Sadedin Mezuraj: Rekuiem për Kadarenë

Poezi nga Sadedin Mezuraj

Muzat kanë zbritur poshtë në plazhe,
Stinë e mërzitshme lart në Olimp,
Antikët duken tepër naivë,
Modernët duken tepër ekcentrikë.

Taverna e grekëve zjen nga ahengu
Pak uzo, ullinj, xaxiq dhe pjepër,
Kafavis ulur me Jorgo Seferis
Vargje citojnë nga eposi vjetër.

Në klubin e rusve, vodka me akull,
Gorki grindet me Pasternakun nevrik,
Për vjeshtën e stepës loton Esenini,
Majakovski pret në takim, Lily Brik.

Më tej gjermanët, të ftohtë e të rreptë
Dhe jeta dhe vdekja, formula racionale
Flasin për frymën, per qenien dhe kohën,
Për lirinë si barrë dhe zgjedhje fatale.

Ja dhe shqiptarët e tij tek po vijnë
Një grënjë e vjetër ngrihet si një dert
Konica me Nolin, si shemra vërtiten
Lasgushi vetmuar, me Cucin baret.

De Rada me vështrim të trishtuar nga deti
Naimi për lulet e verës vjershëron
Koliqi me Camaj flasin për Shejzat
Një brengë ekzili ende i mundon.

Fishta dhe Mjeda me zhgunin e errët
Në vaje bylbyli Lahuta vajton,
Migjeni pak dritë kërkon mes territ
Agolli për brazdat dhe zogjtë, mediton.

Xhojsi me Norën zhduken në muzg
Kafka kollitet diku në errësirrë,
Kroati Andric i shmanget përballjes
Krushqit ballkanas ende të ngrirë.

Sartri me zonjën e tij Simone
Llullën tymos, karfosur ne frak,
Ende debatojnë për misteret e seksit,
Për jetën e shkurtër, për vdekjen e gjatë.

Rëra rëshqet në klepsidrën e kohës,
Ajri i mbrëmjes e mbështjell si qefin.
I gjallë mes të vdekurve të lavdishëm
Një varg të Reshpjes, kujton si në tym.

Lart në Olimp stinë e mërzitshme,
Poshtë tek të gjallët, helm e marrëzi,
Një palë i vërsulen me dhëmbë çakalli,
Të tjerë kurorën i blatojnë , si gjeni.

Koha s’premton për beteja të reja,
Koh’ e pamjaftushme dhe për dashuri.
Refuzimi shkrimit, opsion kalorsiak.
Heshtja ballsam mbi mëkatin e ri.

Shkruar rrëzë Olimpit grek, verë 2017

ObserverKult


Lexo edhe:

SADEDIN MEZURAJ: EJA MË PUSHTO ME BUZËT BARBARE!