Mirush Kabashi, aktori i mirënjohur prej disa kohësh i kishte munguar skenës shqiptare për shkak të disa problemeve shëndetësore. Artisti i cili me artin dhe talentin e tij arriti të prezantojë gjuhën shqipe dhe artin tonë në skenat më prestigjoze duke vjelë në të njëjtën kohë dhe vlerësimet maksimale nga personalitetet e ndryshme.
Ai kohë më parë erdhi në një intervistë ndryshe në emisionin “Rreze Dielli” plot me rrëfime “gozhduese” për karrierën, familjen dhe artin.
Fëmijëria e tij kaloi përmes një kalvari vuajtjesh për shkak të burgosjes së të atit:
“Unë linda në Shkodër, më pas shkuam në Durrës, ku e arrestuan babin, ishim me fat që qëlluam në Shkodër. Siç arrestuan të gjithë nxënësit e shkollës teknike, psh. dajën e konsideruan si spiun i amerikanëve dhe e eleminuan fare…” u shpreh ai.
Por si nisi rruga e tij drejt aktrimit, krejt rastësisht dhe aspak e mirëmenduar:
Nga konkurimet midis gjimnazeve unë u evidentova, fillimisht nuk kisha asnjë alternative tjetër për të shkuar në shkollë të lartë sepse isha djali i tretë dhe dy vëllezërve më përpara i ishte dhënë mundësia. Por shefi i seksionit i cili kishte qenë drejtor i shkollës më kërkoi që të merrja pjesë në konkurset jashtërradhe. Fitova në konkurs dhe më pas emërimi në teatrin e Durrësit, ishte shkolla e vërtetë për mua”, rrëfen aktori i mirënjohur më tej.
Mirush Kabashi ka spikatur me një sërë rolesh por fillimisht evidentoi me rolin në një komedi të shkrimtarit rus Nikolai Gogol:
“Roli im i parë Le Stakovi tek komedia e Gogolit ‘Revizori’ dhe më këtë rol u evidentova mirë dhe më pas filluan edhe rolet e tjera”.
Ndërsa roli i jetës së tij do të ishte ai i Sokratit me të cilin solli jo vetëm një zhaner të ri në Shqipëri por edhe prezantoi artin shqiptarë nëpër botë:
“Në kohën e diktaturës as që bëhej fjalë, kam punuar 25 vite me tekstin pedagogu gjatë kohës së shkollës ma kishte rekomanduar për ta bërë një pjesë, pastaj unë mendova që mund të bëhet një monodramë. Ka qenë një punë individuale deri në kohën kur u ngjita në skenën e teatrit. Unë e kam bërë me shumë pasion jo vetëm në pikëpamjen e interpretimit por për mesazhet e jashtëzakonshme edhe për situatën në Shqipëri por edhe në pikëpamjen botërore”, tha ai.
Në këtë rrëfim plot ngjyra nuk mund të mungonte edhe historia e dashurisë me bashkëshorten Lolën, me të cilën është i martuar prej 35 vitesh dhe që e njohu në kohën kur ai ishte pedagog dhe ajo studente.
“Unë e kam pasur studente dhe kështu u njoha në kurs.Unë kam qenë pedagog i jashtëm, më pëlqeu në aspektin e formimit shpirtëror dhe intelektual, vinte nga një familje e thjeshtë dhe kështu u martuam, zoti na fali dy vajza”, tregon më tej Kabashi./shqiptarja.com
Lexo edhe:
JAM SHQIPTAR, KOSOVAR, ZOT E KRENAR…INTERPRETON MIRUSH KABASHI