Sa më pak të mendosh për mua, aq më shumë më do

Nga Julia de Burgos


Nuk më kujtohesh! Më ndje!
Midis dashurisë tënde dhe shpirtit tim ka vetëm një cicërimë.

Lundrojnë të dy sytë e mi
në të njëjtën kaltërsi pa fund ku ti vallëzon.

Ylberi yt i ëndrrave tek unë është
përherë livadh i hapur midis maleve.

Një herë humbën ngashërimet e mia
dhe i gjeta të mbytura në lotët e tu.

Nuk më kujtohesh! Më ndje!
Një bilbil në grykën e tij na ka.

Lumenjtë që solla me vete shkrepave të mi,
derdhen vetëm nëpër plazhet e tua.

A ka një pështjellim fluturimesh në ajër?
Është era që na shpie te sandalet e tua!

Nuk më kujtohesh! Më ndje!
Sa më pak të mendosh për mua, aq më shumë më do.

*Titulli i origjinalit: “Këngë nga brenda”

Përktheu: Bajram Karabolli


Lexo edhe:

BAJRAM KARABOLLI: KAM JETUAR ME HERONJTË E LIBRAVE, JO TË PUNËS SOCIALISTE