Rumi: Nëse ke shumë, fal prej pasurisë tënde. Nëse ke pak, dhuro prej zemrës…

Rumi

Lindi 818 vjet më parë, ndërsa ka ndjekës në mbarë botën. Vargjet mahnitëse të Jalal ad-Din Muhammad Rumit – poetit persian dhe mjeshtrit sufist që lindi më 1207 – janë shitur në miliona kopje në vitet e fundit, duke e bërë atë poetin më të njohur në ShBA e mbarë botën. Në nivel global, adhuruesit e tij janë një ushtri më vete, shkruan Jane Ciabattari.

“Ai është figurë bindëse, në të gjitha kulturat”, thotë Brad Gooch, autor i një biografie të Rumit, që po ka shkruar dy biografi të vlerësuara nga kritika – atë për poetin Frank O’Hara dhe për shkrimtaren Flannery O’Connor. “Harta e jetës së Rumit mbulon 2.5 mijë milje”, shton Gooch, i cili ka udhëtuar nga vendlindja e Rumit në Vakhsh, një fshat ky i vogël në atë që tani njihet si Taxhikistan, pastaj në Samarkand të Uzbekistanit, në Iran dhe në Siri – ku Rumi studioi në Damask dhe në Alepo në të njëzetat e tij. Ndalesa e tij e fundit ishte Konia në Turqinë e sotme, ku Rumi i kaloi 50 vjetët e fundit të jetës. Në kohët e sotme varri i Rumit tërheq ndjekës dhe burrështetas për çdo vit, në një ceremoni të dervishëve rrotullues që mbahet më 17 dhjetor (që është data e vdekjes së tij).

Momenti vendimtar në jetën e Rumit ndodhi më 1244, kur e takoi një mistik endacak të njohur si Shamsi i Tabrizit. “Rumi ishte 37 vjeç, një predikues dhe studiues tradicional mysliman, siç kanë qenë babai dhe gjyshi i tij”, thotë Gooch. “Të dy ata e kishin një miqësi të çuditshme, për tre vjet me radhë…”. Rumi u bë mistik. Pas tre vjetësh Shamsi u zhduk. Rumi e përballoi këtë duke shkruar poezi. “Pjesa më e madhe e poezisë që kemi sot vjen nga mosha 37 deri në atë 67-vjeçare. Ai ia dedikoi Shamsit tre mijë këngë dashurie, profetit Muhamed dhe Zotit. I shkroi dy mijë rubajate, me strofa me katër rreshta. Me strofa me dy rreshta e shkroi epikën shpirtërore në gjashtë vëllime, ‘Masnavi’”.

Gjatë këtyre viteve, Rumi e përfshiu poezinë, muzikën dhe vallëzimin në praktikën fetare. “Rumi rrotullohej teksa meditonte e kompozonte poezi të cilën ai i diktonte”, shton Gooch. “Kjo u kodifikua pas vdekjes së tij në vallëzimin elegant meditues”. Ose, siç shkroi Rumi në gazalin 2,351 (poezi persiane që shpreh dhembjen e ndarjes dhe bukurinë e dashurisë – v.j.): “Recitoja lutje. Tani recitoj vjersha, poema dhe këngë”. Shumë shekuj pas vdekjes së tij, vepra e Rumit recitohet, këndohet, vendoset në muzikë dhe përdoret si frymëzim për romane, poezi, muzikë, filma, video në YouTube dhe “cicërima” ).

Në vazhdim i gjeni disa thënie të Rumit:

-Jo vetëm ata që flasin të njëjtën gjuhë, por edhe ata që ndajnë të njëjtat ndjenja e kuptojnë njëri-tjetrin.
-Ji i çmendur dhe i dehur me dashuri, nëse je shumë i kujdesshëm, dashuria nuk do të të gjejë.
-Duhet të vazhdosh ta thyesh zemrën derisa të hapet.
-Kurrë mos e humb shpresën, zemra ime, mrekullitë burojnë nga e padukshmja.
-Mjaft me fjalë! Hap dritaren në qendër të kraharorit… Lëri shpirtrat të hyjnë dhe të dalin.
-Mund të mësosh të dashurosh vetëm duke dashuruar.
-Nëse fjalët dalin nga zemra, ato do të hyjnë në zemër.
-“Sa herë që je vetëm, kujto se Zoti i ka larguar të gjithë të tjerët që të jesh vetëm ti dhe Ai.”
-“Ngrini fjalët tuaja, jo zërin. Është shiu ai që rrit lulet, jo bubullima.”
-“Nëse do paratë më shumë se çdo gjë, do të blihesh dhe do të shitesh gjithë jetën tënde.”
-“Një qiri nuk humbet kurrë nga drita e tij ndërsa ndez një qiri tjetër.”
-“Mundohu të mos u rezistosh ndryshimeve që të vijnë. Në vend të kësaj, lëre jetën të jetojë përmes teje. Dhe mos u shqetëso se jeta jote po kthehet përmbys. Si e di se ana me të cilën je mësuar është më e mirë se ajo që do të vijë?”
-Nëse ke shumë, fal prej pasurisë tënde. Nëse ke pak, dhuro prej zemrës.

Përgatiti: ObserverKult


Lexo edhe:

RUMI: DASHURIA ËSHTË NËNA, NE JEMI FËMIJËT E SAJ…