Rudina Xhunga: Nuk e dua më… edhe një dashuri e ka një fund…

rudina xhunga
Rudina Xhunga

*Shkëputur nga romani i Rudina Xhungës “Preja e një martese të lodhur”

Dhe në të gjitha rastet do të zgjidhja atë që zgjodha. Nuk e fajësoj shumë veten. Kështu ndjeva, kështu bëra. Gabova? Zoti më ndjeftë. Beso, se gjëja e dytë që do t’i mësoj vaizës sime, pasi t’i mëkoj bindjen se dashuria vlen, është të mos e çojë kurrë dëm. Unë e provova. E dërgova dëm në një marrëdhënie prej rëre. M’u rrëzua para syve.
-Më thua se tashmë ka mbaruar githçka mes jush, madje as takoheni. Si mundesh ta besosh edhe vetë këtë që thua kur akoma e tregon me ngjyra ish-lidhjen tënde. Ti e do akoma.
 -A ke dashur ndonjëherë?
-Po dhe ndaj nuk kuptoj si mundesh ti të mos e duash më.
 -Nuk di nëse do të ishte kaq i prere në përgigje, nëse unë për gjashtë orë do të të pyesja siç bën ti. Jo,i dashur,  unë e kam dashur njeriun të cilin duhet ta ketë kapur lemza tani. E kam dashur rastësisht, pastaj gabimisht, pasta seriozisht. Por nuk e dua më. Edhe një dashuri e ka një fund.

 -Jo, një dashuri nuk ka fund, ka rrethana që të detyrojnë të besosh se ka marrë fund.
-Si të duash ti. Por dashuria jote e pati një fund, imja gjithashtu, e çdo çifti po se po. Arsyet pse dy njerëz  qëndrojnë gjithmonë bashkë janë përtej dashurisë për të cilën po flasim dhe unë nuk i njoh akoma.

-Si e kupton ti që do ose nuk do më, se unë nuk di ta kuptoj. Ma shpjego të lutem.
-Po, por mos thuaj pastaj se jam berë si zyrë folklori, siç e ke zakon kur shpik ndonjë krahasim. Ndjenja se je në dashuri me dikë është si ndjenja që të fal një veshje. Një robë elegante të bën të përcjellësh klas, seksualitet, sharm, mirësjellje, të bën të ndihesh e bukur, e dëshiruar.

Një palë xhinse e një bluzë e gjerë sipër të bëjnë të ndihesh sportive, por të veshura në një festë, të bëjnë të ndihesh keq, mandej pavëmendja e të tjerëve të bën agresive dhe të paedukatë. Kështu ndodh dhe me njeriun që do. Kur ti e do, ai githashtu, ti ndjen se çliron frymëmarrje pozitive, je krijuese, çliron energji të mirë, percjell më të bukurën e vetes, je një grua e bukur.

Por nëse marredhënia juaj ka marrë fund, është si të jesh me xhinse në festë, ti e ndjen mosvëmendien e tij dhe e provokon, e nxit, e sulmon dhe mezi pret të te përgjigjet në të njëjtën mënyrë. Ti do të zihesh dhe përcjell vetëm energji të keqe, a thua se je në prag mentruacionesh. Më fal për gjuhën tejet femërore që po përdor, por unë kështu di ta shpjegoj ndryshimin midis te jesh dhe të mos jesh e dashuruar.

-Do të doja të ishim bashkë tani.
-Mos e dërgove gabim këtë sms?
-Jo, ta dërgova ty, të vetmit njeri në botë që do të doja ta kisha pranë në këto momente për t’i thënë sa e dua, sa më pëlqen, sa më magieps, sa më bën të ndihem mirë dhe i mirë.

-Nëse do, mund ta prishësh betimin tënd dhe të më takosh. Tani.
-Jo, do përpiqem ta mbledh veten dhe të pres ditët e netët që na përkasin. Nesër do të nisem në Greqi, për punë. Nëse do, të marr në telefon nga celulari im i vertetë që andej, do të mësosh shumë gjëra. Që ka ardhur koha t’i mësosh. Natën, shpirt. Natën.
– Mos na lër të presim më. Natën.

rudina xhunga
Rudina Xhunga

*Rudina Xhunga, “Preja e një martese të lodhur” botuar nga “ombra GVG”, 2003

E përgatiti: ObserverKult


Lexo edhe:

BALETI KOMBËTAR I KOSOVËS EDHE SIVJET ME PROGRAM TË PASUR, “REBOUNDS. A BASKETBALLET” DO TË JETË SHFAQJA E PARË