Charles Baudelaire: Rri urtë, o dhëmbja ime

Rri urtë, o dhëmbja ime, dhe bëju m’e duruar;
Ti dëshëronje mbrëmjen, po zbret plot qetësi,
Një mugëtirë e dëndur qytetin ka mbuluar,
Disave u solli paqen, disave breng te ri.

Tashi kur turm’e vdekshme dh’e ndotur dh’e përçmuar,
Kamzhikun e dëfrimit, këtë xhelat shpirt-zi,
Do t’a shijojë e brejtur nga zemr’e skllavëruar,
O dhëmbje, nep-m’a dorën le t’ikim un’e ti.

Larg saj. Vështró si vitet përkulen posi hije
Ballkoneve qjellorë me robe vjetërsije;
Keqardhja del prej viresh e qesh përzemërsisht;

Në nj’harg po digjet djelli mes flakës së pamatë
Dhe, si një napë q’endet ndaj lindjes fshehtësisht,
Dëgjo, dëgjo, e dashur, si ec e ëmbla natë.

 
Përktheu: Lasgush Poradeci