Poezi nga Rrahman Dedaj
Vij si gur i heshtur
Emrin harroj
Vij të marr një pjesë të verës
Shiun e zgjoj
Vij të kërkoj vetëveten
S’di të kthehem
Vij t’i mbledh mëkatet
Në erën e bukës dehem.
(Shkëputur nga libri “Etje” i Rrahman Dedajt i botuar nga “Rilindja” më 1973)
ObserverKult
Lexo edhe:
BUQETË POETIKE NGA RRAHMAN DEDAJ: MBRËMË NË SHTEGUN E BALLIT TËND KAM MBËRRI…
Ju ftojmë të lexoni një cikël poezish të zgjedhura nga Rrahman Dedaj.
E diela
Kjo është ajo e diela që ka fjetur në krahun tënd
E diela që ia kemi veshur lëkurën
Dhe e kemi thirrur si pëllumbat
E diela që ma soll fyellin tim pa duar
Gjuhën e malit dhe këngën si deti
E diela që ia kemi veshur rrobat e blerta
Në mëngjes ia kemi kënduar këngën
Dhe ia kemi falur sytë e gjakimit
E në drekë e kemi qethur prej të gjitha hipokrizive
Dhe ia kemi pirë tamblin
Ia kemi lidhur plagën e kafshuar
E në mbrëmje
E kemi puthur si gruan e dëshiruar
Duart e saj
Mbrëmë e kam ëndërruar rrugën e gjatë
Se jeta ime
Flaka e duarve të saj më ka prerë si shpatë
E prerë jam në kujtime
Mbrëmë në shtegun e ballit tënd kam mbërri
Në zemër ta ndez një fener
Dhe si më i urti fëmijë
Erdha e t’u vara në derë.
Bukuria u zgjua prej luleve bari
E nën lëkurën time gjakun
Si verën ma kanë pirë dallëndyshet flatrari
Me një grusht ëndrra si nur
Për dasmën time të gjeta duke u lutur
Emrin tim e shkrueshe në do gur
Me fjalë prej mishit duke i këputur
Mbrëmë duart e bardha i kam ëndërruar
Ka rënë shi
Mbrëmë duart e nënës një bukë e kanë gatuar
Jam bërë më i urti fëmijë.
Poezitë tjera mund t’i lexoni KËTU:
ObserverKult