Mizore: Ma jep zemrën e nanës tande për ilaç!

popullore

Dëgjoni e mos besoni! Shumë rrëfenja popullore fillojnë me këtë frazë. E rrëfimit të mëposhtëm i shkon më së miri kjo lloj hyrje:

Ju ftojmë ta lexoni, por “pa e besuar”. Merreni thjesht si një rrëfim fiksional të netëve të ftohta të dimrit, kur mblidheshin njerëzia rreth oxhakut dhe ‘befasonin” njëri-tjetrin me magjinë e përrallave:

Ish kanë një fshatar. E martoi nana e vet me një vejushë. Babë s’kish pasë djali, ish rritë jetim.
Gruen e kish pasë për qejfi dhe e dojshin shumë njëri-tjetrin. Por grueja nuk e duronte nanën e burrit, vjehrrën. Mendonte e mendonte, por s’kish çka me i ba. Një ditë i polli diçka mendja.

Nuk u zgju nga shtrati e nisi me ofsha. Oh këtu, oh aty, bëhej se lëngonte e se po kishte dhimbje në gjithë trupin. Dergja i vazhdoi me muaj.

Burri i saj s’la vend pa kqyrë për ilaç por e shoqja nuk përmirësohej. Asgjë s’i kryente punë.

Një ditë po i thotë burrit.

-Oh more njeri, kam pa andërr që veç një ilaç mbi këtë dhe po më shëronte. Por, po m’vjen keq me t’kallxue.

-Çkaa?, pyeti burri i gatshëm me e gjetë atë lloj ilaçi kudo që ishte.

-Me hangër zemrën e nanës tande unë çohna…

Djali budallë, aq i marrosun mas grues, pa një pa dy, u çue e coptoi nanën, ja nxori zemrën e nguli n’maje të thikës dhe nisi me ja çue grues.

Duke ecë shkallëve përpjetë, zemra e nanës foli:

– Kadalë biri i nanës se po rrëzohesh e po therresh n’thikë!

*Kjo rrëfenjë tregohet në disa fshatra të Kosovës, ndërsa një variant i saj, treguar në Padalishtë të Drenicës është i botuar edhe te libri: Anton Çetta “Nga foklori ynë”/

Përgatiti: ObserverKult

Lexo edhe:

POPULLORE: KU S’TË THËRRASIN, MOS SHKO; KU S’TË PYESIN, MOS KUVENDO!

POPULLORE: SI U VRANË 6 MIJË KRUSHQ MES VETE…

LEGJENDË POPULLORE: N’KËT VEND KUR KNON QYQJA VRITET NAJKUSH…