Poezi nga Sergei Esenin
Erë, erë e dëborës moj erë,
Merrmi vitet në krahët e tu!
Dua djalë të jem dhe njëherë,
Apo lule, luginës diku.
Nën një fyell bariu plot dhembje,
Dua sytë ti mbyll në harrim.
Zile yjesh, me borën e mbrëmjes,
Të më bien në vesh pa pushim.
Oh sa bukur e dredh ajo këngën,
Në tufan dëshpërimin kur derdh!
Do të desha diku me një këmbë,
Ndanë rrugës të rrija si bredh!
Hingëllima në terr kur të ndjeja,
Të pushtoja kaçuben përbri…
Zgjati putrat o hënëz drejt meje,
Merrmi brengat në qiell tek ti!
Përktheu: Jorgo Bllaci
ObserverKult
—————–
Lexo edhe:
ADRIATIKE XH. LAMI: NËSE NJË DITË NUK JAM GRUAJA JOTE…
Si ta shpjegoj i dashur
Pse ky mëngjes më zuri pa ty,
Pa ty as në kremtimin e vjeshtës.
Paskam bërë katarsis me ikjen!?
Kurorat e ullinjve të gjelbra kam në kokë,
Më bëjnë mirë, më japin qetësi.
Aq sa të mos kujtoj gjëmën që ta plas,
Sa herë që hëna kalon në udhën e duhur.
E ndërsa binte një yll,
Ishte dëshirë e fundit;
Mos u inatos me asgjë që nuk është siç e do.
Dashuria ime ende është animistike;
Duart e tua janë bërë shportë,
Mbledhin copëza të thyera nga zemra ime!
Ruaji i dashur,
Ato marrin frymë,
Në duar jetojnë më gjatë,
Si të ta them se edhe kjo mbrëmje më zuri nën sy ziliqarë,
Në ecje stine, çfarë sqime të bukur ka vjeshta e mbarë.
Sepse gjithëçka dua ka zënë vend aty.
Është tetor, kësaj here me ritëm flete…
Dhe unë ende nuk kam shkelur asnjë gjethe,
Ato pak që kanë rënë i kapërcej,
Hej, bujtina ime e dashurisë është vetëm,
Dhe aty fle një kopje tjetër e imja,
E sapobërë grua, ndërthurur me baltë,
Ende e njomë pa pluhur kohe ,
Ora po troket tik – tak. Tik – tak.
Zemra e gruas në duart e burrit si ora,
Më duhet të jem në udhën e kërkuar,
Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult