Sergej Esenin: Jo, ajo që thua s’është aspak e vërtetë…

sergej esenin tanjusha...

…Jo, ajo që thua
s’është aspak e vërtetë.
Kurrë porsi sot
s’kam dehur me festë e me jetë.
Si fëmijë të rrokullisem dua
mbi lëndinat që ndrijnë plot gaz
dhe laraskat të rrëzoj pa pushuar
që nga kryqet e këmbanoreve të kaltra.
Gjithçka dhashë për gjindjen, për tokën.
Do të doja t’i kisha përsëri,
do të ndizesha nga besimi i ri.
Do të doja që kur të vinte muzgu
fenerxhiu të ndizte edhe hënën
si një llambë të thjeshtë me vajguri.
Do të doja të besoja që yjet
s’janë veçse pilivesa të marra
që rreth hënës digjen plot zjarr.
Ato ankime, si e erës ulërimë
mbi gur kishe, ma zgjojnë trishtimin
po nuk dua të vdes, nuk dua
që të shihem krejt n’asgjesim.

Si fëmijë dua t’ua shkul mjaltin pemëve,
duart si dhisqe të brishta t’i zgjat.
Pse është vdekja, pse më lind në zemër
ky mendim kur një shtëpi e kam?

Dua të rroj, dua të rroj, dua të rroj
gjer në ligësi, dhimbje, mërzi,
qofsha hajdut, qofsha minator,
në një ferr njerëzor të rri.

Shpirti im lulëzon porsi mollë
sytë digjen me flakë të kaltër.
Si t’ia bëj? Në kopshtin njerëzor
s’dua të shuhet e imja ligjëratë!

E tani i them jo mamasë,
po të huajit në pijetore:
“S’është gjë, jam penguar e kam shkarë.
Deri nesër gjithçka do kalojë.”

Shqipëroi: Klara Kodra

*Titulli i origjinalit: “Hymn”