Sabri Hamiti: Gjergj Kastrioti

Sabri Hamiti
Sabri Hamiti


Gjithmonë kur merr ngricë
Sjellim ndërmend emrin Tënd,
Atë të parin dhe atë tjetrin,
Mundohemi t’ua mësojmë fëmijëve.

Nga terri i kohës dalin emrat,
Nishi, Kruja, Albulena e Berati.
E prapë dy emrat: i pari, i dyti
Njëri për veten, tjetri për tjerët.

Gjithmonë kur merr ngricë
Sjellim ndërmend emrin Tënd.
Të gjallë, të mjerë. Sa vlen jeta
Kur mbahet fryma me kujtime?

Fëmijët, që emrat i kapin shpejt,
Nuk donë vetëm kaq, donë më shumë,
Ata donë jetën, një emër për veten,
Fëmijët që nuk rriten nga kujtimet.

Gjithmonë kur merr ngricë
Sjellim ndërmend emrin Tënd,
Kur shurdhësinë e fellë, të pafund
E prishin lehjet e qenëve natën.

Një emër për veten e për të tjerët,
Qoftë edhe duke arrnuar jetën
Lypin fëmijët kur e rrisin shtatin.
Ata s’njohin kujtime, po ëndrra.

(nga “Leja e njohtimit 1985”)

ObserverKult


Lexo edhe:

SABRI HAMITI: IBRAHIM RUGOVA