Sadedin Mezuraj: Ti do të vish nga një qiell tjetër

do të vish

Ka rënë dëborë këtu në Tiranë,
Kjo tokë e trishtë
U zgjua nën tiraninë e saj të bardhë.

Përkohësisht,
shëmtimi anarkist
Dhe dhimbja e pagojë,
U fshehën nën mantelin e ftohtë kristalor,
Në këtë Dhè
Që dot s’ na u bë
(a dot nuk e bëmë) Tokën e premtuar…
Por ti do të vish
Ti do të vish nga një qiell tjetër,
nga netët me aurorat boreale ndriçuar;

Si në balada
Do të fluturosh mbi krahët e një zogu të hekurt.

Unë do të pres
(sepse si një pemë në këtë tokë jam rrënjëzuar)
Do të pres në aeroportin me dëborën e tretur,
Me një shall të ngrohtë puthjesh dhe malli
Do të mbështjell në krahët e muzgut të heshtur.
Ti do të vish, do vish patjetër.

ObserverKult