“Rrugët janë të zeza…” poezia që dërgoi në burg Fatos Lubonjën

Disa poezi të gjetura në shënimet e Fatos Lubonjës janë cilësuar me frymë armiqësore ndaj regjimit komunist. Eksperti Thimi Bare ka bërë gjithë analizën e poezive dhe i quan me frymë pesimiste.

Më poshtë faksimile e plotë dhe disa pjesë të ekspertizës:

Pjesë nga aktekspertimi i hetuesit Thimi Bare: 

Unë, Thimi Bare, Nga studimi që I bëra bllokut të vitit 1969 të të pandehurit Fatos Lubonja, konstatova se: ai në këtë bllok ka shkruar poezi ku mbizotëron termi: e zezë vetmia; vdekja, pesimizmi, çoroditja etj.  Tipike është se kur shkruan për poezinë, ndër të tjera thotë:

Çështë poezia!

Rrugët janë të zeza

Natën

Njerëzit janë të zinjë

Natën

Atje kur ska dritë

E zeza nuk duket

KONKLUZION

Për mendimin tim tërë shkrimet në poezi të këtij blloku janë shkruar me një frymë të theksuar armiqësore, ku gjithçka e errëson, gjithçka i bëhet vdekje. Citimet e sipërme janë disa nga ato që e spikatin këtë theks armiqësor të të pandehurit Fatos Lubonja.

DOKUMENTAT

Fatos Lubonja ka treguar tek “Të Paekspozuarit” se si iu kapën shënimet e tij personale të cilat e çuan drejt burgut disa vjeçar. Ai tregon momentet kur është shoqëruar në hetuesi, ku ka kuptuar se ata që po e merrnin në pyetje, kishin në dorë shkrimet e tij. Lubonja tregon se këto materiale, ishin gjetur në shtëpinë e tyre të vjetër, një banesë me qerpiç.

 “Materialet ishin gjetur në shtëpinë tonë të vjetër, shtëpi me qerpiç. Ata kur më pyetën mua i dinin pikëpamjet e mia, se i kishin lexuar atje. Gjetën edhe armë, ishin të babait. Ishin pa leje. Në atë moment ata filluan të lexonit shkrimet e mia, dhe po më pyesnin pse i ke shkuar, kur i ke shkruar, dhe pastaj më çuan direkt në birucë. Pas arrestimit, filloi hetuesia që zgjati 7 muaj. Kam qëndruar në birucë” tregon ai.

A jeni torturuar?

“Çështja e torturës është shumë komplekse. Tortura e parë është izolimi total. Presioni psikologjik i një shteti që tani është mbi ty, dhe kërkon të të lëshojë gjithë peshën e vet. Kjo është një torturë që vjen e bashkëngjitet me atë që ti di, atë që ti kë dëgjuar më shumë. Ti di që po u fute në këtë terr nuk dihet a del gjallë apo jo. Je në duar të këtyre njerëzve. Qëndrova 7 muaj në birucë në Tiranë. Gjatë kësaj kohe ishte arrestuar edhe xhaxhai”, rrëfen Lubonja.

Më poshte faksimile e fotos së sigurimit të shtetit:

Fotografia nr. 1 – Tregon murin mbi tavanin e banesës së Llazar Lubonjës, ku brenda ishin fshehur dokumentet e të pandehurit Todi Lubonjës.

Fotografia nr. 2 – Tregon murin e hapur, ku brenda shihet një qese najloni “plasma-s” i bardhë.

Fotografia nr. 3 – Tregon qese plasmasi me dokumenta të të pandehurit Todi Lobonjës.

Eksperti kriminalistik Kapelon Koka.

Neshat Tozaj në akt ekspertizën e tij kundër Fatos Lubonja i ka cilësuar shënimet si një model të përsosur të një vepre dekadente.

Kjo ekspertizë ishte një justifikim i mirë për organet e sigurimit të shtetit për të burgosur Fatos Lubonjën si njeri anti regjim dhe armiqësor. Tek “Të Paekspozuarit”, Fatos Lubonja ka deklaruar se shënimet e tij ishin të fshehura, kishte romane, poezi dhe blloqe të fshehura si ditar.

Më poshtë faksimile e plotë e ekspertizës së Neshat Tozajt për shënimet e Fatos Lubonjës:

Më poshtë pjesë të zbardhura nga aktekspertiza:

Unë Neshat Tozaj, i ngarkuar nga Dega e Hetuesisë së Drejtorisë së Punëve të Brendshme Tiranë, me vendimin e hetuesit Koço Josifi për të kryer eksperimentimin ideoartistik të shënimeve letrare që i janë gjetur të pandehurit Fatos Todi Lubonja, të cilët janë shkruar në dy blloqe.

I gjithë subjekti i këtyre shënimeve është pa fillim, pa kulm, pa zgjidhje, pa fund, një model i përsosur vepre dekadente.

Manifestimet popullore dhe stërvitjet ushtarake të popullit, autori e shikon si moment çmendurie, psikopati, idealizmi. Njerëzit bërtasin me stomakun bosh. Ja si thotë autori: “Kështu e ka jeta. M’u ngjir zëri duke bërtitur në parakalim.

Në lidhje me qëndrimin e partisë ndaj fesë, autori i shënimeve letrare, mbron dhe argumenton konkretisht se Partia jonë i zhduku institucionet fetare me forcën e armëve dhe jo ashtu siç ndodhi në të vërtetë që rinia dhe masat punonjëse, të ndriçuara nga mësimet e partisë u ngritën kundër gënjeshtrave dhe hipokrizave së dogmës fetare.

Duke u mbështetur në sa më sipër, mendoj se shënimet letrare të Fatos Lubonjës që na janë vënë në dispozicion për vlerësim ideoartistik, përmbajnë në vetvete ide armiqësore në përmbajtje dhe nëpërmjet figurave artistike, për shumë nga çështjet që trajton./lapsi.al