideal por edhe të tërheqë vëmendjen për të iu kthyer idealit e vlerave mbase! Është një roman i cili drejtohet kah njohjes së historisë, të shkuarës, nxjerrjes mësim nga ajo, mospërsëritjes të së njëjtave gabime por edhe promovimit të traditave, trashëgimisë e historisë tonë shqiptare!

          “Mbyllur për pushime” tani në treg për të gjithë ju që po kërkoni një arsye për të marrë pushime, për tu mbyllur me pushime apo për t’u arratisur me pushime, është si një shfaqje teatri, i ka të gjitha…

LEXO EDHE: “Mbyllur për pushime”, Stefan Çapaliku promovon librin e ri