Sot e përfundova së lexuari romanin “Sëmundje dhe Perëndi” të autorit Gëzim Aliu që më ofroi një lexim përpirës, dhe që më ka dhënë një rrugëtim të veçantë të një rrëfimi që ushqehet nga dyshimi, mëdyshja, hulumtimi dhe pikëpyetjet brenda vetes dhe tjetrit.
Nga Manjola Brahaj
Është dyshimi ai që na bren, por dhe na bën që të shpalosim dhe hulumtojmë deri në brendësitë më të errëta të vetes dhe asaj që na rrethon, njejtë si A. Ibrahimi personazhi i romanit.
Ky roman na bën që të diskutojmë për atë që besohet dhe besojmë, atë që dyshohet dhe atë që është tashmë veçse kujtim në mendjet tona. Pse? Sepse duam të kuptojmë, të kuptojmë të pakuptueshmen, të rrëfejmë të parrëfyeshmen. Duke na bërë të konfirmojmë se “Letërsia është pamundësia për të harruar”, ndaj duke mos mundur të harrojmë, rrëfejmë, dyshojmë për të parë më qartë, mirëpo veçse mjegullohemi më tepër. Rrëfejmë për të dalë prej mjegullës, për të mbetur gjallë, për të kujtuar.
Këto gjarpërime brenda dhe jashtë vetes, këto ecejake të frikshme dhe të rrezikshme, na i mundëson rrugëtimi i personazhit A. Ibrahimi në romanin “Sëmundje dhe perëndi” që hulumton nëpërmjet rrëfimit atë që ka jetuar dhe jeton, vë pikëpyetjet e tij mbi: dashurinë, besimin, veten, tjetrin, familjen, etj
Ky roman është një roman që të fton në një njohje, diskutim dhe bashkëbisedim të papërsëritshëm për fenë, kombin, kulturën, letërsinë, besimin, dashurinë, tradhëtinë që na formojnë dhe janë pjesë e jona përgjatë gjithë jetës.
Autori i romaneve “Në klubin e të shëmtuarëve”, “Katedralja pa kryq” dhe “Gosti në natën e parë të vjeshtës” , vjen me një roman në të cilin pasqyron vështrimet, bindjet, idetë dhe shqetësimet e tij për kohën, letërsinë, veten dhe tjetrin, ndaj ky roman është një vepër me anë të së cilës, jo vetëm marrim kënaqësi estetike, por edhe njihemi me një botë intelektuale të elaboruar me kujdes dhe që mbi të gjitha është fryt i një mjeshtërie dhe përvoje të gjatë vëzhgimesh, leximesh e përjetimesh.
Besoj e morët mesazhin, ua sugjeroj që ta lexoni!
ObserverKult
kliko edhe:
(VIDEO) DISKUTIM ME SHKRIMTARIN GËZIM ALIU/ FESTIVALI POETIK I PRISHTINËS 2