Roza Anagnosti: Aty janë shpirtrat e artistëve, teatri s’duhet të shembet

Aktorja Roza Anagnosti shprehet se është kundër shembjes së Teatrit Kombëtar. Ajo thotë se godina është vlerë që duhet ruajtur dhe rikonstruktuar.

Unë jam me teatrin, e mbështes teatrin, është memorie, për ne që jemi këtu e për ata që janë jashtë. Zhvillimet e reja e kuptoj që vijnë, por janë disa gjëra,që duhet ti ruajmë. I bashkohem kolegëve, kam ndjeshmërinë e sinqertë, është vend ku kam emocione.

Unë s’mund të rri në shesh, po jam me ta. Aty janë shpirtrat e shumë artistëve që kanë bërë. Kanë folur për të emra të njohur të trashëgimisë, nga Emin Riza te Maks Velo i shkrete, u besoj gjykimeve te tyre. Unë nuk e kuptoj gjithë këtë, që po ndodh. Thonë se është shumica! Por duhet të respektosh popullin tënd.

Nuk janë vetëm artistët që e mbështesin, është edhe populli, e nuk mund të mos e respektosh, duhet t’i dëgjosh. Ne e kemi thënë fjalën tonë, në mënyrën më humane e të kulturuar. Ai është vlerë që duhet ruajtur dhe duket rikonstruktuar, aq më tepër që i kanë gjetur fondet. Por njerëzit, edhe mund të jepnin para, për të ndihmuar.

Do ishte mirë, që kjo kohë të kishte vlejtur, për bashkëpunim e bashkërendim. Nuk është kohë për këtë, kur i kemi njerëzit jashtë, kur jemi të bllokuar. Nuk më duket e arsyeshme të krijohen artifice në këtë situatë që po kalojmë” tha ajo.

Një pjesë e aktorëve kërkojnë një godinë të re me kushte moderne, ndërsa një grup janë pozicionuar kundër. Qeveria ia kaloi godinën bashkisë për ta shembur dhe për të ndërtuar të renë, por Presidenti e çoi sot vendimin në Kushtetuese.