Rrëfimi i fundit i Sherif Merdanit, pak para se të ndahej nga jeta: Pipo Baudo u trondit nga historia ime

Nga Uvil Zajmi

“Nuk mund të jem pjesë e një Partie që ruan mitin e Enver Hoxhës, njeriut që shkatërroi vendin dhe e bëri Shqipërinë burgun e vuajtjeve të jashtëzakonshme. Përpjekja për të ringjallur atë, për të vënë në piedestal njeriun e turpit e të degjenerimit, është sa mjerane aq dhe e turpshme”.

Monologu i Alketa Vejsiut në skenën e “Aristonit” tre vite më parë, do ta përlotte kantautorin tashmë të ndjerë, Sherif Merdani.

Ajo tha gjithë sa ai dhe i gjithë brezi i tij do të kishin dashur të thoshin. Ai brez që do të dënohej, përndiqej vetëm sepse dëgjonte këngët italiane, angleze.

Ditët e Festivalit të San Remos e kthyen pas në kohë, atëherë kur ai, i sapodalë nga burgu, ndoqi nga afër këtë festival. Festival ky i cili për të e shqiptarët ishte një ëndërr. Një ëndërr, por edhe një “mallkim” për këdo që do ta ndiqte e imitonte.

Në një intervistë të marrë pak vite më parë kantautorit të njohur Sherif Merdani (pak muaj para se të ndahej nga jeta), ai tregonte vitet kur në Shqipëri dëgjohej San Remo.

“Në vitet ‘70-të, edhe shteti shqiptar komunist dërgonte njerëzit e tij të besuar për të ndjekur Sanremon”. Këtë e dëshmonte këngëtari njohur, ish-i dënuari politik, që vuajti 16 vite në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia.

Në intervistën e tij që po e publikojmë më poshtë, ai tregonte që nga vitet e errëta të burgut e deri në ditën kur do të takonte Pipo Baudon e Xhani Morandin.

Baudo nuk pranoi që historia e kantautorit shqiptar Sherif Merdani, të tregohej në skenën e Aristonit, pasi ajo ishte tepër e trishtueshme…

“Ishte logjike, nuk donte që me historinë time të trishtonte italianët në natën më argëtuese të tyre”, shprehej Merdani.

Por historia e tij nuk mbeti në heshtje. Për të shkruan gazeta e revista italiane.

“Çfarë kishte bërë Merdani, ishte vrasës, vjedhës, apo keqbërës? Faji i vetëm i tij ka qenë se admironte, dashuronte Minën e Morandin, e t’i dëgjoje ato ishte e ndaluar…

‘Për muzikën italiane nuk mund të flisje në Shqipërinë komuniste-marksiste të Enver Hoxhës. Normalisht se ky ishte një faj i madh’, thotë Merdani i dënuar me 16 vite burg, tashmë në ambasadën shqiptare në Romë”, shkruan revista “Visto”.

Kantautori Merdani ndjek me vëmendje çdo edicion të Sanremos dhe emocionohet për çdo sukses të shqiptarëve në atë skenë, që nga Elsa Lila, tek Ermal Meta. E vazhdon deri te Alketa Vejsiu, që me monologun e saj, përfaqësoi të gjithë atë brez të djegur shqiptarësh. Atë brez që në ditët e izolimit të thellë, gjenin ngushëllim në tingujt e valëve të radiove italiane që vinin nga përtej detit. “Një shpresë e humbur, por e rigjetur vetëm falë Zotit”.

Z. Merdani, kur u caktuat të shërbenit në ambasadën tonë në Romë?

Ishte nëntor 1992 dhe kisha disa muaj që ndodhesha në Romë, në ambasadë, Sekretar i Parë, përgjegjës edhe për kulturën. Ishte një mirënjohje nga drejtues të shtetit. Kur më thirrën në Ministrinë e Jashtme, dikush, pasi më tregoi në mënyrë simbolike një hartë bote, më pyeti. Sherif, në cilën ambasadë do që të shkosh?

Në Itali i them. Isha edukuar me artin, muzikën, kulturën e saj, edhe nga fakti se një xhaxha imi kishte studiuar në Francë dhe në shtëpi kishim mbi 300 disqe gramafoni të B. Xhilit, C. Buth, Caruzos. Italia ishte ëndrra ime dhe nuk gabova që e zgjodha.

Ishte atëherë kur ju erdhi ftesa për të ndjekur festivalin?

Ishte një ftesë me emrin tim, që erdhi në ambasadë. E kishte dërguar Bashkia e Sanremos dhe më ftonte të ndiqja festivalin. Ka qenë fundi i shkurtit të ‘92-shit. Mendoni, ende kisha ndjesinë e burgut, sapo pata dalë nga telat, rrethimi dhe në Sanremo, diçka e pabesueshme. Me tren jam nisur nga Roma. Kur mbërrita në Sanremo, më priti një person, i cili pyeti pse isha pa gruan. Një gabim për mungesë eksperience.

Ju ishit i pari shqiptar në Sanremo?

Jo, pasi edhe komunistët dërgonin specialistë në atë festival, me motivin për të marrë eksperiencë si organizohej. Ka qenë Liri Çeli, në sektorin muzikës në radio, muzikante. Kur kthehej, mua, Nikolla Zoraqit, Ferdinand Dedës, Vaçes dhe disa punonjësve të Radio-Tiranës, na tregonte çfarë kishte parë. Edhe disa muaj para Festivalit të 11-të, në bisedat që bënim, na fliste për vështirësitë, përgatitjet. Sipas saj të njëjta probleme që kishim edhe ne. Bënin prova edhe disa orë para, kur këngëtari, orkestra nuk ishin të sigurt. “Një festival i bukur, organizim i shkëlqyer, kam përfituar”, na thoshte ajo.

Eksperienca juaj në qytetin e festivalit, si ishte?

Më kishin rezervuar një hotel dhe pranë dhomës sime ishte një grup baleti nga Amerika që do performonte në Festival. Më pajisën me një fletë-hyrjeje dhe atë mbrëmje ndoqa provat. Kujtoj, këndoi Pauzini. Ftesa ishte për në lozhë, ku qëndronte trupi diplomatik. Bileta kushtonte deri 7 milionë lireta për tri netët e festivalit. Prezantimi i ishte besuar Pipo Baudos, me Lorela Kukarinin dhe Alba Parietin, e cila këndoi një këngë gjatë provave.

Po me Baudon, si u takuat ?

Në mëngjesin e ditë së dytë, një gazetar i kishte folur Baudos për mua. U takuam në zyrën e tij, në hollin e “Ariston” e duke qenë se e flisja italishten, ideja ishte për një bashkëbisedim me të direkt në skenë. Por jo për të kënduar. Thjesht për të treguar se Sanremo kishte viktimat e saj në një vend si Shqipëria, ku, nëse admiroje, këndoje këngët. Kishe pasoja edhe me burg, siç ishte rasti im.

Prezantuesi legjendar, kur dëgjoi historinë tuaj, si reagoi?

Historia ime e tronditi Baudon. E dëgjoi me vëmendje, hezitoi, u mendua dhe “Jo”, ishte përgjigjja e tij. “Nuk mund ta bëjmë, tha, se tregimi i zotërisë do të trishtojë sallën. E telespektatorët dhe mua do më duhen minuta për të risjellë atmosferën entuziaste, të gëzuar që karakterizon netët në Sanremo”. Një përgjigje normale, logjike e arsyetueshme e tij.

Atë edicion fitoi “Il Mistero”, një këngë me një titull të ngjashëm me jetën tuaj, apo jo?

Në atë festival kënduan Milva, Martini, Berte, Galiardi, Mingardi, Di Kapri, Renato Zero etj. Triumfoi i Ruxheri me “Il Mistero”. Ndërsa në kategorinë e të rinjve fitoi Laura Pauzini me “La Solitudine”. E veçantë ishte edhe kënga e treshes Dik Dik, Kamaleonti, Vandeli, “Come passa il tempo” që, bashkë me “Il Mistero”, për nga përmbajtja, teksti si një pasqyrë m’u shfaq jeta ime.

Si e kujton kohën kur në Shqipëri ndiqej Sanremo?

Bëhet fjalë për të famshmet vitet ‘70-të, të bumit të madh ekonomik, ndryshimet në jetën sociale, në modë, kulturë, tendencat për një amerikanizim të jetës europiane.

Në veçanti ato Sanremo, ku krahas Çelentanos, Dorelit, Gaber, C. Villa, L. Dalës, Fratelos, Cazelit, Don Bakit, Mal, Endrigos, Lealit, B. Solos, L. Tonit, Batistit, Zanikit, Minës, Dalida, Bongustos, Tenkos, Vanonit e Modunjos etj., merrnin pjesë edhe këngëtarë të huaj.

Këngëtarë francezë, amerikanë, nga D.Warwick, Piket, Antuan, Klark, R. Karlos, L. Armstrong, S. Wonder, Feliciano etj., që na i sillnin afër ritmin e xhazit, bluzit, rock & rollit, të “Let’s twist again”. Kujtoj orkestrat, prezantuesit, “Cuore matto”-n, që e këndonim me aq pasion dhe dëshirën që atë atmosferë ta përcillnim edhe në vendin tonë.

Ju keni disa revista të njohura italiane, “Visto”, “Chi”, “Stop”, të cilat dëshirojmë t’ua tregojë lexuesve tanë. Cilat janë komentet për ju, si e kanë rrëfyer historinë tuaj?

Ishte një gazetare, Analisa Koviella, të cilën historia ime e kishte befasuar. Më pas, ajo u bë promotore në takimet, intervistat, ftesat që më erdhën nga radio. Edhe nga kanalet televizive të “Rai”-t, “Mediaset”-it, takimet me artistë, publicistë, këngëtarë të njohur, drejtues emisionesh.

“Një mësues në profesion, i diplomuar, por edhe një këngëtar shumë i njohur, fitues i festivalit shqiptar të muzikës në radio. Por i arrestuar dhe i dënuar një herë dhjetë, pastaj dhjetë vite të tjera në burg”, shkruhej në të. Habiteshin edhe me italishten time, kur i tregoja se e kisha mësuar në burg nga priftërinjtë.

Revista rendit edhe emra këngëtarësh, sipas së cilës janë të preferuarit tuaj…?!

Sigurisht, ata kanë qenë këngëtarët e mi të preferuar. Në repertorin, në koncertet e mia, imitoja stilin e tyre. Këndoja këngët e Morandit, Albanos, “In ginochio di te”, “Occhi di ragazza”. Për të vazhduar me “La siepe”, “Nel sole”, por idhulli im ishte Mina me “Grande, Grande, Grande”.

Duke iu referuar “Visto”-s, në të përmendet shprehja juaj: “Il pasato e morto”, sa e vërtetë është kjo?

Bashkë me akuzën për propagandë antikomuniste, ishte edhe ajo si mbështetës i ideologjisë borgjeze. E kjo vetëm se pëlqeja, këndoja këngët italiane ato angleze. Kur punoja në minierë mbi 14 orë, nën zë lëshoja ndonjë refren të tyre.

Nëse më dëgjonin, fillonte kalvari. As kampet e asgjësimit masiv të Hitlerit, nuk ishin aq torturuese. Pas ‘90-ës, e kaluara, vuajtja ime ishte diçka e vdekur, pa kthim.

Ndodhte të dëgjonit muzikë në burg?

Më kujtohet, në burg, në Burrel, orët e vona të natës, kur nga altoparlanti jashtë tij, dëgjonim Radio-Kukësin, kryesisht muzikë me çifteli.

Papritur, duket kanë ndërhyrë valë të tjera, dhe një folëse çekisht e dëgjuam, pastaj një këngë italiane, “Nel sole” e Albanos.

Vetëm pak çaste dhe sërish valët risollën stacionin shqiptar. Një befasi për të gjithë, në një moment kur ishim totalisht të izoluar nga pjesa tjetër e një bote qytetare.

Ishte Sanremo një ëndërr e realizuar?

Pas viteve të burgut, sigurisht m’u rikthyen shpresat, me mundësinë për të realizuar ëndrrat e harruara.

Dhe njëra, u realizua. Më dukej e pabesueshme kur isha në sallë e ndiqja Festivalin e Sanremos, një pasion i hershëm imi. Ato kanë qenë netët më të bukura artistike të jetës sime.

Vajtja juaj në Sanremo dhe intervistat në median vendas ju bënë deri diku të njohur në vendin fqinj, apo jo?

3-4 muaj pas vajtjes në Romë, duke bërë dezhurn në ambasadë, një praktikë e vjetër, bie telefoni, një zë gruaje. “Flas nga ‘Rai’ më thotë, duam të bisedojmë me Sherif Merdanin”. “Unë jam”, i përgjigjem. “Ok, duam t’ju ftojmë në një emision të ‘Rai’-it”, thotë. Kam qenë në “Una mattina”, pastaj në “Maurizio & Coshow”.

Patët mundësi të takonit artistë të njohur, idhuj të rinisë suaj?

Teatro “Sistina” është afër Fontana di Trevit, në Romë, ku Xhani Morandi përgatitej për një koncert madhështor.

Të ngacmuar nga intervistat e mia, të publikuar në revistat e kohës, gazetarja e “Visto”-s më sjell një ftesë, me idenë të më njihnin me të.

Pak orë para se të fillonte shfaqja, u takuam dhe ai me tregoi se i nxitur nga familja, ishte rritur me ide komuniste, por i kishte braktisur më vonë.

Bisedën tonë e regjistronin kameramanët e fotografët na fotografonin.

Për Morandin ajo ishte një natë speciale, pasi ishte përgatitur bashkimi i tij me gruan e ndarë, por ai nuk pranoi.

Një situatë e ngjashme me të sotmen, Albano e Romina. Kur duhej gati një orë që të fillonte koncerti, u ngjitëm në skenë.

Salla ishte bosh, vetëm pak njerëz të zgjedhur. Paraprakisht, e pyes nëse mund të këndonim bashkë diçka nga repertori i tij, pasi ia njihja mirë këngët deri edhe tonalitetet.

Ishte dakord dhe para se të fillonim “In ginochio da te”, i them: “Xhani, më mirë në Sol Maxhor”, ta nisim. “Jo”, më përgjigjet, “në fa maxhor, një ton më ulët”.

Edhe te “Shende la pioggia”, i them në Re Minor, “no, no, che Re Minor, in Do minor, ti prego… nuk jam më i ri”.

Kemi kënduar e jemi argëtuar, minuta që nuk kishin fund. Kujtoj se në sallë, në atë koncert 80% ishin gra të moshës rreth 40 vjeç. 5 orë zgjati, 2 orë më shumë nga çfarë ishte programuar, pasi i vinin kërkesat nga spektatorët dhe ai ia plotësonte dëshirën. Me të këndonte dhe salla. Një liri absolute.

Z. Merdani, si e keni përjetuar pjesëmarrjen e Elsa Lilës në Sanremo? Një shqiptare që ngjitej në skenën e Sanremos…?

Kam qenë anëtar komisioni i festivalit tonë, kur ajo konkurroi në vitin 1996 dhe fitoi më këngën “Pyes lotin”.

Pra, e njihja. Vajzë e talentuar, vokal zanor mahnitës, një stil i veçantë në të kënduar. Në 2003-shin debutoi me këngën “Valeria”, si e para këngëtare shqiptare në festivalin më të famshëm të muzikës në Europë. U rikthye edhe më 2007, me “Il senso della vita”. Këngë prekëse si tekst e melodi.

Disa vite më parë, në Tiranë erdhi Cocciante, patët mundësi ta takonit?

Një kolos i muzikës, njeriu i “Notre Dame”, një kryevepër e pavdekshme. Ishte një ftesë nga miku im, Visar Zhiti, në ato kohë ministër Kulture, bashkë me kompozitorin Gazmend Mullhai.

Ai erdhi me Elhaida Danin, pjesëmarrëse në “The voice 2013”, ku edhe shkëlqeu. Të triumfosh në Italinë e artit e të kulturës, është më shumë se një mrekulli, kështu e konsideroj. Në duet me Coccianten ka qenë e jashtëzakonshme.

Thuhet se kulmi i krenarisë shqiptare ka qenë Ermal Meta, apo jo?

Ermal Metën do ta vlerësoja një kantautor të përmasave të mëdha artistike, fituesi i Sanremos në 2018. Por jo vetëm, tashmë i preferuar nga shumë këngëtarë të njohur italianë të muzikës me kompozimet e tij.

E ndjek me shumë kënaqësi, më emocionon. Një tjetër vlerë artistike shqiptare e pamohueshme, apo jo?

Pa harruar, madje me një respekt e konsideratë të madhe profesionale, qytetare, artistike, për Kledi Kadiun apo balerinën tek “Amici”, Klaudia Pepa.

A e ndoqët edicionin e këtij viti, ç’mendoni për prezantimin e Alketa Vejsiut?

Sa e sigurt dhe krenare u shfaq në atë atmosferë që ekziston vetëm në “Ariston”, të cilën e njoh mirë.

Ajo skenë i ka tronditur, dridhur këmbët e kanë dështuar mjaft prej atyre që janë ngjitur në të.

Deri edhe Mina, në edicionin e vitit 1961, e konsideruar favorite, në ditën e dytë, ishin emocionet e mëdha që i ndalën edhe zërin. Ajo shpërtheu në lot, u largua nga skena pa e përfunduar këngën dhe nga ai moment nuk u kthye kurrë më në Sanremo.

Monologu i saj, si ju duk?

Shumë prekës! Ajo shprehu, tregoi ato që Sherif Merdani, brezi im nuk pati rastin t’i rrëfente.

Jam emocionuar, ndier krenar, e jam përlotur, ishte një ndjesi e madhe që më dha. Foli për miqësinë, lidhjen tonë me muzikën artin, kulturën, letërsinë italiane, ato që edhe na formuan.

Një përfaqësim më shumë se dinjitoz, një “uragan”, e tillë ka qenë Alketa atë mbrëmje, një gjetje ideale e medias italiane.

Aq sa edhe Bruno Vespa e ftoi në “Porta a Porta”, emision i njohur i ‘Rai’-t për rëndësinë që ka.

Më pas, interpretimi me Bobi Solon, “Una lacrima sul viso”, ishte vërtet emocionues. Nata e “cover”, duetet nostalgjike të këngëve sentimentale, që kanë bërë historinë, ishte një vlerësim për Alketën.

Në krah me Bobi Solon, kolosin e San Remos, Elvis Preslin italian, dhe “live” nuk është e lehtë, një mrekulli, nuk e prisja.

Ajo këngë ka një histori të rrallë, pasi në natën finale të edicionit 1964, Bobi Solo, i sëmurë nga laringjiti, këndoi në “playback”. Kjo aplikohej për herë të parë në Sanremo. Por rregullorja e festivalit nuk e lejonte dhe ai u skualifikua. “Una lacrima” mbeti unikale për nga popullariteti. Edhe sot e tillë është.

Për një vend si Shqipëria, një adhuruese historike e Sanremos, kjo pjesëmarrje e shqiptarëve dhe suksesi i tyre është me të vërtetë emocionuese apo jo?

Nga Elsa Lila, Klejdi Kadiu, Klaudia Pepa, Ermal Meta, Elhaida Dani, tek Alkteta, të rinj të talentuar, kurajozë, inteligjentë, të aftë të konkurrojnë kudo, me dinjitet e të triumfojnë. Të paktën në një natë, në një event, magjia tyre na ka bashkuar të gjithëve. Jam kundër inateve, mllefeve, urrejtjes.

Ja pse e dua edhe më shumë Alketa Vejsiun, që u ngjit në një skenë aq prestigjioze, ku tregoi e përcolli vlerat tona kombëtare.

I kam ndier në trupin tim, në sytë e mi, ato çfarë ajo tha dhe që emocionoi të gjithë intelektualët shqiptarë, brezin e atyre viteve, i përloti ata. /Vjosa.net

ObserverKult


Lexo edhe:

SHERIF MERDANI U DËNUA TRI HERË- VUAJTI 16 VJET, 1 MUAJ E 8 DITË BURG

Sherif Merdani, u lind më 14.5.1940 në Korçë. Ai ishte këngëtar i njohur i fillimviteve ’70, të cilin diktatura komuniste e dënoi tre herë. Kjo i shkaktoi një vuajtje të egër prej 16 vjetësh, 1 muajsh dhe 8 ditësh.

Sherifi vuajti dënimin në vitet 1973-1976 në Repartin nr.303 Spaç dhe në vitet 1983-1988 në Repartin nr.311 Qafë Bari.

Babai i tij kish qenë i dënuar për arsye politike. Po ashtu edhe në fisin e tij kishte të dënuar për arsye politike.

Në vitin 1967 mbaroi Fakultetin Histori-Filologji, dega histori-gjeografi në Universitetin e Tiranës. Më 1967-1969 dhe 1970-1973 përgjegjës muzike në shtëpinë e kulturës Librazhd. Më 1969-1970 arsimtar në Orenjë. Sherifi u nda nga jeta më 29.8.2021.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult