Sami Frashëri: E mjera nënë, po qan për mua…

Sami Frashëri është ideologu më i shquar i lëvizjes sonë kombëtare. Si udhëheqës ideologjik, mendje e ndritur prej dijetari, ai mbetet një nga personalitetet më të rëndësishëm të Rilindjes.

Krijimtaria e Samiut në gjuhën shqipe është e lidhur tërësisht me idealet e lëvizjes kombëtare për çlirim, me nevojat e shkollës e të kulturës kombëtare. Pa dyshim ai është një nga themeluesit e saj. Për shkollat e para shqipe Samiu botoi këto vepra: “Abetare e gjuhës shqipe„ (1886), “Shkronjëtore e gjuhës shqipe„ (gramatikë e shqipes, 1886), “Dheshkronja„ (gjeografia, 1888). Hartoi edhe një fjalor të gjuhës shqipe, që nuk i dihet fati.

Ai shkroi edhe romanin mjaft të njohur “Dashuria e Talatit me Fitneten”, botuar për herë të parë në Stamboll më 1872.

Në vazhdim mund ta lexoni një fragment nga ky roman:

Fitnetja, edhe pse nuk i pëlqente të ndërronte vendin nga frika se nuk do të mund ta gjente Talatin, prapë nuk kishte guxim të thoshte gjë.
Pa një pa dy vendosën që ditën e enjtë të shkoj në në Yskydar.

Të mërkurën erdhi Sherifja dhe solli një letër. Fitnetja që në krye të zarfës menjëherë njohu shkrimin e Talatit dhe sa nuk fluturoi nga gëzimi.
Duke iu dridhur duart hapi letrën dhe pa nënshkrimin Ragibe”!… Sërish gëzimi i pare. Talati këtë letër e shkroi në shpejtësi ashtu si shkruan një fëmijë fillestar.
Fitnetja zu ta lexojë. I shkruante kështu!


Fitnetja ime!…


Kaluan dy javë që nuk jemi takuar, nuk e di se a jeni mërzitur, a keni ndryshuar mendimin tuaj?… Fitnetja ime, shkak i mosardhjes sime është ajo ditë e zezë kur dëgjova atë lajm të zi… Kur u ndava prej jush ishte mbrëmje, u ndava prej teje dhe me të shpejt shkova në parkun Shehzadebash.

Duke nxitur u djersita. posa arrita, ndërrova rrobat dhe prej aty shkova në shtëpinë time. Si në rrugë, ashtu edhe në shtëpi sytë e mi nuk u thanë nga lotët që më çurgonin. Nuk e di, mos nga të qarët, apo nga të ftohtit jam sëmurë? Sido që të jetë, në mëngjes nuk munda të ngrihesha nga shtrati.

Ndieja dhembje të mëdha koke, shumë shpejt më kapën ethe të forta, sa që njëzet e katër orë nuk dita se ku jam. U dogja si zjarri, pastaj humba veten. Pra prej asaj kohe gjer më tash jam si i vdekur. Nuk kam kurfarë lajmi prej teje. E mjera nënë, po qan për mua, ia këputa shpresën e jetës.

Ka afër pesëdhjetë orë që kam ardhur në vete, por ende nuk mund të zotëroj trupin tim. Nuk mund të luaj vendi. Tash nuk mund të shkruaj më tepër, se më këputi kollitja, m’u lodhën sytë, Fitnetja ime! Më shkruaj sa më parë dhe më trego se në çfarë gjendjeje je ti. Letrën le të ma sjelle Sherifja për mes dikujt…

Ah Fitnetja ime, ah!… ah! sikur të jetë e mundur, sikur të gjendesh një herë në skajin e jastëkut tim në këtë orë të sëmundjes!… ah! nuk ka dyshim se do të shërohesha menjëherë… Ah!… ah!…

Ragibja

Fitnetes, posa lexoi letrën i shpërthyen lotët si krua. I erdhi shumë keq për të mjerin Talat. Iu prish fytyra, megjithatë kjo letër e lehtësoi shumë. Mirëpo për Talatin dëgjoi fjalë të këqia. Ndaj këtyre lajmeve qëndroi e qetë, ende e paramendonte fytyrën e tij. Fitnetja u lehtësua pak, por lotët i rridhnin sërish dhe nuk mund t’i ndalte kurrsesi.

Sherifja u habit se nga vinin këta lotë të shumtë për këtë letër dhe e pyeti: Prej kujt është kjo letër? Pse qan kaq shumë? Çfarë ka në të?


Nga Ragibja… edhe ajo e mjerë qe dy javë qenka e sëmurë, s’paska qenë në vete nga së mundja e rëndë, dje ka ardhur pak në vete, por sërish qenka shumë e sëmurë, atë shkruan.

*Fragment i shkëputur nga romani “Dashuria e Talatit me Fitneten”, botuar nga Rilindja më 1984

Vëllai më i vogël i Abdylit e i Naimit, Sami Frashëri lindi në Frashër më 1850, ku mori edhe mësimet e para. Më 1871 mbaroi gjimnazin “Zosimea” në Janinë, mësoi gjuhë të vjetra e të reja dhe u pajis me një kulturë të gjerë.

Sami Frashëri më 1872 shkoi në Stamboll për punë dhe atje u lidh menjëherë me patriotë shqiptarë, me Pashko Vasën, Jani Vreton, Ismail Qemalin, Kristoforidhin, Hoxha Tasinin etj.

Samiu u dallua shumë shpejt midis tyre dhe, me formimin e shoqërisë së Stambollit, u zgjodh kryetar i saj, ndonëse ishte nga më të rinjtë. Gjer në fund të jetës ai mbeti udhëheqësi kryesor i kësaj shoqërie.

Drejtoi disa gazeta turqisht, ku mbrojti edhe të drejtat e kombit shqiptar. Botoi në turqisht edhe një varg veprash letrare e shkencore.

Ndër këto janë disa vepra themelore, si: i pari fjalor i plotë etimologjik i turqishtes, si dhe e para enciklopedi turke e historisë dhe e gjeografisë në gjashtë vëllime.

E përgatiti: A. S. -ObserverKult


Lexo edhe:

SAMI FRASHËRI: NJERËZIT E NDERSHËM KALBEN ATJE KU LARTËSOHEN KRIMINELËT!