Rozafa Shpuza: Baladë

Ata presin përhanshëm bri limanesh të njelmët
dekorue prej direkësh simetrikë
në qasje të nji shkalle që s’dihet për kah naltohet.
Presin…
e rreken me deshifrue kodet e atij farit
që kurrë s’e panë, veç e imagjinuen
tue hamendësue shkujdesun ndër rreshta ditaresh
a iniciale sekrete gdhendun mbi banka shkollash.
Presin…
e frymojnë skajshëm si andrrimtarë kryeneçë
tue u lumnue prore prej shiut që u kujton
dashnitë e pamujtuna.
Presin…
teksa zhumhuri i zbaticave ua përpinë
kalvarin e rrugtimit prej kah janë nisë,
aromën e shpisë së vjetër
që mbahet në kambë prej rrjeta marimangash,
fotografitë bardhezi t’stivueme trishtaz
ndër kuti këpucësh që i veshën për parada maji,
hijet e qipariseve bri muranash me lule të vyshkuna…

Ata presin përhanshëm bri limanesh të njelmët
e këndojnë nën za nji melodi shpirti…