Rudolf Marku: Një ballkanas në Londër

Një ballkanas në Londër është një lumë i rrëmbyer
Që i shtohet Tamizit të qetë. Në Hyde Park
Është një mal që i shtohet rrafshirës së shtrirë;
Në Trafalgar Square është një ujk i murmë
Që bisedon me katër luanët e përgjumur,
Që zgjon fantazinë e tyre të përdhosur nga turistët,
Që u mëson të ulurijnë edhe një herë si dikur.

Një ballkanas në Londër me historitë e veta
E bën të zverdhet Alfred Hitchcock-un. Sherlock Holmsi
Bën kërkesë që të dalë në pension para kohe
Para krimeve të ngatërruara që tregon ballkanasi.
Kur e merr malli për klubet e Mamurrasit,
Dëgjon BBC-në. Nuk e çudisin
Monumentet e Wellington-it e të Nelson-it,
Për Mbretëreshën thotë – Si mund të jetë Mbretëreshë
Kur i shoqi ia hyp gjithë natën e natës!

Një ballkanas në Londër e di bukur mirë
Se është i dyshimtë për Scotland Yard-in
(Më i dyshimtë është për vendin e vet)
Sheh Pub-et e zhurmshme,qent e veshur mirë,
Dhe mendon që t’udhëtojë dhe kët’ herë pa biletë.

Një ballkanas në Londër është një lumë i rrëmbyeshëm
Që i shtohet Tamizit të qetë.

ObserverKult

Lexo edhe:

RUDOLF MARKU: KUJTESË POETIKE PËR MIKUN NDOC GJETJA