Rrahman Dedaj: Sonte mund të më lësh vetëm e t’ikësh…

rrahman dedaj
Rrahman Dedaj

Sonte mund të më lësh vetëm e t’ikësh
Atje ku s’mund të arrij
Me krahët e zogut të verdhë

Mund të më lësh krejt vetëm
Si këtë rrugë
Që numëron kalimtarët e vet të ikur
Si këtë lumë
Që i afrohet detit të vet pa brigje
E s’mund ta arrij me këtë fjalë
As me këtë valë
Që gjakun verë ma bën ngadalë

Ti je mësuar të luash me mua
Mund të ikësh e të më lësh
Vetëm me emrin tim
E çmendinë e vargut që po e lind
Me gjërat që po e harrojnë
Trajtën e vetës së parë

Mund të më lësh krejt sonte
Si atë fëmijën
Pranë vitrinës së vjedhur

Ti je mësuar të luash me mua

Ku fillon sonte rruga
Nata e natës ku mbaron
Etja me etje po fillon.

*Titulli i origjinalit: “Mund të më mashtrojë kënga”

ObserverKult

——————-

Lexo edhe:

SPIUNI ANALFABET QË NDIQTE PROFESORIN EQREM ÇABEJ: LEXOJENI RAPORTIN!