Rrëfimi i një nëne që nuk di se ku e ka djalin e zhdukur: M’ka ardhë zani i tij, m’ka thirrë nanë…

Reshati, djali më i vogël i familjes Qerkini nga Mitrovica, kur intensifikohen terroret e pushtetit serb më 1998 nëpër zonën e Drenicës, përfshihet në mbrojtje të vendit dhe fillon të mungojë shpesh nga shtëpia, duke u kthyer ndonjëherë shkurt dhe kryesisht në orë të vona të natës sa për të marrë rroba të reja. Veprimtaritë dhe vendndodhjet e Reshatit mbeten të mistershme për nënën e tij, Fatimen, e cila kujton vendosmërinë e të birit që e merrte si përgjigje për mungesat nga shtëpia: “Ku t’jonë krejt, edhe unë kom me konë. E ku t’desin tjerët, edhe unë kom me dekë. Se unë me nejtë e rinia m’u mytë, nuk ban”.

Fatime Qerkini: Rrëfimi në vetën e parë

Unë vij prej fshatit Rudnik. Emnin e kom Fatime po Nime m’thirrin. Edhe nuset, edhe fëmija, edhe nipat. Krejt Nime m’thirrin. Si vajzë, shumë mirë kom kalu. Në pesëdhetë robë jam rritë. Familja e madhe, po e shkollume. Nejse, kushtet jonë konë qysh jonë konë, po kënaqësi e madhe o konë, se babëgjyshin e kom pasë me tetë djel e tetë çika. Shumë mirë o konë atëherë. Kur i kom pasë dy vjet, për mos m’u prishë miqësia, burri jem Bajrami e ka pasë hallën e vet për mixhë temin, e kur halla ndërroi jetë, më dhanë mu për tà. Dy vjeçe jom konë kur jonë pajtu familjet, e 17-vjeçe masanej jom martu.

Në shkollë jam shku. Po, s’kom mujtë me kry as tetëvjeçaren. Edhe me burrin Bajramin mirë shumë kom kalu. Kur jena martu, kena pasë darsëm të mirë. Edhe kanagjegj kom bo. Bajrami, para se me u martu na, n’Obri ka jetu si familje, e baba i Bajramit ka kalu këtu në Mitrovicë. Unë kom rrnu edhe n’Rudnik, po t’shumtën n’Mitrovicë. Mirë kom kalu edhe këtu. Njerëz të shpisë i kom pasë dy vjehrrijtë, kunetë, kunata. Kom kalu mirë, ma e madhja jom konë.

Bajrami ka punu n’fabrikë t’akumulatorave. Kè kismet, puna ia dha ni banesë edhe kaluem n’banesë. Tridhetë e gjashtë vjet kena rrnu n’pjesën veriore. Banesën e kena pasë te SUP-i (stacioni policor). Letërnjoftimat ku jonë marrë, qaty banesat e para që jonë maru n’Mitrovicë, na e kena pasë. Edhe atje mirë kena kalu. Me kojshi mirë jena shku, si robët e ni shpie jena konë me ta, kurrë ni t’keqe s’e kena pasë. Qatje i kom rritë katër fëmijë. Çikën Zahidën, masanej djemtë, Musën, Isën edhe djalin ma të vogël Reshatin.

Çika, Zahidja, osht e martume n’Dibër. Ni djalë e ni çikë i ka. Musa e ka pasë kry shkollën, o konë do kohë n’punë n’Zveçan. Po, kur nisën m’i qitë prej pune krejt, jonë konë shku atje e i kanë njekë me stupca. Ai o ikë e o ardhë n’banesë. Kur erdh atë ditë, tha: “Vallahi, na qitën milicia pi pune”. Musa tash n’Holandë osht. Dy vajza i ka. Mirë osht. Edhe Isa o konë n’Holandë. I kanë le djalë e çikë n’Holandë.

E Reshati në kohë të luftës këtu o konë. Po, nuk nxike vend kurrkun. Dilke, hike, dilke, hike. Mas do ditësh i thashë: “Reshat, diçka nuk je mirë. Ku po rrin kur po del?” Tha: “Me do shokë qeshtu”. Thashë: “Nanës, n’luftë shokë nuk ka”. Tha: “Jo, vallahi i kom gjetë do shokë”. Thashë: “Po, ti i ki shokët. I ke pasë, po ni shok, dy, s’ke pasë ma tepër”. Tha: “Jo Nime, i kom gjetë edhe do”.

E merrsha me t’mirë, se s’kallxojke ai. Gjithë ditën dilke. Kah shkojke, nuk e dijsha. I thojsha: “Reshat, gjithë ditën me shokë s’rrihet”. E kena pasë ni bashçe te Ibri. Bajrami masi ish pensionu kish qef me dalë qatje kapak, e shkojshim. I thom djalit: “Reshat, baba yt po m’vet: ‘Qeky djalë ku po rrin?’ e unë duhna me ia kthy ni përgjegje”. Kurrë s’më kallxojke, deri dikur m’tha burri: ”Merre me t’mirë e t’kallxon ku po shkon”.

I thashë: ”Ungju qety, edhe kallxomë ku je kah shkon e çka po bon”. Tha: “Kqyr Nime çka po t’thom: ku jonë të tonë qeta që po myten, edhe unë jom”. I thashë: “Mos more Reshat, more nanë”. M’tha: “Krejt t’nanave jonë.” E veta: “Ku je kanë pramë?’ Tha: “N’Prekaz, jena munu me do shokë me shku n’Lubavec, e na kanë dalë përpara, s’kena mujtë me shku”. M’tha: “Ku jonë të tonë, edhe unë kam me konë”. I thashë: “Reshat, djali jem, unë po tutna. Kqyri milicët qysh na kanë rretheku”. Krejt pjesa veriore jena konë me milicë t’rrethekum. Po ai qashtu shkojke. Ish dalë ni ditë, ish konë n’katunin Bare. Tha: “Na kanë dalë n’pritë n’Bare, po ju ikëm diqysh”.

Kur u ba lufta n’Reçak, jena konë tu kqyrë televizor edhe ia ka nisë me kajtë. Të tre kajshim, edhe unë e Bajrami. E u çu, duel n’kuzhinë, tha: “Kqyr qysh jonë mytë të tonë këta, e unë veç po rri këtu”. Kurrë rahat nuk u bojke. Veç tu shku gjithkah. O konë n’Shqipni, tri ditë ka nejtë. Atje, a kanë marrë armë me i çu kujt, a çka kanë bo, nuk e di. E ka zatetë Nexhmedin Spahiun. Se kusheri e kom.

O dalë Bajrami me shku me falë xhumanë. Kur o dalë, krejt ish mushë para derës tonë me milicë. E kanë marrë Bajramin, e kanë çu n’SUP. Qetu e kena pasë, përskaj. S’disha pse, as ai s’e dike. Edhe e kanë marrë n’pyetje Bajramin. E nuk shkoi hiç vonë kur i ranë ziles. Plot shkije para dere. Thanë Reshatin jonë ardhë me marrë. Thashë: “Nuk osht n’shpi”. Tha njoni: “Po ai iu ka bashkangjitë UÇK-së”. Qaty kom folë, as s’jam tutë hiç, thashë: “Na shqiptarë jena. Krejt Dudikërshi me UÇK osht”. E jonë zhdjergë teposhtë shkallëve.

S’u vonu, erdh Reshati e tha: “Nime, ku o bali?” I thashë: “Oj nanë, erdhën e muerën, e po t’lypin edhe ty”. Reshati masanej o shku vetë n’SUP, kur e muer vesh që ia kanë marrë babën. Bajramin e kishin vetë për UÇK-në, për luftë, edhe kishin nisë me i ra. Ka shku për me mbrojtë babën e vet. Tani e kanë lëshu Bajramin. Tani Reshatin, tu e vetë: “Ti a je UÇK?”. Se noshta e kanë pa.

Bajrami, kur u kthy n’shpi, kallxoi çka e kishin vetë: “A jeni UÇK? A punoni për UÇK?” Nëpër kamë kish pasë sheja, tjetërkund s’kom mujtë me pa, se as Bajrami s’kallxojke. Po n’kamë ka pasë, prej gjunit e teposhtë.

Bajramin boll e kanë majtë para se me shku Reshati aty. Tani Reshatin e majshin. Po edhe Reshatin e kanë rrehë. Po Reshatin ke mujtë me mytë, po me kallxu s’ka kallxu send kurrë. Po nuk e shtinën n’burg. N’stacion e majtën, masandej dikur kur e lëshuen, erdh këtu, po ma prej asaj dite kurrë djali n’shpi s’ka nejtë.

Edhe ma përpara, ani pse s’kallxojke, m’i lypke do tesha t’dimnit. Ish verë, e m’thojke: “Po m’dhem shpina, gjojma ni jakne”. Ia gjeta jaknen. Duel, deri në nontë t’natës nuk o kthy ma. Sa erdh, tha: “Shkova, se po m’presin do shokë.” I thashë: ”Po veç sa erdhe oj nanë” Tha: “Po shkoj, e menirend kthehna”.

Ni natë e kish marrë ni kimik edhe ni letër. Erdh shumë vonë. Unë ia lejsha derën çelë. E kish shkru n’letër: “Unë kam me ndjekë rrugën e Babës Sadik.” Baba Sadik o konë gjyshi i Bajramit, edhe ai i zhdukun pi vitit 1945, mas Luftës së Dytë Botnore.

U çova unë. Ai s’ish ra hiç. E bona mëngjesin. Shkova n’dhomë tij, me thirrë me hongër. Kur hi, letra mbi jastëk. Ai s’osht aty. E marr atë letër, ia kallxoj Bajramit. Tha: “Haj medet, me ardhë me na hallakatë, e me na e gjetë këtë letër”. Se vishin na hallakatshin. E kom marrë, jam tutë për Bajramin, se për veti jo, e kom shti n’shporet, edhe e kom kallë.

Image

Reshati nuk erdh atë natë, as t’nesrit gjithë ditën, tek masnesrit o ardhë. N’qoshe t’dritares rrisha, kur p’e shoh, qe kah po vjen. Kur erdh, thashë: “Po ku je more Reshat, moj nanë?”. Qetë fjalë gjithë ma ka thanë: “Ku t’jonë të tonë, edhe unë. Ku t’mytën të tonë, edhe unë”. Nejti nja dy ditë, edhe duel prapë. Nuk e kom pa çka ka marrë, po kish marrë maica, çorape, brekë. Edhe këpucat e dimnit. Dilke, shkojke, a po don n’Prekaz, a po don n’Lubovec, n’Barë, shpirti i tij e din kah o konë krejt. Me marrë me t’mirë, m’kallxojke.

Ni ditë m’tha baba i vet: “Thuej Reshatit, kur t’çohet le t’vjen n’bashçe. Hajdeni bashkë me vaditë.” Ku m’i thanë, që Reshati nuk ish n’shpi hiç, po ia bona “ani”. E unë qashtu, t’u mërzitë si nanë, kur erdh Reshati. I thashë: “Qe dy muej ditë po dojnë m’u ba e asni pikë ujë me pi n’shpi qysh duhet, as bukë kurrë mirë pa hangër. Atë letër qi e ke lanë mbi jastëk, çka ke shkru ashtu?” Tha: “Edhe unë kam me shku si Baba Sadik. Se krejt t’nanave jonë”. Hangri bukë ai, e mu m’thirri n’telefon nji kunatë që e kam këtu afër, tha: “Allahile, qysh osht situata atje? A po tuteni?” Thashë: “S’po tutna për veti, po për Bajramin edhe për djalin”. Tha: “Hajdeni moj dilni knej”. “Jo valla, qetu n’shpi po rrimë”, i thashë. M’i thanë qi as djalin s’e kom n’shpi kurrë. Ai e hangri qatá bukë edhe u vesh. Tha: “Gjomi teshat ma t’mirat ku i kom”. Thashë: “Krejt vjerrë i ki, çka t’duesh vesh. Veç kallxomë ku don me shku”. Tha: “T’kom kallxu niherë. Ku t’desin të tonë, edhe unë kom me dekë, edhe ku t’jonë krejt, edhe unë kom me konë. Se unë me nejtë këtu e krejt rinia m’u mytë, nuk ban ashtu”. Thashë: “Qysh t’duesh ti bania!”.

O ardhë qatë ditë, katër herë o ndërru. U veshke, u deshke, u veshke. Teshat ma t’mira qi ia çojshin vllaznia e vet pi jashtit i merrke. Thashë: “Reshat, ka thanë baba yt me shku me vaditë n’bashçe”. Kurrë jo s’ka thanë për kurrgjo. Tha: “Po ka me ra ni shi që toka s’ka me majtë”. Thashë: “Ra, s’ra shi, ti hajde.” “Vij”, tha. Ai duel, unë mora me shku n’bashçe. E kena pasë ni djalë kojshi n’katin e parë, lypi m’e ardhë me mu. Tue shku te bashçja, Reshati vetë i dyti ish konë te “Kivi”. I thashë: “Reshat, djali jem, hajde”. Tha: “Vij, veç ta blej ni lang, e pini me balin e me tetën Valbonë, se vij”. E mora atë lang. Shkuem. Prit Reshatin, s’po vjen.

E çoi Zoti shiun. E kena pasë maru ni strehë, sa me mos me na lagë shiu, edhe hinëm aty. Deri n’9 t’natës nejtëm aty. Po ai nuk erdh. Unë u tutsha, thojsha mos po na vijnë milicët. U kthyem n’banesë, e kur u ba 9 e gjysë, Bajrami ra, tha: “More Reshati u vonu”. I thashë: “Vjen qetash, se ai gjithë vjen.”

Mu m’kish kllapitë gjumi. Derën çelë e lashë. Kur u çova dikur, ai ish konë ungjun n’dhomë t’vet. I thom: “Kqyre ora ni e natës. Ku je deri tash?” Tha: “Ku jonë të tonë, edhe unë kom me konë. Ti mos u mërzit, nana jeme”. E përmeni Prekazin, e Lubovecin, e përmeni Baren, të tona këto katune. I thashë: ”E çka po lyp ti asajde që po shkon?” Tha: “Po shkoj qeshtu.” Edhe ish veshë krejt, tha: “A po m’i gjon qato trenerka qi m’i ka pru Isa prej Holande?” Edhe i lypi kundrat e dimnit, edhe ni jakne qi ia ka pasë çu Isa. Tha: “Po dal me do shokë, e kthehna ma vonë.” U vesh, u math, m’tha: “Mshele derën, bir flej, se s’vonohna”. Po, ku mujsha m’u rahatu unë. Ai duel. I thashë: “Reshat, mos u vono se ora ni e natës”. Bile i thashë: “Noshta, oj nanë, plot milicë osht, e si t’dilsh t’nxajnë.” “Le t’më nxanë – tha – boll jonë tu i mytë, le t’më nxanë! Bir ti, e mshele derën, se s’vonohna”. Thashë: “E qysh me mshelë oj nanë, ora ni e ti n’sokak. Po ta la derën çelë”. “Ani, qysh të dush ti”, m’tha e duel. Qeto jonë konë fjalët e fundit të ti.

Me pasë ditë që s’e shoh mo n’jetë, kisha metë tu kqyrë deri t’ish ardhë n’fund t’shkallëve. E kom pritë deri n’orën 4. Gjumë nuk kom pasë n’sy. Jom çu n’orën 4, ia kom çelë derën e dhomës me pa, po nuk ish ardhë. Se ai zakonisht kur vike, këpucat a nuk i lejke n’vend të vet, po para dhome i dathke. Po atë natë, prit, s’ka, prit, s’ka. Kur u ba sabah, i thom Bajramit që Reshati nuk o ardhë n’shpi hiç. Tha: “Hajli koftë, vjen mas ni kohe”. I thashë: “Po vjen e po del, e po tutna”. Bajrami m’tha: ”S’ki çka m’u tutë, se vjen.” E t’u mërzita. Tepër. Thashë me veti, ky kurrë nuk u rahatu; qe dy muej, trupi i tij kurrë rahat. A s’ka flejtë qysh duhet, as hangër, as pi, as s’o konë i qetësum. Veç m’thojke: “Ku t’jonë të tonë, jom edhe unë. Si t’desin të tonë, edhe unë kom me dekë. Kjo Kosovë osht vendi jonë”.

E mërkurë o konë ajo natë. Tjetërsend n’dynja ma për tà nuk dijna. As s’ka shok që del e fol për tà, me thanë që e ka pa kund. Kurrkush. Edhe masanej krejt çka jonë konë ata banorë asajde, vetshin për tà: “Nuk p’e shohim bre Reshatin.” I rrejsha, thojsha o shku me do shokë ku shkojnë me shatora atje.

Kur u kry lufta, atë ditë qi ka hi NATO-ja, t’nesrit jena ardhë na prej Dibre. Se nejtëm n’Dibër, çikën ku e kom. Na kanë pru me autobus të tonëve. Jena ardhë me pleqtë. Çfarë dite e çfarë date o konë, nuk di me kallxu.

Si erdhëm, shkuem te baba i Bajramit. Masanej jena shku n’banesë. Kur u nisëm, ishin ba barikada. As s’e njihsha asnjanin, edhe pse qatje 36 vjet kom rrnu, te SUP-i. E p’i thojnë Bajramit te ura: “Nuk bon ti, veç gruja”. Bajrami u nxe pak, e ia nisi… Po, ia shkela kamën. M’tha: “A tutesh?” Thashë: “Jo”. Kadaldalë jam shku te banesa nalt n’veri, kish pasë plot asi me shamia rrugës.

Kur jom hi n’hymje, u nijke “bam bum”. Po hiç nuk u tuta. U përplasshin dyert se fryjke. Dul Nisada Čalaković m’tha: “Pse je ardhë?” Thashë: “Pata qef me pa banesën.” Tha: “Po s’ki çka sheh.” Thashë: “Sado-kudo, a o mbetë najkun naj bllok”. Tha: “O metë, po mërzitesh”. Thashë: “Ja-a, nuk mërzitna”. Jam ngjitë, jam hi. Krejt mallteri i kish ra qysh o kallë, edhe ish ba banesa kërsh. Jam shku, i kom kqyrë dokumentat e banesës. S’ishin prekë. I kom marrë, i kom shti n’çantë. Edhe ni çek t’pensionit t’Bajramit në tokë e kom gjetë. E do fotografi çka i gjeta, i mora, e jam dalë. Jom kthy te baba n’banesë. Baba rahmetlija m’tha: “Kah erdhe moj bijë?” I thashë: “Pata qef, erdha, po krejt për toke babë, se e kanë kallë!”. Tha: “A u mërzite?”. Thashë: “Jo”. Po zemra jeme e din, se qaty kom rrnu tridhetë e gjashtë vjet, edhe m’u dokke që mos po m’sheh Reshati dikah. Kur dola te ura, Bajrami m’vetke a ish lujtë banesa. Thashë: “Bajram, krejt ish e shkatërrume”.

Nesrit në pesë të sabahit jena çu. Prapë qashtu, te ura na thanë: “Gruja bon, ti s’bon”. Tha Bajrami: “A tutesh?” Thashë: “T’kom thonë niherë qi nuk tutna”. Jom shku edhe thashë noshta unë nuk dal ma knej. Ish ni Sejdi Sulejmani aty, m’tha: “Ku rrin?” Thashë: ”N’banesë.” “Qysh more n’banesë?”. Thashë: “N’banesë”. Edhe nuk jam dalë pesë ditë ma knej hiç. E kom hjekë krejt llomin, deri te ballkoni qi ish ardhë aja. E shkatërrume krejt. Kom hjekë krejt çka kom mujtë. Edhe kom flejtë qaty. Edhe vike ni plakë nalt qi o konë, Koka u thirrke, m’thojke: ”Mos u tut”. Thojsha: “Nuk tutna”. Edhe e vërtetë osht që s’jam tutë. Se krejt mendtë i kisha te djali.

Masi jena ardhë, dy vjet mas lufte kom nejtë n’pjesën veriore. Asni shqiptar s’o konë aty. Veç unë edhe Bajrami. Kurrë s’jom tutë, Bajrami kurrë s’o dalë. Na e ndreqën banesën. Jarabi, Zoti i pagoftë, se s’kishim pasë ku me nejtë. Bajrami s’dojke, ama n’sokak s’rrihet, niqind mërzi m’i pasë, tybe n’sokak s’rrihet.

Erdhën ni aksham, tre vetë. Civilë ishin konë. S’dita për çka jonë ardhë. Ja u çela derën, hinën mrena. E kom ditë sërbishten, po kurrë s’e kom folë n’jetë teme. As ‘dobardan’ as ‘dobroveçe’, hiç s’kom dashtë. E, p’i thojnë Bajramit: “Nesër, John Kennedy osht n’tapetë”. Veç tapetën s’e merrsha vesh çka osht n’serbisht. Kujtova këto tapetat që i ngjitshim këtyneherë në mure. Po fol Bajrami me ta e po i thojnë: “Edhe ti, edhe gruja jote po m’dhimeni se n’tapetë jeni edhe ju”. Bajrami qaty ju bërtiti: “Dilni prej banesës, se banesa jeme osht”. Unë shqip ju thashë: “Kush guxon me prekë qetë derë, le t’vjen, po prej shpisë teme s’kom ku shkoj”. Dy vjet vallahi qatje kena nejtë, derisa erdh përnime urdhni. Se krejt çka jonë gri, qatje janë konë. Te garazha jonë, krejt jonë pre, jonë gri qatje, në mahallë të boshnjakëve. Masakër kanë ba. Qaty sa kusherijtë m’u kanë mytë, o Zot. Krejt qatje jena konë.

Ka përmi dhetë vjet që Bajrami del me kqyrë për punën e Reshatit. Edhe nuk del veç për djalë t’vetin. Për krejt çka jonë pa gjetë hala. Edhe në televizor ka dalë, në krejt mediat, o deklaru: “Veç për djalin tem nuk dal. Për t’gjithë dal”. Po hala kurrkush s’na ka thanë kurrgjo, as s’o ardhë me na vetë gjo. Veç Bajrami që del qeshtu.

E mu si nanë… dy herë m’ka ndodhë, qetu ku jom, veç vetë isha, e ulun. M’ka ardhë zani i tij, m’ka thirrë “Nimeee!”. Jom çu, e kom çelë dritaren, s’ka. E kom lanë dritaren çelë, jam ulë. M’ka ardhë zani i tij prapë, sa ka mujtë, m’ka thirrë “Nime!” Prapë jom çu. Qeto m’kanë ndodhë dy herë n’qetë shpi t’gëzume ku jena. Ah, unë, nana, kah s’i çoj mendtë. Thashë noshta osht najkun jashtë, çka po di! Kam qef me dalë dikun n’mal. Vetë, veç vetë, edhe me britë sa t’muj: “Reshaaat”!

Image

Si fëmijë, o konë i dashtun, shumë i dhimbshëm, i qetë, ka pasë qef me ba muhabet, as s’ka pasë qef kurrë me nie për korrkon keq kah folë kush. Kurrë. N’shkollë ka shku, e ka kry shkollën e mesme teknike. Ka mësu mirë, o konë nxanës i sjellshëm, kurrë ni vërejtje nuk e kena pasë si prindë kur jena shku n’mledhje t’prindëve, ose unë kur jom shku n’shkollë. Edhe krejt atyne kojshive, kur vike qi jau gjejke çelësat nëpër brava, u cingrratke n’zile me ju kallxu qi e kanë harru çelësin në bravë përjashta. Sa jonë konë të tre djemtë këtu, para se me u shpënda, të tre kanë punu me cigare. Shkojshin, merrshin, blejshin, punojshin. I kanë pasë rrehë sa kanë mujtë qetu te Feriqi. Kish qef jashtë me dalë, me punu jashtë.

Prej që u ba me ditë, ma të gëzuem Reshatin s’e kom pa asniherë, sesa atë ditë kur pat lindë Aidi, nipi i vet. Na thirrën n’telefon, na kallxun: ”Isa ka djalë”. E i kallxova. Nisi me kajtë, sa mujke kajke prej gëzimit. M’tha: “Qaq u gëzova, as me mend s’mundesh me marrë, se du me t’thanë diçka”. As anëtarët e familjes teme nuk e dinë çka m’ka pasë thanë ai, e sot po e thom qetu. Tha: “Jo që e kom Isën vëlla, po e kom pasë babë e nanë e motër e vëlla, gjithçka n’jetë Isën e kom pasë”. M’lypi a kom pare me i dhonë, kish qef me dalë atë natë me festu me shokë. Me lotë n’sy pi gëzimit derisa o dalë prej hymjes, e kom përcjellë unë shkallëve. Gëzimi ma i madh që e ka pasë osht ku ka lindë Aidi.

Po kurrë nuk guxoj m’i shti mendtë… Ajo osht e mirëseardhun për Kosovë, në koftë qi e ka dhanë jetën për këtë vend. Noshta unë e kam gabim si nanë, se nana me e pa evladin kurrë s’ngihet. Veç krejt jonë shku për qetë Kosovë t’lirë. Të tonë. Edhe jarabi, shyqyr që jonë çliru të tonë. Po osht mirë mos m’i keqpërdorë këto njeri. Shumë mirë osht m’i vlerësu qatá që jonë shku. Me ditë se kjo tokë hala me gjak e lame osht. Po kon e ka pa syni i Zotit, shyqyr që ka pshtu.

Kurrgjo nuk du hiç prej kujt, veç ni fjalë t’mirë e due. Dëshira jeme ma e madhja ymër sa t’kom, osht me pasë ni mirëkuptim, ma së pari n’familje teme. Familja osht e shejtë. Çdo sen n’botë qi munohet me luhatë familjen e me ndërhy osht gabim i madh. Nashta tona i ki, e komplet je me familje, po kurrë nuk ki mirëkuptim. Për mu ato jonë krejt t’kota. Qata çka jonë metë gjallë, me pasë ni mirëkuptim mes veti. Oh veç ni fjalë të mirë me e thanë more.

Si Bajrami edhe unë jom dalë kaniherë, bashkë me familje, po kurrë nuk muj me folë. Falimnerës prej atyne n’Prishtinë, Hashim Thaçi, Isa Mustafa, Hajredin Kuçi, jonë dalë, kanë folë me ne, na kanë dhanë shpresa. Isa Mustafën nuk e kom taku, po n’televizor p’i përmend të zhdukunit. Mue si nanë, mendtë kurrë s’më hiqen prej djalit, po nuk muj korrkon me e rondu me kurrgjo, se ni gjysë fjale mos m’u përshtatë, unë bi në nivel shumë t’keq. Edhe ata noshta kanë qef, se kush ka fëmijë, beson. Po noshta edhe ata, sa kanë mundësi aq bajnë. Unë e besoj qatà.

Për fund, publikisht p’e thom pi zemrës, qe 19 vjet a sa u bonë, nuk di djalin ku e kam. E din Zoti. Veç, juve ju falemnderës shumë. Çka lypshi prej Zotit ju dhashtë. Keni ba mirë që keni ardhë në këtë familje. Se nuk ka minut që s’më bjen n’mend për evlad, veç kur t’bi me fjetë e kur t’i pij qata hapa qetësues. Vallahi sikur me m’u këputë ni copë trupi. Po ku t’jonë qata krejt t’nanave, edhe djali jem qaty osht. Tana nana si unë jonë. Tana m’dhimen. Kam qef, edhe pse s’i njoh hiç, edhe me to me nejtë, me folë. Se, biseda osht shumë e mirë. N’përgjithësi, ma kuptojnë dhimbtën e nanës. Edhe familja ka dhimbtë, po si nana jo.

Bajrami kurrë s’nalet. Shkon n’shtatë, vjen n’shtatë. Prejse nuk di djalin ku e kam, qetë punë Bajrami e bon. N’jetën teme si nafakë qe 60 vjet jam me tà. Hala n’jetën teme unë Bajramin s’e kom vetë, as s’e kom mërzitë për punët e ti. Çka i boj bisedë unë: “A je lodhë? Qysh i ke punët?”. Ma gjatë te unë s’ka. N’jetën teme emnin nuk ia kom përmendë Reshatit n’prezencën e burrit. Me e mërzitë unë? Kurrë. As kurrë nuk ma ka pa çehren t’mërzitun. Kurrë. As s’ia kom prishë kujt darsmën, as gëzimin, as idhnimin, as s’ia prishi kujt. Hiç kurrkujt nuk ia prishi unë qetësinë kurrë. Kanë kcye, kanë lujtë. Pasha Zotin gëzohna. Jarabi shyqyr që jonë. I dhashtë Zoti gjithkujna. Shumë ruhna, se n’fatkeqësi njeri gabon. Po, mi të gjitha, thom: “Oh Zot, çomë sabër e mos t’koritna se jam ardhë n’prag t’dekës”. Se kam me dalë para t’madhit Zot. A shërohet kjo zemër? Jo, derisa t’palohna edhe vetë. N’jetë teme s’më kanë pa fëmija lotë; as nipat. Po nuk di a osht në naj odë, a osht n’zinxhirë, a n’zjerm najkun tu vujtë. Nuk di ku osht. Nana krejt i menon këto, krejt n’zemër i ka.

(Ky rrëfim është pjesë e “Të jetosh me kujtimet e të pagjeturve: Libër kujtimi me rrëfime të familjarëve të personave të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë”, të realizuar nga forumi ZFD programi në Kosovë dhe Integra, në bashkëpunim me Qendrën Burimore për Persona të Pagjetur, me mbështetje nga Ministria Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ), Rockefeller Brothers Fund dhe Ambasada Zvicerane në Kosovë)