Rrëfimi i një babai: Pse nuk shkoj më kurrë në Jalë

Kjo ngjarje ka ndodhur verën e kaluar:

Që në fillim dua të them se ne nuk dëshironim të pushonim në Jalë
Megjithëse kemi një standart jetese mbi mesataren, nuk na kanë pëlqyer kurrë vendet ku vaniteti dhe dëshira për të ekspozuar luksin apo kamjen i mbivendosen qetësisë së natyrës, por vecanërisht asaj shpirtërore.

Mirëpo, kemi një djalë në moshën 17 vjeçare, të cilin e tërheqin ambjente si ai i Jalës, më konkretisht zona ku janë vendosur hoteli, klubi dhe mjediset e tjera të njohura si Folie Marine.

Ai shkoi atje diku nga korriku me një grup bashkëmoshatarësh.
Ne e mbërritëm disa ditë më pas. Do udhëtonim së bashku drejt Greqisë ku kishim planifikuar pushimet tona.
Kthyem në Jalë për të marrë djalin dhe për të vijuar së bashku udhëtimin, por përpara se të riniseshim të gjithë bashkë, qëndruam në Jalë për një kafe dhe më pas 1 ose dy orë në një plazh të vogël të mrekullueshëm në fund të gjirit.

Gjatë bisedës me djalin që siç ju thashë po qëndronte aty prej disa ditësh nuk e pata vështirë të dalloja një mërzi që ia njoh.

Ishte i pakënaqur nga sasia e parave që i kisha dhënë me vete, megjithëse nuk ishin pak. Kur e pyeta si i kishte shpenzuar më tregoi që ajo sasi parash nuk mjaftonte për zonën e plazhit të Folie dhe hotelit me të njëjtin emër sepse aty ishte shumë më shtrenjtë.

Unë kam një parim: Dua që fëmijët e mi të provojnë përpara se të refuzojnë ose pranojnë; të krijojnë bindje të vetat përpara se të urdhërohen që duhet të bëjnë këtë apo atë.
Ndaj vendosa diçka: I premtova djalit që kur të ktheheshim nga udhëtimi ynë në Greqi, do qëndronim në hotelin luksoz Folie Marine dhe plazhin e bukur përballë tij.
Më tha që duhej të bënim një prenotim.

Pyetëm në recepsion për mundësitë dhe na thanë që kishin një “dupleks deluks” të lirë për datat 25 dhe 26 gusht, çka përkonte thuajsr perfekt me kthimin tonë nga pushimet.
Çmimi ishte 180 euro nata, gjithsej 360 për dy netë përfshirë mëngjesin dhe shezlingjet në plazhin e Folie përballë.

M’u kërkua të paguaja gjysmën, e pagova. Prita për kupton tatimor ose një dokument prove të pagesës, më thanë që mjaftonte regjistrimi dhe më zgjatën një kartvizitë të hotelit, ku shkruajtën me një stilolaps datat e prenotimit.
Ok, duke mos dashur të ndikoja ngazëllimin e djalit, nuk e zgjata.

Por si për të na paralajmëruar ku ishim futur, ndërsa po paguanim, në hollin e recepsionit hynë me tërsëllëm një djalë dhe dy vajza, djali dukshëm shumë i acaruar.

Gjithë ai luks e ato pagesa stonuan goxha me atë që ndodhi. I riu i acaruar ulëriti pse ia kishin nxjerrë valixhet jashtë. Djali në recepsion i thotë që u kishte kaluar afati i checkout. Prej aty “biseda” u kthye në një sherr të frikshëm për veshët dhe sytë e një njeriu normal ku nuk munguan “të q..rat” e motrave, nënave, etj

Ne u larguam. Ikëm po atë ditë drejt destinacionit tonë.

Nuk do zgjatem në krahasime, sepse qëllimi i këtij rrëfimi është Jala dhe ajo që ndodhi atje; janë shqetësime prindi dhe qytetari që dëshiroj ti ndaj me lexuesin e Ditës, si me ata që kanë patur rastin të shkojnë aty, si me ata që kanë dëgjuar diçka nga mediat, apo edhe me ata që nuk e kanë idenë për çfarë bëhet fjalë.

Në 25 gusht paradite ishim, pra, në Jalë.

Zbritëm nga rruga kryesore nacionale drejt gjirit të njohur, rreth orës 11.00 paradite

E para gjë që më ra në sy ishte që hoteli Folie Marine po vijonte të zgjerohej në lartësi duke mbërritur me beton deri në rrugën që zbret drejt gjirit. Mendimi i parë që më erdhi në kokë duke parë kodrën e mbushur me beton ishte: Edhe kështu dhe të merret fryma.

Gjiri ka një bukuri të rrallë, por është i vogël. Me aq hoteleri sa ofron tani dhe aty të niste stresi nga lëvizja dhe trafiku, sapo zbrisje poshtë. Makinat nuk shkëmbesheshin dot dhe duhej të ecjet mbrapsht. Boriet nuk pushonin. Dyshishimi apo trefishimi i hotelit që është njëhsuar tashmë me gjirin, pra Folie Marine, sigurisht do ta shtojë dyndjen dhe do ta shëmtojë gjirin dhe cilësinë e pushimeve.

Gjithsesi, isha aty për djalin, ndaj i lashë shpejt pas këto mendime dhe kërkova rrugën për në hotelin Folie Marine. “Kërkova rrugën” është pak e ekzagjeruar. Në fakt aty ka vetëm një rrugë. E ngushtë sa, sic ju thashe, ishte e pamundur të shkëmbeheshin dy makina.

Sidoqoftë në një moment arritëm të çajmë derisa përpara na doli një postbllok, një tra ndalës ku të kërkohej emri Mund të vazhdoje drejt gjirit me makinë vetëm nëse kishe prenotuar në Folie Marine.

E kaluam postbllokun e parë, shkuam tek një i dytë, më pas vijuam drejt parkimit të hotelit; djathtas kishim një rresht të parë shtëpizash të veshura me gur dhe lule shumë të bukura, majtas detin dhe plazhin e tejmbushur që shfaqej poshtë.

Parkimi ishte full me makina luksi, mbizotëronte Range dhe Mercedes, një ose dy Ferrari, Hummer etj.

Pashë në pasqyrë djalin në sediljen e pasme të makinës që papritur u shqetësua dhe kërkonte me ngulm kapelen, sepse “nuk mund të dilte jashtë nga makina me ato flokë”.
M’u qesh. Sa kohë ishim në Greqi, nuk i pati asnjë moment prioritet flokët, as veshjen.

Parkuam nën udhëzimet e një postblloku të tretë dhe bëmë një copë rrugë në këmbë drejt recepsionit të hotelit. U thamë që kemi prenotuar, u dhamë emrin, na kërkuan mënyrën si kishim prenotuar, u thamë me lekë në dorë në po të njëjtin sportel.

Rinjoha po atë djalin që kisha kryer pagesën e prenotimit. Me shaka i thashë që ndoshta nuk mbante mend sepse kur prenotuam, u përfshi në një sherr me një klient për valixhet.
Në mënyrë tjetër nuk ia vërtetoja dot, sic thashë nuk më kishin dhënë asnjë kupon, asnjë shenjë provuese të pagesës.

Pasi kërkoi me një vetull të çelur dhe më tjetrën të ngrysur në kompjuterin përballë tij, tha: Ok. Por dupleksi ynë luksoz mund të bëhej gati vetëm në orën 3.

Dolëm në plazh, sepse kishim shumë orë deri atëherë. Rreth nesh, vajza dhe djem përgjithësisht të rinj jo më shumë se 25. Vajzat dukeshin të sapodala nga parukeria, rroba banje seksi (nuk me vjen emri për ato teshat më të holla se gishti), trupa të bukur revistash, disa me taka të larta, megjithëse ishim buzë detit.

Djemtë me bluza ku binin në sy markat e veshjeve të luksit; disa të qetë por shumica me atë ecjen tipike, nuk di nëse dikush e ka vënë re: një lloj lëkundje sa në një këmbë në tjetrën, një tendosje e muskujve të trupit dhe fytyrës si gati për sherr që nuk ua fshehin dot as syzet e shtrenjta. Duken sikur thonë duke u lëkundur: “Edhe unë jam dikushi, nuk më njihni por hmmm…”.

Shumë luks, pak buzëqeshje. Fytyra të zbukuruara, të pastra, të kuruara, por të vrenjtura, shumica duke parë njëri tjetrin dhe të sapombërriturit nga koka te këmbët, ndoshta për t’i vlerësuar nëse ishin “të denjë” për ambjentin.

Plazhi ishte shumë i bukur. Deti i pastër, shezlongjet të rehatshëm. Dy vajza që silleshin vërdallë dhe merreshin me akomodimin e të sapoardhurve në plazh, ishin shumë të sjellshme dhe të gjendura.

U ulëm në shezlongje, na shpjeguan që për klientët e hotelit ishin falas, por vetëm të nesërmen e akomodimit.
Nuk po merrem me çmimet; sikundër mund ta merrni me mend ishin goxha të shtrenjta për standartin shqiptar të jetesës.

Më erdhi për të qeshur duke bërë një krahasim me Lukovën ku ne kemi shkuar disa ditë në verë dy-tre vitet e fundit, ku mund të flije me një pamje të mrekullueshme duke paguar atë që shpenzoje vetëm për shezlongjet në Jalë.

Dy vende të mrekullueshme të rivierës sonë, kaq pranë por kaq të ndryshme.

Përballë ishin një grup djemsh trupmëdhenj, të cilëve u servireshin pa ndërprerje disa shisha që i thithnin shpejt. Edhe këta të vrenjtur që shihnin vëngër vërdallë, a thua se ishin aty për të zgjidhur problemin e pyjeve të Amazonës. Kur çoheshin në këmbë, kujdesishin të fusnin barkun brenda dhe të nxirrnin muskujt në pah duke vështruar pandërprerje rreth e rrotull. Nuk di çfarë shihnin, por vetëm nga deti nuk shihnin. U dallova lehtë sytë e kuq, tipikë pas përdorimit të hashashit.

Pak metra më tej, aty ku bashkohej plazhi me lokalin e plazhit, era e hashashit ishte e fortë. Dukej që po konsumohej edhe në atë orë të drekës, fare hapur. Sic ju thashë, ne duam qetësi. Aty ishte shumë bukur si natyrë, por jo ajo që donim ne. Ndjenim në ajër atë agresivitetin, negativitetin tonë tipik prej ligësisë. Do duhet të shpjegohesha gjatë në këtë pikë dhe mbi këtë ndjesi, por nuk është vendi.

Sidoqoftë nuk ishim rehat dhe lëvizëm prej aty drejt një gjjri të vogël që është pak më tej, por që gjithsesi nuk e mbërrin dot nëse nuk je brenda territorit të rrethuar me postblloqe ndalese të Folie Marine.

Më në fund, na njoftuan se dhoma jonë ishte gati. Morëm çelsin dhe dikush na shoqëroi ato pak metra që ndanin dhomën nga recepsioni. Numri i dhomës, 208, në kat të parë buzë rruge.

Hapëm derën me shumë pritshmëri positive, por sapo u futëm brenda ndjemë një erë të fortë lagështire.
Menduam do ishte ajër i ndenjur, ndoshta nga mungesa e ajrimit.
E lamë derën hapur, duke tentuar të shtynim disa perde të rënda të trasha, pa shije.

Kjo e bëri dhomën krejtësisht “transparente” nga rruga sepse e gjithë pjesa ballore ishte e xhamtë.
Kjo nuk na prishte punë, mjaft të largohej era e rëndë.

Dupleksi ynë ishte në fakt një dhomë e ngushtë por e lartë, pjesa e sipërme e së cilës ishte një platformë druri mbërrihej me disa shkallë të montuara. Kishte një krevat dopio poshtë sapo hyje në dhomë dhe një tjetër sipër në platformë. Nga sipër pamja e detit dhe luleve jashtë ishte e këndshme

Hyra në tualet për të bërë dush.
Por pas erës së rëndë në hyrje, kjo ishte surpriza e dytë e pakëndshme.
Tualeti vinte një erë edhe më të rëndë, që u shtua me hapjen e ujit. Nuk e përcaktoj dot nga vinte, por ishte e padurueshme.

Mu kujtua që në Lukovë një vendas më tha se ndërtimet e pas 90, e marrin ujin të gjitha me puse që i hapin vetë. Mendova, kushedi do jetë prej punës së puseve.

Hoxha një sy rrotull. Pajisjet e tualetit ishin të gjitha nga më të lirat.
Trupi i dushit, pllakat, lavamani, pasqyra, aksesorët, të gjithë mallra nga ato më të lirat e pazareve të rrugës. Edhe koshi i mbeturinave, i prishur, hapja me këmbë nuk punonte dhe pasi e hapa me dorë, ishte e pamundur të mbyllej më.

Gjithsesi, mendova të bëj atë dushin dhe më pas një program ditor që të na mbante sa më shumë orë larg dhomës.

Por… Mbërriti surpriza e tretë. Pa arritur as të shkumoja kokën, uji i dushit mbushi banjon, dhe doli me shpejtësi në dhomë, duke u futur poshtë dollapit, tavolinës, minibarit.
Ishte e pamundur të vijoja të lahesha.

Thirra recepsionin dhe i shpjegova çfarë po ndodhte. Pas disa minutash erdhi një hidraulik dhe një pastruese.
U mërzitëm pak. Ndërkohë ajo era e rëndë nuk ikte. Mjaftonte të dilje pak minuta jashtë dhe pastaj të rifuteshe në dhomë që ta ndjeje.

Pas largimit të hidraulikut dhe pastruses, bëmë një bisedë të shpejtë familjare; u konsultuam nëse duhej të rrinim dy ditë apo ta anulonim ditën e dytë të prenotimit. E shtymë për më vonë vendimin.

Deti dhe plazhi na pëlqyen aq shumë sa menduam të bënim një sy qorr për “deluksin tonë” 360 eurosh të mbushur me lagështirë.

Dolëm sërish në plazh dhe shijuam detin e mrekullueshëm.
Në darkë pamë ndeshjen e Barcelonës në verandën buzë rrugës jashtë dhomës dhe rreth 23.30 menduam të flinim.

Por, hmm. Nga dhoma ngjitur vinin të gjitha zhurmat e mundshme. Izolimi zero. Fëmijët e dhomës ngjitur luanin hapa dollapa, përplaseshin në mure, thërrisnin, gjithcka dukej sikur ishte brenda “deluksit” tonë.

Pritëm më durim që të pushonin, por u desh ca kohë. Gjithsesi vendosëm që përfundimisht nuk do rrinim edhe një ditë tjetër aty.

Të nesërmen u zgjuam shpejt, pasi e kishim lënë derën thuajse hapur sepse ajo era e lagështirës nuk shqitej. Nuk di nëse ishte problem vetëm i “deluksit” tonë apo dhe i “delukseve” të tjerë, por edhe derën e dhomës ngjitur e pashë gjysëm të hapur.

Sidoqoftë, mblodhëm valixhet i futëm në makinë.

Shkova te recepsioni, u thashë që do largohesha. U përmblodha pamundësinë për të fjetur në një dhomë që qelbej erë, dhe ku asgjë nuk përputhej me standartin që diktonte çmimi. Nuk u dukën të shqetësuar nga vërejtjet e mia, pata përshtypjen që i kishin dëgjuar edhe më herët.

Kërkuan vetëm kohë për të bërë një kontroll të minibarit, erdhën dhe më njoftuan sa kisha konsumuar nga minibari. Pagova. Sërish asnjë kupon tatimor.

Ikëm por nuk jam i sigurtë nëse djali nuk do dojë të rikthehet atje verën tjetër.

Unë për vete, kurrë./gazetadita