
– Mbi librin e studiueses Natasha A. Spahiu (Lushaj) “Aftësia vetëtransformuese e tekstit autentik “, botuar nga shtëpia botuese “Neraida”, Tiranë.
Nga Sami Milloshi
Le ta nis me një falenderim të përzemërt për autoren e librit, zonjën Natasha Lushaj ( Spahiu) e cila pati mirësinë të ma dërgojë nga Tirana librin e saj këtu në Boston, në Amerikë. Megjithëse unë nuk e kam takuar ndonjëherë në jetën time, mund të them se i përkasim të njëjtit brez bashkëstudentësh në Universitetin e Tiranës në mesin e viteve ’70-të, të shekullit të kaluar. Natasha më ka pas tërheq vëmendjen që herët për disa cikle poetike të botuar në shtyp, për sinqeritetin poetik dhe bukurinë e shprehjes.
Rasti e solli të bëhemi miq në Facebook, disa vite më parë. Një ditë prej ditësh, Natasha poston kopertinën e librit të Petro Markos “Një emër në katër rrugë”. Ishte ai botim qe censura shtetërore e bëri karton në vitin 1973. (Aso kohe unë isha student universitar).
Në mos gaboj, Natasha e shoqëroi foton e kopertinës, me një pyetje disi provokuese nëse e kishim lexuar atë variant të romanit tê Markos.
Unë u mahnita. E dija qe disa kopje, të romanit, ishin vjedhur në shtypshkronjë, dhe se kishin qarkulluar dorë më dorë. Në këtë mahni e sipër i them Natashës:
– Shtëpia jote duhet te ruhet me policë, vetëm për atë pasuri që ke. Deri kur ai roman të botohet për së dyti, germë për germë, si në botimin e parë…
Natasha kujtoi se unë po bëja shaka.
Por unë nuk e dija se ajo, me skrupolozitetin më të madh të një studiueseje elitare, i kishte kushtuar vite e mund të madh atij teksti romanor dhe, se ne të dy po bisedonim pas një sage njëzetvjeçare dhe një pune hulumtuese të mahnitshme të saj.
Parathënia e librit e shkruar nga shkrimtari dhe studiuesi i shquar Agron Tufa, është pasqyra më e saktë e përpjekjeve te Natasha Lushajt për ta ngritur studimin e saj fillestar në një vepër të plotë të nivelit akademik. Unë nuk kam çfar të shtoj më shumë se sa ka zbuluar studiuesi Tufa.
Unë vetëm dua të ekspozoj një iluzion qe kisha unë, qe prej vitit 1973, se ajo vepër e Petro Markos ishte një vepër disidente.
Me këtë fiksion, unë bëra përpjekjet e mija këtu në Amerikë, ta siguroj një kopje te romanit. Miku im Thomas Shwarf në bibliotekën e Wheaton College, Massachusetts, ku ende punoj, e huazoi prej nje universiteti tjetër romanin e Markos. Dhe unë e lexova.
Në fund të leximit, pasi kisha lexuar edhe nje artikull krahasues te Natashës për dy botimet e romanit, u binda se unë nuk kisha lexuar variantin e parë, atë që u bë karton. Por, në fakt kisha lexuar një ribotim, pas vdekjes së Petro Markos, pas vitit 2010, qe në shumë aspekte, ishte masakruar në krahasim me botimin e parë.
Pavarësisht këtyre masakrave tekstuale, të dëshmuara me saktësi në veprën monumentale studimore të zonjës Lushaj, unë u binda se iluzioni im për zbulimin e një vepre ” disidente” ishte i kotë. E tillë ishte e edhe ëndërra ime, se nëse do të kisha zbuluar një vepër vërtet disidente, do të isha angazhuar ta përktheja në Anglisht, si një dëshmi të censurës në diktaturë. Ai roman, ndonëse i shkruar nga një mjeshtër i prozës shqipe si Petro Marko, tekstualisht nuk e ka brumin e një proze disidente. Prandaj, unë mendoj, dhe në mos gaboj edhe tē tjerë kështu mendojnë: ai u bllokua dhe u bë karton për arsye jashtëletrare, ndoshta thjesht pse diktatori Hoxha ia kishte rrethuar me rreth të kuq emrin Markos, dhe se ky do të ishte fati i tij, e edhe i të birit të tij, Jamarbërit më vonë…
Ajo qe vura re unë, dhe qe e dokumenton me fakte të pakundërshtueshme Natasha Lushaj, është se ribotimi, për shkak të ndërhyrjeve redaktoriale, ka mbërritur në nivelin, të cilin me të drejtë , autorja e cilëson si nivel “fals”.
Vepra e Lushajt është e para e këtij lloji që merret me analizën tekstuale të veprës gjatë ribotimit, kur autori është gjallë dhe e kryen vetë këtë proces, deri në rastet, kur pas vdekjes dikush tjetër ndërhyn duke e tjetërsuar. Rasti tipik i tjetërsimit është dëshmuar në mënyrë perfekte nga Lushaj me romanin e Petro Markos. Të mos prek fakte të tjera, mjafton të përmend, se në bazë të analizës krahasuese tekstuale, stili i Markos është prekur aq thellë, sa tashmë Marko duket sikur e ka shkruar romanin në vetë të tretë, dhe jo në vetë të parë, sikurse ishte në botimin e parë në vitin 1973.
Nuk po flas për ndryshim të emrave të personazheve, apo për zhdukje të paragrafeve të tëra nga origjinali i parë…
Në studimin e saj voluminoz, i denjë për t’u rreshtuar me vepra studimore të autorëve të huaj në bote, Lushaj elaboron me elegancë dhe thellësi filologjike teorinë e saj mbi tekstin arketip, neoarketip, dhe fals. Ajo sjell në vëmendjen e lexuesve po ashtu edhe disa vepra të ripunuara të Ismail Kadaresë sa kohë ai ishte gjallë.
Projektori filologjik i studiueses Lushaj zbulon vlerat e reja qe merr teksti në rastin e neoarketipit dhe se si kjo shndërrohet në vlerë estetike në korpusin e shkrimtarisë së një shkrimtari.
Vepra e Lushajt ngërthen një mori problemesh përgjatë procesit të botimit të një vepre letrare. Probleme të së drejtës së autorit, probleme të procesit redaktorial të tekstit autorial, probleme të trashëgimisë së të drejtës së botimit, e të tjera.
Për arsyen e thjeshtë se unë jam i distancuar, në një farë mënyre, me procesin botues në Shqipëri, nuk e shoh të arsyeshme të ngulmoj më thellë. Por, kam një përshtypje se, tahmaja e madhe e botuesve për përfitime monetare, bën që të shkelen disa vlera klasike në industrinë e botimeve.
Për këtë arsye, unë mendoj se është absurde dhe në konflikt të plotë interesi që shumica e shtëpive botuese në Shqipëri, kanë në zotërim edhe shtypshkronja. Kurrkund në botë nuk ndodh një katrahurë e tillë, përveçse në Shqipëri ku libri konsiderohet dhe trajtohet në të njejtin nivel me shitjen e domateve apo trangujve…
Politikat e monopolit të industrisë së botimeve kanë nevojë të përafrohen me ato të Perëndimit, pasi, kështu siç janë sot, ku një barcode i vihet librit nga dikush që nuk është i ligjshëm, krijohen mundësi të paimagjinueshme për devijime tekstore, si ato, që libri i Lushajt vë në dukje.
Duke i uruar edhe një herë autores Lushaj, suksese të tjera, unë mendoj se ajo ka kurorëzuar punën e mundimshme të saj me një libër shumë të rëndësishëm në arealin e studimeve filologjike të letërsisë shqipe.
I pari i këtij lloji, siç e ve në dukje edhe studiuesi Agron Tufa, por qe unë shpresoj të jetë një gurthemeli edhe për studiuesit e tjerë më të rinj dhe jo i fundit për vetë Natashën.
Në një mjedis të shëndetshëm shkencor, vepra e zonjës Natasha Lushaj duhej të ishte bërë shkak që asaj t’i akordohej një titull shkencëtareje. Por, ende kanë kohë, sepse më mirë vonë, se kurrë.
ObserverKult
Lexo edhe: