Së shpejti fillon edicioni i 23-të i Festivalit Ndërkombëtar “ReMusica”- edhe sivjet vjen me program të pasur

Festivali Ndërkombëtar “ReMusica” do të hapet më 5 nëntor në Atelien e Pallatit të Rinisë, me koncertin e dyfishtë me artistet Elbenita Kajtazi e Elda Laro dhe Korin Siparantum.

Këtë vit, ReMusica vendos në qendër të vëmendjes artistët vendas me karriera ndërkombëtare, duke i bërë bashkë ata nga vende të ndryshme. Programi përfaqëson frymën e bashkimit, teksa këta artistë angazhohen në partneritete kuptimplota dhe shkëmbejnë perspektivat e tyre unike.

Përveç këtyre performancave bashkëpunuese, këtë vit Festivali “ReMusica” është nikoqir i mysafirëve ndërkombëtarë, përfshirë udhëheqës të festivaleve evropiane, organizata dhe anëtarë të medias ndërkombëtare, etj. Mysafirët do kenë privilegjin të përjetojnë festivalin në mënyrë unike, të eksplorojnë komunitetin artistik vendas dhe të hapin rrugë për mundësi dhe bashkëpunime në të ardhmen.

Në zemër të festivalit zë vend pasioni dhe përkushtimi i artistëve të përfshirë, që kanë një ndikim të rëndësishëm në komunitetet e tyre, nga talentet lokale deri te yjet ndërkombëtarë.

Edicioni i vitit 2024 i Festivalit “ReMusica” jo vetëm që nxjerr në pah artistët vendas me famë ndërkombëtare, por gjithashtu nxit partneritete të rëndësishme përtej kufijve, duke rritur diplomacinë kulturore dhe bashkëpunimin artistik. Me mbi 200 pjesëmarrës nga Kosova dhe nga mbarë Evropa, festivali do të shfaqë program të pasur, duke përfshirë: Koncerte me artistë të jashtëzakonshëm ndërkombëtarë dhe vendas; Diskutimet dhe bisedat me artistë mbi tema të rëndësishme si qëndrueshmëria; Programe arsimore me punëtori dhe masterklasa për të ushqyer talentin dhe shkëmbimin e ideve; Mundësi rrjetëzimi për t’u lidhur me artistë, profesionistë të industrisë dhe dashamirës të kulturës.

ObserverKult


Lexo edhe:

“REMUSICA” PËRMBYLLET NË KUJTIM TË BEETHOVENIT E ME FUQINË E MUZIKËS