“Se të desha vet dhe të putha vet”, Eda Zari këndon me shumë sensualitet Lasgushin (VIDEO)

Në nëntor të vitit të kaluar, pas pesë vjet mungese Eda Zari u rikthye me një album të ri , titulluar “Palimpsest”.

“Palimpsest” duket sikur i flet bërthamës së konceptit të albumit tim, i cili ngrihet mbi një triangël biografik mes meje, Lasgushit dhe Heines”, thekson Eda.
Në nderim të poetit të madh Lasgush Poradeci, Eda Zari ka zgjedhur, sipas saj, një fjalor melo-ritmik vokal në mënyrë që të përkthejë përshtatshëm vargjet e poetit në muzikë.

Ju ftojmë ta dëgjoni këngën “Prandaj” me tekst të Lasgush Poradecit, interpretuar nga Eda Zari.

Se të desha vetë,
Dhe t’u nqasa vetë,
Dhe të putha vetë-
Prandaj.

Dhe të humba larg,
Dhe të ndoqa larg,
Dhe të gjeta larg-
Prandaj.

Se të desha prapë,
Dhe t’u nqasa prapë,
Dhe të putha prapë-
Prandaj.

Dhe të humba vashë,
Dhe të ndoqa vashë,
Dhe s’të gjeta vashë-
Prandaj.

Se të gjeta grua,
Dhe të desha grua,
Dhe të putha grua-
Prandaj.

Dhe s’më flet përhera,
Dhe s’më nqas përhera,
Dhe më plas përhera-
Prandaj.

O, prandaj të dua,
Prandaj vashë-e grua,
Fshehtësi për mua-
Prandaj.

eda zari

Postimi i plotë i Eda Zarit:

New Release Album – Palimpsest – Eda Zari. With poetry of Lasgush Poradeci and Heinrich Heine. Out October 2, 2021 is available on Spotify, Apple Music and all major streaming services. New on 180g vinyl – available March 20, 2022 – pre order now!

“Ç’është truri i njeriut përveçse një palimpsest kolosal? Truri im është një palimpsest i tillë”- kështu Thomas De Quincey në “Libra – Suspiria de Profundis“.Kjo metaforë vlen për zemrën, poezinë dhe muzikën! Pergamenat dhe letrat e shkruara rishtas u quajtën palimpsest. Ky kompleksitet është karakteristika kryesore e albumit dygjuhësh, shqip dhe gjermanisht, quajtur “Palimpsest”.

Pas pesë vitesh kthehemi me një album të ri – si gjithherë – konceptual. Ndryshe nga dashuria e epërme për të cilën John Coltrane në suitën e tij “A Love Supreme” shpreh muzikalisht qëllimin e tij – të jetonte jetën e vërtetë fetare, qëllimi im është të shkruajë një vepër muzikore shpirtërore mbi poezinë lasgushiane që mbart konceptin kozmik, atë më të epërmin, të cilën Poeti e quan Dashuri.

Muzikalisht ndihem e familiarizuar në varietetet e xhazit, muzikës kinematografike dhe world music. Për nderimin e vargjeve të Lasgush Poradecit, zgjodha një fjalor timin melo-ritmik vokal në mënyrë që të përkthejë përshtatshëm vargjet e poetit në muzikë.

Pse Palimpsest?

Me Palimpsest, dua të rrumbullakos bollëkun e shqipes së Lasgushit në bashkekzistencë me vokabularin e ri melo-ritmik akustik ngritur në nivelin e këngës. E kaluara bëhet e pranishme në të tashmen duke u rishkruar dhe si këngë që të ndërmendet lehtazi mëngjeseve apo si lajtmotiv mes dy njerëzish premtuar njëri-tjetrit.

Me kalimin e kohës, “Palimpsesti” mund të shtojë shtresa të reja në vetvete. Ky koncept dhe efekt na lejon të përjetojmë njëkohësisht të kaluarën në të tashmen dhe të tashmen në të kaluarën, përmes ndarjes dhe qepjes se kujtimeve, fjalës dhe tingullit në kohë dhe hapësirë.

Përmes muzikës rishkruajmë biografinë tonë me fjalët e poetit, ndjesinë e shijes si “tingëllon dashuria” ose si kompozohet “dhimbja e lamtumirës”.

Albumi mund të “shfletohet” si një libër tingullor.

Muzika “lexohet” sikundër poezia “këndohet”! Lexon tingullin, përjetimet i këndon si një koleksion biografik, si një histori e vazhdueshme dehëse.

“Palimpsest” duket sikur i flet bërthameës së konceptit të albumit tim, i cili ngrihet mbi një triangël biografik mes meje, Lasgushit dhe Heines. Është kjo trio krijuese në ekzil – e ndarë dhe lidhur në një trini kohore – e shkuara, e tashmja dhe e ardhmja.

Për mua, bukuria e muzikës është se ajo ekziston me dhe përtej çdo mesazhi verbal. Pastaj, çfarë dëshmish të tjera mund të gjejë një poet për suksesin e vargjeve, apo muzikëthurësi për kompozimet, përveç përputhshmërisë muzikore të tonit me fjalën?”
Dedikuar Lasgush Poradecit – përunjësisht . Marie Lasgush Poradeci të falem.

Përgatiti: ObserverKult

Kliko edhe:

ARDIT GJEBREA: TË KËRKOJ, SI I ÇMENDUR TË KËRKOJ… (TEKSTI DHE KËNGA)