Sadik Krasniqi: Jeto dhe vdis natyrshëm!

sadik krasniqi enver visoka

Pyetësorit të Prustit i përgjigjet shkrimtari Sadik Krasniqi.

Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?

Mjerë ai që nuk e ka idenë për lumturinë e përkryer, por edhe ai që këtë lumturi e ka vetëm si ide. Mendoj se kjo lumturi nuk është vetëm një transcendencë, por është një mrekulli e një çasti të përjetuar, çast ky që bëhet i përjetshëm deri në dritën e mbrame të momentit “mehr licht“. Mrekullia e kësaj lumturie mund të bjerë në akt të veçantë (edhe intim), në lindjen e fëmijës a marrjen e medaljes olimpike. Në tërë këto raste sikur shkrepë drita kozmike e lumturisë së përkryer.

Cila është frika juaj më e madhe?

Nga ndonjë e papritur makabre, kur të afërmit do të pikëlloheshin për gjendjen time e unë do i shikoja si një hut pa e ditur se kanë ardhur të më vizitojnë. Po edhe nga ndonjë tragjedi që do ma bënte zemrën e zezë nga mërzia.

Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?

Dua, respektoj dhe admiroj shumë persona të gjallë, por pa emra konkret, nga se mund të dëshpërojnë në ditën e fundit duke bërë pakt me djallin. ”Lërmëni të qetë, s’jam shok i autoriteteve!”- theksonte Majakovski.

Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?

Ka shumë personalitete historike që i adhuroj, por kurrsesi të identifikohem me ta, nga se i konsideroj fenenomenale cilësitë e tyre si: dinjitetin e Teutës, strategjinë e Skënderbeut, atdhedashurinë e filozofinë e Pjetër Bogdanit, erudicionin e Frashërve, intelektualizmin e Hasan Prishtinës, shenjtërinë e Shën Terezës, urtësinë e At Zef Pllumit, diplomacinë e Ukshin Hotit, trimërinë e Adem Jasharit etj.

Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?

Një nuancë introvertiteti, jo si kompleks, por si rrethanë. Kokëfortësi në parimet e mia!

Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?

Çifti i Zhozef Fushës (sipas monografisë të Stefan Cvag-ut), e që mjerisht të tillë njoh shumë.

Në cilat gjëra e teproni?

Me një lexim të pakoncept, jo ashtu siç kisha dashur, për shkak të natyrës së punës për ekzistencë (si argat i dreqit) dhe mungesës së kohës për një lexim të tillë studioz.

Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?

Gënjeshtrën shpëtimtare, për familje, jetë, dashuri.

Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?

Më me qejf udhëtimin imagjinar në kohë dhe hapësirë me përmasa kozmike si në këtë poezi:

NATA E POETIT

Nata e poetit
nuk është një vijë e zezë
e vizatuar nga dora e ngathtë e idiotit
nuk është dremitje e devesë nën palmë
as udhë e hënës së vdekur
Nata e poetit
është një kafaz i qelqtë
i krisur shtatë e shtatëdhjetë herë
nga gishti i unazës së fildishtë
dalja në hone kohe të përndritura amshueshëm
Është ikja e tij
në malin e Sinait te flaka e shenjtë
herë te hiri i Trojës së mjerë
deshifron hieroglifët e heshtur
pranë sfinksit të stepur
me Diskun e Efesit kalëron shtigjeve deri në Aleksandri
lexon fletët e djegura pranë detit në pikëllim
e lë një plis te hija e Aleksandrit
nëpër gurët e prushtë ngjitet te Gjergji në Krujë
puth altarin e thotë me zemër uratën 20
me pluhurin e udhës së mijëra vjetëve
pushon pak te varri i nënës
lë një lule nate
një lot te guri i kresë të vetmes motër
hyn në tempullin e dashurisë
vashës së dashur ia puth buzët e gojës
ia le trëndafilin mbi gjinjtë e fjetur
para rrezes së parë të dritës
i bie me pëllëmbë atit vetëtimë
shtrihet pranë gruas
shtiret se ka fjetur si i vdekur

Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?

Gjatë shkrimit shumë të përgjedhura e të menduara mirë e gjatë, e në të folmen e përditshme: 
“Të lumtë!” “Gëzohem! si dhe: “Hç s’e shoh të arsyeshme” (si kundërshtim); ndoshta-ndoshta (për mosbesim) si dhe fjalën që më rri në maje të gjuhës në raste  të tensionit emocional: “Jo bre djalë! Shpesh edhe te femrat që i bëj të qeshin me zë.

Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?

Kurrë s’kam bërë seancë gjyqësore me vetveten, s’më ka paditur ende ndërgjegjja.

Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?

Librat, atdheu, fëmijët, gruaja, të afërmit e miqtë.

Cila është gjendja momentale mendore e juaja?

Fizikisht e mendërisht ende në binarë.

Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?

Moshën, të jem më i ri, jo për t’i ikur pleqërisë, por për një fillim më të hershëm me shkrime. Megjithatë më ngushëllon Umberto Eko, që librin e parë të tij, romanin e famshëm, “Emri i Trëndafilit“ e botoi në moshë 48 vjeçare, hahaha…

Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?

Në proces e sipër për të arriturat që synoj!

Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?

Pak në aspektin personal e atë global shumë. Shumë perandori, luftëra  e personalitete namkëqinj do i kisha futur në vrimën e zezë, ndoshta nuk kishte ndodhur të jemi këta që jemi, por ata që duhej të ishim.

Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?

Amos Oz thot do isha bërë libër, e unë them prapë njeri dhe ai, ky që jam. Disi jam mësuar me vetveten si Sizifi me gurin e tij. Qëllimi ngritja e gurit në majë, esenca përpjekja.

Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?

Librat e lexuara dhe të shkruara, familja, kujtimet dhe një shenjë nga dikush që s’është më.

Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?

Globalisht, çnjerëzimi  i njerëzores, e në vend degjenerimi i shumë gjërave me përmasa shqetësuese. Shndërrimi i çdo vlere në aspra jude!…

Ku do të dëshironit të jetonit?

Atje prej nga kam ikur, ku lulet, gruri, muzgu, ajri e yjet kanë aromë parajse.

Cila është cilësia juaj më e veçantë?

Racionalja e gjërave, sfida dhe mospërkulja ndaj tyre.

Çfarë vlerësoni te një burrë?

Zotësinë intelektuale me modesti dinjitoze.

Çfarë vlerësoni te një grua?

Një grua që ka fisnikërinë e nënave shqiptare, ka dhe dinjitet. Dinjiteti është pushtet. Rroftë pushteti i grave!

Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?

Natyrisht ata që e bëjnë ajthin e  vlerave, të gjithë antikët që kam lexuar duke u bashkëngjitur tek të mëvonshmit si Aligeri, Servantesi, Shekspiri, duke vijuar te Dostojevski, Majakovski, Gëte, Hese, Hygo, Kafka, Sartri, Kamy, Elioti, Fuentesi, Markesi, Sabato, Borhesi,  Grasi, Eko dhe tanët si: Migjeni e Rreshpja për poezi,  Kadare e Çela për prozë, Pipa, Rugova e Qosja pë kritikë.

Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?

Ata të cilët “Schiksal-i” (ironia e fatit) i rëndon përditë dhe lufta e tyre titanike për ta gëzuar jetën. Përkulem para tyre si para çdo heroi.

Cilin talent do të dëshironit ta kishit?

Aftësinë (hyjnore si të Krishtit) për t´i shëruar shpirtrat dhe mendjet e njerëzve.

Si do të dëshironit të vdisnit?

Si nëna ime. Ajo vdiq e qetë në duart e atyre që i ka mbajtur në duar. Krejt frymën që e kishte marrë gjatë tërë jetës e ktheu me gjysmë fryme dhe ju ngrinë buzët në një tis buzëqeshje prej engjëlli. Lumja kjo për dekën e vet! – thanë. Unë i lakmova vdekjes së saj.

Cila është motoja juaj?

Jeto dhe vdis natyrshëm, kjo e dyta s’varet nga ne andaj na trishton!…/ ObserverKult