Sabit Rrustemi: Ma gjej atë çast të vetëm

sabit rrustemi

Ti vashë a grishë ëndrre
që m’i mbushë hojet me mjaltë shpirti
ma gjej atë varg
atë pamje ku s’flakëron ti
zjarrit të ndezur
në Zemrën time

Ma gjej atë Po e Zi
ku s’je
ta djeg si timen mëri

Atë çast të vetëm
në një grimcë të padukshme
që shfaqet në mua
pa Ty
ma gjej
ta ndrydh e shtrydh
dhe të fundmen pikë
t’ia nxjerr me këto duar

Loçka ime e vetme
që m’zihesh e përzihesh nëpër dej
dhe trupin
nëpër ata gishtërinj ma tjerr
ç’kuptim mund të ketë kjo jetë
po s’i fale dashuri.

————————————————-

Sabit Rrustemi

LEXO EDHE: SABIT RRUSTEMI: LEGJENDA PËR VORRIN E AJN(SH)ES

Askush nuk e di saktë që kur prêt ajo, aty, tek ai çarr, buzë udhe, atje lart në atë kurriz që shtrihet tutje përgjatë Kodrës Gatë. As mos prit të ta thotë kush. Se, nuk e di. Secili e ka me të dëgjuar. Njësoj si dhe unë…

Kapërcej Rekën e Zezë përmes një ure të drunjtë, ngritur vite më parë. Aty, te Mullini i Qerimit, i mbetur gërmadhë, me një grumbull gurësh, trerë të thyer si dhe tjegulla, mbuluar me dhe e dushk, aty buzë shpatit, merasë së katundit, asaj shkozine të thatë, të zalltë e përplot gjarpërinj.

Krejt rruga shkon ngjitas përpjetëzës, me zik-zake. E hëngër prej gumash traktorësh, kamionësh dhe rrëke ujërash të shiut. Kanë ngelur vetëm copëra gurëzish të thyer, të thërmuar, si dhe tek-tuk ndonjë shishe plastike uji.

Në çdo kohë, ajo udhë të djersinë. Si dimrit, si verës. Po e ece në këmbë, të djersinë ty, po e kalove kaluar, djersinë kalin…me makinë, e nxenë së tepërmi motorin. Dhe, e prishë atë freski ajri, aq të paqtë e të pastër.

Kur je vetëm kësaj rruge, të kaplojnë kujtimet. Kur je vetë i dytë a vetë i tretë, rrëfimet…
…. Edhe pak, edhe pak, përtej bërrylit tjetër, në fundin e asaj përpjetëze që humb. Pak mëtutje, atje është, do t’i thuash, si unë, njeriut që për herë të parë ecë asaj rruge shpati për tek Vorri i Ajn(sh)es…

TEKSTIN E PLOTË MUND TA GJENI KËTU