Rozafa Shpuza: Iku për mos me ra ma kurrë në shehër…

rozafa shpuza

Ju ftojmë të lexoni tregimin e autores Rozafa Shpuza!

Kurgja ma mirë se me kuptue jehonat e maleve, nuk i vinte ndoresh me ba. Kulla e tij qyqon larg të tjerave, dikutek në prehën të malit. Ndër trenat e nximë të tavanit të saj, s’mbahet mend qysh kur rrinte varë nji djep, të cilin e ama e ruente për nipat e mbesat. Sa herë tërbimi i erës e përkundte djepin e lidhun me konopë të hangrun tejet, Marku zhyste kryet si breshka nën zhguell prej nji soj ndjesie të çuditshme, që kurrë s’diti me e kuptue.
Frëngjia e vetme e katit të dytë i përgjitte nji tejqyre të gurtë nga ku mund të shiheshin veç muzgje të skajta, dhi që kullotnin nëpër rrëpina, shpi gati identike, larg njëna-tjetrës, dhe të njajtët njerëz që kalonin tek e tek dhe që grumbulloheshin veç për festa e morte. Të veçanta ishin vetëm nuancat e stinëve që sillnin me vete o të ftohtin e bardhë, o gjelbërimin e lagësht. Dy stinë kishte ai vend e Markut s’iu desht kurrë me ditë se ekzistonin edhe dy të tjera të ndërmjetme.
Si nji orë ranet, që sillet për me shenjue nji tjetër mot, njashtu u kthye jeta e Markut, a u kthye përsmbari a përsmrapshti kërkush nuk mundet me ia gjetë fillin, por di me thanë se gjithçka ndryshoi kryekëput, kur afër katundit filloi me u ndërtue rruga që lidhte nji kamp dimnor në maje të malit me qytetin poshtë në shehër. Zhurma e makinave dhe prania e punëtorëve ia davaritën disi plogështinë atij skaji të harruem e ju kujtuen atyre njerëzve se kishte jetë edhe përtej amës së ortekëve. Tash ishte krejt kollaj me i hypë fugonit që vinte dy herë në javë e me ra në qytet me komoditetin ma të madh.
Anipse ishte veshë e la si për ditë festet, vizita e parë në atë qytet të zhurmshëm e djersiti dhe pluhnosi dreqnisht Markun. Krejtçka ishte si andërr, por ato që e lanë krejt pa mend ishin vajzat e zhdërvjellëta me fustanet shumëngjyrëshe e gati transparente.
U mundue me kujtue gratë e katundit të tij, por asnjenes nuk kishte mujtë me i pa ma shumë se qafën e bardhë, kur shaminë ia valëviste era apo krahët deri te brryli, kur pinin ujë te burimi. Kaq ishte erotizmi që i kishin ofrue vajzat e katundit, krejt ndryshe prej këtyne të qytetit që as nuk e dinin çka asht marrja.
Kur u kthye në katund, as nuk foli me kënd e as nuk e bani gjumin të qetë, se në mendje i ishin futë aq shumë gjana të reja, sa i duhej kohë me u ambientue me to dhe sidomos me e hekë mendjen prej linjave marramendëse nën transparencën e fustaneve.
Mark, çohu me kullotë bagëtinë! – përplasej zani i s’amës nadje heret nëpër muret e trasha të kullës, e atij i duhej me fillue ditën monotone me të njajtin itinerar, që s’kishte ndryshuar qysh prej fminisë.
Ndërsa dhitë kacavjerreshin rrëpinave, ai ulej në ndonji gur e me sytë nga retë vetëm andërronte kur mund t’i prekte ato linja e ta hiqte atë marak. Trina, mikja e tij e mirë, mundohej me ia hekë mërzinë tue iu ngjeshë me marifet për me i kujtue laradashët e dikurshëm nëpër rudina, por ai e shihte me sy të perënduem, si me dashtë me i thanë se tashma kund tjetër e kishte mendjen.
Ditët shtynin njëna-tjetrën e stinët zbardhnin e gjelbëronin atë vend, por Markun vazhdonte me e brejtë gjithnji e ma fort ai marak. Kur e bani zemrën gur dhe vendosi me u ulë prore në qytet, nuk kishte as idenë ma të vogël se si kishte me e hekë atë marak. Njashtu përhanshëm, i hypi autobusit e u struk si breshka në zhguell t’vet, derisa shoferi e pyeti se ku donte me u ndalë. Anipse ligjërata e Markut ishte krejt e hallakatun, shoferi e mori vesh hallin e tij dhe e drejtoi nga nji shpi, e fshehun disi, që funksiononte si “vend qejfi”. Pasi i dha disa këshilla, i uroi fat, tue i shkelë synin dhe e la midis rrugës së madhe. Marku, që u ishte bindë gjithmonë urdhnave të të tjerëve, s’ia bani fjalën dysh shoferit, por shkoi kah i tha ai.
E përshkoi rrugën me hap të gjatë dhe u ndal furishëm te i vetmi vend që i interesonte në atë qytet të madh. As nuk vuni re se kishte zile, se zile kishte veç cjapi i tij, por i ra derës fort me atë dorën e tij të madhe, derisa nji grue e zhugatun u shfaq në derë. Pa e ndi deri në fund monologun e saj, i dha aq lekë sa kishte në grusht dhe u turr kah dera gjysë e hapun përball, si i manjetizuem nga nji palë kambë të lakuriqueme që mezi dalloheshin.
Veshja transparente e thatimes që shkrrahej në një shtrat, krejt ndryshe nga i tiji, e lumnoi dhe e bani me besue se, ma në fund, po e hiqte atë marak nga shpirti. Goja iu mbush me jargë e u kapërdi me ngut, por shërbimi që filloi me i ba thatimja e trullosi ma shumë se ç’ishte kur u fut në atë odë t’errët. E ulun në gjunj para tij, ajo filloi me ofsha, pa i lanë kohë Markut me mendue ma gjatë. Aipse iu morën paksa mendt, Marku ndenji si hu gardhi pa bëza, tue pritë me sosë ofshamat e saj e ai ta bante atë punë siç dinte vetë. Por iu desh me u përmendë për me u zhgënjye ma shumë se kurrë, kur ndigjoi zanin e saj të çjerrë: Mbaruam bashkë, ndaj duhet të largoheni se e ka radhën klienti tjetër.
Zhyti prap kryet si breshka nën zhguell dhe iku për mos me ra ma kurrë në shehër.

ObserverKult

*Titulli i origjinalit: “Si breshka nën zhguell”

Lexo edhe:

PRIMO SHLLAKU: DËSHIROJ TË VALLËZOJ ME TY KËSHTU…