Sami Frashëri: Njerëzit e ndershëm kalben atje ku lartësohen kriminelët!

sami frashëri:
Sami bej Frashëri (qershor 1850, Frashër - 18 qershor 1904, Stamboll)

Dijetar, shkrimtar, publicist etj., Sami Frashëri ka qenë ideologu kryesor i Lëvizjes kombëtare. I lindur në Frashër të Përmetit, Sami Frashëri ishte zotërues i disa gjuhëve të huaja. Ai e zotëronte: turqishten, italishten, frëngjishten, latinishten, arabishten, persishten si dhe i greqishten e re dhe të vjetrën.

Krijimtaria e Samiut për gjuhën shqipe është e lidhur me idealet e Lëvizjes kombëtare për çlirim. Kryesisht me nevojat e shkollës e të kulturës kombëtare dhe padyshim që, ai është edhe njëri nga themeluesit e saj.

Për shkollat e para shqipe Samiu botoi këto vepra: “Abetare e gjuhës shqipe”(1886), “Shkronjëtore e gjuhës shqipe”(gramatikë e shqipes,1886) “Dheshkronja”, (gjeografia, 1888).

Si udhëheqës ideologjik, demokrat dhe njeri me horizont të gjerë, Sami Frashëri dha ndihmesë të shquar edhe për kulturën turke. Përpos që drejtoi disa gazeta, ai në turqisht botoi një varg veprash letrare e shkencore. Me këtë rast, veçojmë “Fjalori etimologjik i turqishtes”, dhe “Enciklopedia turke e historisë dhe e gjeografisë” në gjashtë vëllime.

Ai në turqisht e shkroi edhe dramën “Besa” me subjekt shqiptar dhe, bëri edhe përkthime nga letërsia botërore.

Mirëpo, me gjithë krijimtarinë e tij të pasur, vepra e tij kryesore mbetet “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e çdo të bëhet”. E botuar në Bukuresht më 1899, manifesti politik dhe ideologjik i saj, e bëjnë atë të vlerësohet si një nga veprat më madhore të Rilindjes.

Duke e shqyrtuar si një traktat politiko-shoqëror, me vlera të mëdha stilistike, ku gjeti shprehje mendimi shqiptar më i përparuar politiko-shoqëror i kohës, pikërisht me këtë vepër, Samiu u bë ideologu më i shquar i lëvizjes kombëtare shqiptare.

Në vazhdim ObserverKult ua sjellë disa thënie të zgjdhura të tij:

Sami Frashëri

– Dashuria për atdheun lind nga dashuria për familjen.

– Kalben njerëzit e ndershëm atje ku lartësohen kriminelët.

– Ata që merren me gjëra të vogla, humbasin zotësinë për t’u marrë me gjëra të mëdha.

– Ai që çdo ditë ka një dëshirë tjetër, asnjëherë nuk arrin të plotësojë dëshirën e tij.

– Njeri i zoti nuk është ai që s’ka të meta, por ai që pranon të metat e tij.

– Është trimëri e madhe të heshtësh në tubimin e lajkatarëve.

– Ai që pranon këshilla është më i madh se ai që jep, sepse sa lehtë është të japësh këshilla, aq rëndë është t’i pranosh.

– Liria është thelbi i shpirtit dhe i mendjes. Aty ku nuk ka liri, mendja dhe shpirti thahen si bima pa ujë.

– Biseda lind nga mendimi; biseda pa mendim nuk është bisedë, është grindje.

– Detyrat njerëzore janë një barrë e rëndë; sjellja e keqe sipas andjes dhe pëlqimit të botës është një moçal i madh. Për të nxjerrë në breg një barrë të tillë të rëndë nga një moçal i tillë, duhet të ecësh drejt, pa shikuar djathtas e majtas.

Sami Frashëri

Përgatiti: T.K/ ObserverKult

Lexo edhe:

FRIDA KAHLO: AJO QË NUK MË VRET, MË BËN MË TË FORTË…