Rozafa Shpuza: Simfonia e nji dite me shi

rozafa shpuza


Përdita s’ka formë
si tymnaja që hapërdahet në boshllek,
ajo nuk din me dallue shijet
si buzët e prostitutës që s’kujtojnë puthjen e mbrame.
Përditën e kapin përflokësh,
e depilojnë sipas tekave të dashnorëve rastësorë,
e veshin si manekini me krahë të njitun me letërnjitëse,
i venë nji Skonto në qafë
sa herë vetimat ngjizen
e na kujtojnë se rrugica ku gjendena
asht qorre.
Përditës ia ngrijnë buzëqeshjen me silikon
pa u lodhë me parashikue
se nji maskë e sajueme
ka me ia çue dam ndërhymjen fatale.
Përdita asht egoiste
nuk i bahet vonë për data të rrumbullakosuna në kalendar,
për premtime,
për përvjetorë…
Përdita të futë ndër morsa semaforësh,
oraresh fikse,
takimesh shterpe ku oratorët ndryshojnë veç kostumin.
Përdita ka veç të sotmen
e rreket me ta imponue se ardhmënia asht vetë ajo…
Kajherë përdita shifet ndër pellgje
e njashtu e përmbysun
kupton se sado me rrëshekë të bien shinat
e nesërmja ka me pasë tjetër pamje…