Rozafa Shpuza: Harresa asht tekanjoze e ngutet me kapërdi tanë qenien teme

Nga Rozafa Shpuza

Harresa asht nji guralec që ka hy tinzash në këpucën me shoje të grime prej rrugtimesh e rreket me ma ngadalësue ngutin përkah askundi.

Hapat, që deri pak ma parë ishin të qetë e askush s’ia ndjente trokun, tash janë hallakatë e hidhen kuturu. Herë-herë e përplasi kambën te ndonji bordurë, sa me e zhvendosë guralecin te qoshet e këpucës.

Gishtat e mbledhun kruspull prej bezdisë së guralecit, shtriqen saora… Bash këtë çast kujtimet nisin me u stivue ngeshëm në pauzat e frymimit, por harresa asht tekanjoze e ngutet me kapërdi tanë qenien teme.

Guraleci më shpon tabanin si ato gjylpanat bashline që vente gjyshja mbi degërmi. Kujtimet tulaten e janë gati me u zhba…

Vonë kujtohem se me zgidhë lidhësen, që ndryn unin me pengje pendesash, me zbathë këpucën e me theqafë dikutek guralecin asht gjaja ma e zgjuat që mundem me ba.

Po semaforët kanë rregulla fatale e unë vazhdoj me u çapitë kuturu me guralecin që më shpon përherë e ma fort pavetëdijen teme bjerracake.

*Titulli i origjinalit: “Harresa”

ObserverKult


rozafa shpuza

Lexo edhe:

ROZAFA SHPUZA: TURMAT JANË BURIM MUZASH PËR MUE

Flasim përhanshëm me poeten dhe fotografen Rozafa Shpuza.

Nga: Xhemazije Rizvani

Rozafa Shpuza asht lindë në qytetin e Shkodrës, ku më 1856 Pjetër Marubit hapi studion e parë fotografike shqiptare dhe ballkanike. Ndaj ajo beson me shpirt se asht e bekueme qysh në ngjizje me artin e bukur të fotografisë dhe me balsamin e apostujve të poezisë gege.

Mbasi përfundon me rezultate të shkëlqyeme studimet e nalta për Gjuhë-Letërsi,  shkon në Tiranë, ku aktualisht punon si redaktore në sektorin e botimeve të Parlamentit shqiptar.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult