Sabri Hamiti: Pse duhet të fshehet dashuria?

Sabri Hamiti
Sabri Hamiti

Nga Sabri Hamiti

Pse duhet të fshehet dashuria?
Ngase nuk i qëndron forcës së urrejtjes,
Apo pse stuhia do ta herrë malin,
Apo pse vetëtima do të korrë kreshtat?
Ti je mbretëresha ime nuk je shërbëtore
Qoftë e dashurisë verbuese në pikë dite.
Nëse unë do të shkoj në hapësira tjera,
Kush thotë se do të lirohem nga kujtimet,
Nga ndjekjet e liga që nuk lodhen kurrë.
Mos duhet të vdes në uri e në vetmi
Për të provuar që po shkoj ka fundi,
Fundi le të jetë nisje për shpëtim
Të shpirtit nëse ka diçka të paprekur.
O Engjëll më liro nga vetja e robëria
E mjerë që s’më le të vdes përnjëherë
Po të dergjem si një cung në pranverë.
Jo more vdekja është shpëtimi im
Pastaj do të lindem në kujtime tjera,
Ëndrrat do të jenë vetëm të fëmijëve
Që botën e shohin diçka që do të vijë
Si një balon që fluturon hapësirat
Derisa të shpërthejë në një therrë.
Dashuria ime e mjerë eja të ikim
Nga vetja deri në mjerimin e ri,
Deri në shkëlqimin e territ të fundit.
Le të na ndjekin shikimet e zjarrta
Derisa të mbytet dielli në det
Derisa të mbeten fushat shkret.
Atëherë do të lëpij këmbët e ftohura
Si një akullore që lëshon helmin
Si sëmundjen e pagjumësisë.
Eja kohë e mjerimit tim të parë,
Të tërhiqemi bashkë si trupa zvarrë,
Deri në fillim të fundit të ri,
Derisa të fundoset bari në shtëpi.
Eja mike po deshe ta vrasësh vetminë
Në natën e përjetshme që rrah fëminë
E palindur nga ëndrrat e shkreta.
Gërhamë e fundit tungjatjeta!
Se s’ka ku të shkojë më fshehtësia,
Ne do të vdesim të gjithë nga mënia,
Derisa të mbetet kujtim dashuria,
Kurorë e jetës vdekja le të jetë!

*Titulli i origjinalit “Pse”, shkëputur nga libri “Sympathia-Testamente për Urtakun

ObserverKult

————————

Lexo edhe:

(VIDEO) HOMAZH PËR ADEM GASHIN/ FESTIVALI POETIK I PRISHTINËS