Sergej Esenin: Letër nga nëna

Përse të flas,
E ç’të mendoj gjë tjetër,
Ç’të shkruaj
E ç’të them në varg?
Mbi tryezën e mërzitur
Kam një letër,
Që nëna ime
Ma dërgon nga larg.

Ajo më shkruan:
“Bëj si bëj, o bir,
Dhe eja në shtëpi
Për kërshëndella;
Po mos harro,
Një shall për mua, bli,
Për plakun
Bli poture me tegela.

Shafran në zemër kam
Që je poet,
Që zure mik e shok një nam të rëndë;
Për mua plakën fare s’ishte keq,
Sikur të ktheje arat
Me parmendë.

U plaka
Dhe në gjunjët s’kam fuqi,
Po ti sikur
Të mos braktisje strehët,

Tani do kisha nuse
Në shtëpi

Dhe do përkundja
Nipin tim në prehër.

Po ti fëmijët
Nëpër botë i dhe,
Ia fale tjetrit gruan mirë e mirë,
Dhe mbete
Pa familje, pa fole
Në pellgun e mejhanes së pështirë.

Po ç’pate, ç’pate, bir,
Pëllumbi im?
Ti ishe kaq i brishtë
E kaq pa fjalë;
Dhe bota thoshte plot me përgjërim:
Ky Sandër Esenini
Paska djalë!

Po shpresa jonë vate,
Doli bosh,
Na hidhëroi zhgënjimi shpirtin shumë,
Yt atë e kishte mjaft gabim kur thosh:
Poetëve u derdhet paraja lumë!

Sado të marrësh,
Në shtëpi s’dërgon,
Këtë e di,
Prandaj po flas kaq hidhur,
Poetëve paraja s’u qëndron,
Se janë xhepashpuar, qesezgjidhur.
Shafran në zemër kam
Që je poet,
Që zure mik e shok një nam të rëndë;
Për mua plakën fare s’ishte keq
Sikur të ktheje arat
Me parmendë.

Tani pa kuaj jemi
E pa plëng!
Sikur mos humbje rrugëve të qytetit,
Këtu në fshat, o bir, ti kishe mend
Të bëheshe kryetar i komitetit.

Dhe ne do të mbroheshim
E s’do na merrnin ters,
Dhe ti s’do bridhje i mërzitur vonë;
E bëja gruan tënde të endte lesh,
Të kishte paqe pleqëria jonë’’.
………………………………….
Unë letrën kap
Dhe mendtë i kam ujem;
Mos vallë e humba daljen nëpër shtigje?
Por ç’ka mendoj
Më vonë do t’ju them,
Kur nënës sime
Shpejt t’i kthej përgjigje.

Shqipëroi: Dritëro Agolli