Seneka: Njëzet ditë pasi varrose tim bir… të larguan edhe prej meje

I quajtur ndryshe edhe Seneka moralisti, Seneka filozofi, Seneka tragjiku apo Seneka djaloshari, Lucious Anneo Seneca, lindi në Kordoba të Spanjës në vitin 5 para erës sonë dhe vdiq në Romë në vitin 65 pas erës sonë.

Në vendlindje, ai u vu shpejt në kontakt me idetë filo-republikane dhe anti-imperiale të kohës. I ardhur në Romë, në moshë të re, Seneka mori një edukim të thellë retorik dhe filozofik: mes mësuesve të tij mund të përmendim Papirio Fabiano nga shkolla e Sestii-it, stoikun Attalo dhe neopitagorikun Sozione, prej të cilit fitoi zakonin e një jete të thjeshtë dhe të qetë, të trashëguar edhe nga e ëma.

Në vitin 31-31 p. e. s bëhet senator, mirëpo një vendim i Perandorit Klaudio, e dërgon në mërgim në ishullin e Korsikës duke e akuzuar për lidhje jashtë-martesore me Giulia Livilla, motrës së Kaligulës dhe mbesë e Klaudios.

Gjithsesi, në vitin 65 p. e. s, i përfshirë në komplotin e pisonëve kundër perfektit të ri, gjakatarit Tigellino dhe vet Neronit, merr urdhër nga ky i fundit të vetëvritet. Dhe filozofi i madh, zgjedh fatin e vdekjes se një stoiku, duke prerë venat në sy të njerëzve.

Në vazhdim mund të lexoni një pjesë të shkëputur nga libri “Dialogje”:

Nga Seneka

Shiko se sa pres nga zemërbutësia jote: nuk e vë në dyshim se, për ty, unë jam më i fortë se dhimbja jote, megjithëse për atë që vuan nuk ka asgjë më të fortë se dhimbja. Prandaj, nuk do të ndeshem menjëherë me të.

Fillimisht, do t’i shkoj pas dhe do t’i jap shkas për t’u gjallëruar: dua të nxjerr në shesh plagët dhe të hap përsëri ato që janë mbyllur tashmë.

Dikush do të thotë: “Ç’ngushëllim është ky, të sjellësh ndër mend dhimbjet e harruara dhe ta vësh shpirtin përballë gjithë shqetësimeve të tij, kur ai mezi e duron edhe vetëm një të tillë?”. Por, le ta marrë vesh ky njeri se, sëmundjet kur janë aq të rrezikshme sa keqësohen edhe pse merren ilaçe, shpesh mjekohen me ilaçe të ngjashme me ato që shkaktojnë sëmundjen. Prandaj, unë do të mbledhë të gjitha hidhërimet e saj, të gjitha vajtimet: kjo do të thotë ta mjekosh dhimbjen me një kurë jo të lehtë, por të përdorësh zjarrin dhe hekurin.

Ç’do të përfitoj nga kjo? Që shpirtit, i cili ia ka dalë mbanë të përballojë shumë fatkeqësi, do t’i vijë zor të mos përballojë një plagë të vetme në një trup të mbuluar nga shenjat e plagëve.

Pra, le të qajnë sa të duan e le të ankohen shpirtrat e dobët të atyre që janë plogështuar nga lumturia e tepërt dhe lëshohen sapo përballen me pengesën më të vogël; ndërsa ata që i kanë kaluar vitet mes fatkeqësive do të dijnë të durojnë me vendosmëri burrërore dhe me qetësi edhe goditjet më të rënda. Vuajtja e vazhdueshme ka vetëm një të mirë: i bën më të fortë ata që i godet gjithnjë.

Fati nuk të ka lenë asnjëherë rehat nga zitë e rënda; as ditën që erdhe në jetë: humbe nënën sapo linde, madje ndërsa po lindje, e mbete, si të thuash , në dorë të fatit. Të rriti një njerkë të cilën ti, me respektin dhe dashurinë e madhe që vetëm një bijë nëne mund të ketë, e detyrove të ishte nëna jote: fundja edhe një njerkë e mirë kushton shumë. Kishe një xhaxha të cilin e doje shumë, një njeri i shkëlqyer dhe shumë i guximshëm, të cilin e humbe ndërsa po e prisje që të vinte te ty e, meqë fati i zi kishte frikë se mos nuk tregohej shumë mizor me ty duke i larguar shumë goditje nga njëra tjetra, brenda tridhjetë ditësh varrose burrin tënd të dashur me të cilin kishe tre fëmijë.

Ndërsa vajtoje, të lajmëruan për zinë e re, pikërisht atëherë kur fëmijët e tu ishin larg; fatkeqësitë në atë kohë sikur të ishin mbledhur me dashje , që të mos kishe mundësi ta mbështesje asgjëkund dhimbjen tënde. Nuk po flas për rreziqet e shumta, për frikën e madhe, sepse ti ia dole mbanë sulmeve të tyre të vazhdueshme.

Tani, në po atë gji familjar prej të cilit kishe përcjellë tre nipër, ti mblodhe kockat e tyre.

Njëzet ditë pasi varrose tim bir, i cili vdiq mes krahëve dhe puthjeve të tua, të erdhi lajmi se të kishin larguar edhe prej meje. Vetëm kjo të mungonte tani: të qaje të gjallët.

(Shkëputur nga libri “Dialogje” nga Seneca)

Përgatiti: A. S.- ObserverKult


Lexo edhe:

SENEKA: SI TË VARFËRIT ASHTU EDHE TË PASURIT NJËLLOJ PËRFUNDOJNË…

I quajtur ndryshe edhe Seneka moralisti, Seneka filozofi, Seneka tragjiku apo Seneka djaloshari, Lucious Anneo Seneca, lindi në Kordoba të Spanjës në vitin 5 para erës sonë dhe vdiq në Romë në vitin 65 pas erës sonë.

Në vendlindje, ai u vu shpejt në kontakt me idetë filo-republikane dhe anti-imperiale të kohës.

I ardhur në Romë, në moshë të re, Seneka mori një edukim të thellë retorik dhe filozofik: mes mësuesve të tij mund të përmendim Papirio Fabiano nga shkolla e Sestii-it, stoikun Attalo dhe neopitagorikun Sozione, prej të cilit fitoi zakonin e një jete të thjeshtë dhe të qetë, të trashëguar edhe nga e ëma.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult