Sali Beqiraj: Rrëfimi i nënës për vrasjen e babës, lexon aktori Simon Shkreli (video)
(Baba dha shpirt më 13 maj 1999)
Baba gjithmonë
Zgjohej herët
Ushtarët e gjetën
Duke kositur bar
për qengja
Nëna thotë e kam parë
Kur e kanë çua në kopsht
Me kujtohet
Vetë e ka pas thyer dheun
Dhe priste shiun
Me i mbjellë
Dhjetë trupa mollësh
Dhe një ftua
Para se të biem me fjetë
Natën e fundit
“Hejo”- më tha:
” S’ ka shteg vere këtë verë”
“Hejo” ka qenë emri i nënës
“Hejo” edhe i babës
Ata kurrë njëri -tjetrin
Nuk e kanë thirrë
Në emër
Tre ushtarë. Veç tre
E kanë çua në kopsht
“Pse nuk je rrua”, e kishin pyetur
Baba ka qenë natyrë e butë
Dhe ka qeshur
Gjithçka i kam njohur ngapak babës
Qeshjen ia mbaj mend gjithmonë
Gjithmonë kur nuk i pëlqenin pyetjet
Qeshte. Thoshte: ani ani…
Në ballkon kam qenë thotë nëna
Kur e kanë vrarë
Baba kish dhjetë fëmijë
Një ma pak se kopshtin qe e pati mbjellë
Në Rozhajë
Dikush në Shkodër
Tjetri në Tiranë
Unë në Ulqin
Vëllai në litar
Tre në dhe të huaj
Asnjëri skaj tij
Kur ka dhënë shpirt
Krejt ditën
I kthyer përmbys
Mbi barin e kositur
Vonë pas mesnate
Dy pleq të ikur lufte
E kanë varrosur afër dritares
Nga e cila kur ishte gjallë
Zgjohej çdo mëngjes dhe shikonte
A është shkrirë bora në bjeshkë
ObserverKult
Kliko edhe:
“MË PRIT…”, SIMON SHKRELI LEXON POEZINË E FAMSHME RUSE (VIDEO)