Sabri Hamiti: Tematika shqiptare

Sabri Hamiti
Sabri Hamiti

Sabri Hamiti është padyshim njëri nga studiuesit më të njohur të letërsisë shqipe.

Studimi letrar i Sabri Hamiti jep panoramën më të plotë të gjithë letërsisë shqipe, e cila është shkruar poashtu në një gjendje in extremis, në zgrip ti themi shqip.

Autori bëhet kështu një ligjvënës letrar që nuk mbërthen po zbërthen kodet letrare; nga të tjerët pret zbatim të vullnetshëm, jo me detyrë, të ligjit të vet.

Ai deri tani ka publikuar disa libra ku janë përfshirë punët e tij rreth studimit të letërsisë, e ndër to është edhe “Tematologjia”.

Siç thotë Sabri Hamiti: “Në librin Bioletra (2000) kisha propozuar e argumentuar nje teori të shkrimit e të leximit, si një vështrim individual të një problem universal letrar.  

“Libri ‘Tematologjia’ është vazhdim i të parit, dhe përmban kërkimet e bëra në fushën e letërsisë shqipe, duke pasur parasysh gjithnjë tërësinë e saj”.

Sipas tij “janë këto artikulime teorike të prodhuara nga kërkimi i përparme empirik. Studimi i temave, shkollave, kodeve, ligjërimeve, formave, figurave e shkallëve të letërsisë shqipe, më në fund krijon një poetike (historike) të letërsisë shqipe”.

Një pjesë të këtiij libri akademik Sabri Hamiti ia ka kushtuar “Tematikës”, ndërsa ObserverKult në vazhdim do t’ju sjell pjesën e shkëputur ku ai flet për tematikën shqiptare.

Tematika shqiptare

Përballë tematikave universale janë tematikat nacionale, që janë kushtëzuara nga jeta, moraliteti, historia e veçantë nacionale, karakteri, dhe në një pikë të largët, gjuha.

Këto janë tema që peshën më të madhe e kanë në letërsitë nacionale, edhe në qoftë se me shenja të vetat kanë edhe elemente të universalizmit.

Duke menduar e kërkuar këto probleme në letërsinë shqipe dhe duke hetuar veçantitë e saj, para pesëmbëdhjetë vjetësh në librin tim Tema shqiptare, këto veçanti i kam pasë quajtur albanizma.

Tematika letrare shqiptare është vjelë nga disa fusha të jetës e të mendësisë, shpirtit e të historisë shqiptare:

a) popullore: Flijimi, Besa, Hakmarrja, Rilindja;
b) historike: Ilirët, Skënderbeu, Ali Pasha, Lidhja e Prizrenit;
c) letrare: Ura e Shejtë, Aga Ymeri, Konstandini e Doruntina;
d) aktuale: Jeta e përditshme, Mërgimi;
e) të përhershme: Gjuha shqipe, Rilindja, Heroi, Himni;


Është e natyrshme që tematikat nacionale, si në letërsi, si në arte të tjera, kanë tendencën për të krijuar veçantinë dhe identitetin kombëtar që shenjohet më vete dhe në raport me të tjerët.

*Pjesë e shkëputur nga libri “Tematologjia”, botim i ASHAK më 2005

Sabri Hamiti lindi më 10 maj 1950 në Dumnicë të Podujevës. Diplomoi për gjuhë e letërsi shqipe në Universitetin e Prishtinës më 1972. Doktoroi me temë nga letërsia më 1987 në këtë Universitet.

Për një vit akademik, Hamiti specializoi teorinë e formave letrare në École des Hautes Études en Sciences Sociales në Paris ne vitin 1980/81.

Jeton dhe punon në Prishtinë.

Sabri Hamiti është autor i disa librave me poezi, pesë prej të cilëve kanë marrë çmimet më të larta nacionale në Kosovë. Ka botuar libra në fushën e kritikës: drama, roman, si dhe tekste mësimore për shkolla të mesme.

E përgatiti: K.B. – ObserverKult


Lexo edhe:

SABRI HAMITI: HIMNI SHQIPTAR