Poezi nga Rumi
Më duan një herë, m’urrejnë pastaj përsëri,
Një zemër më falin, po timen ma vrasin në gji.
Pushtet kam një herë, sundoj mbi mendimet e mi,
Po ndodh që mendimi më mban nën peshën e tij.
Jusufit i ngjaj, lëshoj sot një drit ‘hijeshi,
Po nesër-Jakupit, kur thrret, i helmuar në zi.
Ashtu posi Zeusi, mendohem, duroj edhe hesht,
Po perd’e durimit më digjet nga prushi në gji.
Sot-plot e përplot, po nesër jam bosh si kallam,
Sot ndjenjat shpërthejnë, po nesër un’resht edhe nxij.
Sot turrem mbi ar, i dredhur kërkoj mu në zjarr,
Po nesër dhe arin flak dhe s’dua t’ia di.
I tmerrshëm sot ngjaj, përzhitur nga flokët e ferrit,
Po nesër shkëlqej, përballem me çdo bukuri.
Besimi i shenjtë më sjell sot dhe paqe, urti,
Po nesër besimin e shkel me plot neveri.
Sot bëhem luan, dhe ujk i tërbuar, asllan,
I ëmbël jam nesër si dita që bie freski.
I lik e nopran shfaqem sot, i rëndë sa s’bëhet,
Po nesër un’zbutem dhe zemra kumbon çiltërsi.
Dhe ja pra fytyrat: sot ndrisin me nur, pastërti,
Po nesër damkosen nga turpi i vesit të zi.
Përgatiti: Dalan Shapllo
*Titulli i origjinalit: “Më duan një herë”
ObserverKult
————
Lexo edhe:
RUMI: MUND TË MËSOSH TË DASHUROSH VETËM DUKE DASHURUAR
ObserverKult ua sjell disa nga thënie nga Rumi:
Duhet të vazhdosh ta thyesh zemrën derisa të hapet.
Lëre heshtjen të të çojë në bërthamën e jetës.
Mund të mësosh të dashurosh vetëm duke dashuruar.
Nëse ke shumë, fal prej pasurisë tënde. Nëse ke pak, dhuro prej zemrës.
Nuk kam fe. Feja ime është dashuria. Çdo zemër është tempulli im.
Kur bota të gjunjëzon, je në pozicionin e duhur për t’u lutur…
Tekstin e plotë e gjeni KËTU