Muzgjet e majit
Me aromë jasemini të flokëve të tua
E shkuara –
kohë e shkrumbuar
në hone kujtese…
Nesër është larg
Gati e pamundur si hëna e mjaltit në parajsën e premtuar,
“Tani dhe këtu”-ja
janë bimët reale
Të mbira në kurmin e kësaj dite që thyhet.
Eja më pushto me buzët barbare
Të kujtohet kur bashkë sakatonim sintaksën
dhe
goja jote
E ndezur
E ngrohtë
bëhej shporta
me trëndafilat e puthjeve?
Eja pushtomë ngadalë
Këmbëngulshëm
Si shiu i shtruar që bie mbi ranishte.
Deti i heshtur
do dëgjojë dihatjet tona të epshme
Dora ime
një ças do të prehet
Atje ku mbi trupin tënd të harkuar
Hapet lulëkuqja me petalet
purpur.
Eja më pushto
Me bukurinë e pashmangshme
Me buzët e tua të ëmbla,
barbare.
Mbi trupin tënd të avullt
të drithshëm
Do të gdhend sytë e mi
dhe emrin e shenjtë të kësaj nate mëkatare.
ObserverKult
Lexo edhe: