Pesë poezitë më të njohura të Naim Frashërit/ Ju ftojmë t’i rilexoni!

naim frashëri do të shkrihem frashërit

Ju ftojmë të lexoni një cikël të zgjedhur poetik të bilbilit të gjuhës shqipe, Naim Frashërit:

Fjalët e Qiririt

Në mes tuaj kam qëndruar
E jam duke përvëluar,
Që t’u ap pakëzë dritë,
Natënë t’ua bënj ditë.

Do të tretem, të kullohem,
Të digjem, të përvëlohem,
Që t’u ndrinj mir’ e të shihni,
Njëri-tjatërin të njihni.

Për ju do të rri të tretem,
Asnjë çikë të mos mbetem,
Të digjem e të qanj me lot,
Se dëshirën s’e duronj dot.

Unë zjarrit nuk i druhem
Dhe kurrë s’dua të shuhem,
Po të digjem me dëshirë,
Sa të munt t’u ndrinj më mirë.

Kur më shihni se jam tretur,
Mos pandehni se kam vdekur;
jam i gjall’ e jam ndë jetë
jam në dritët të vërtetë,

Unë jam në shpirtit tuaj,
Mos më kini për të huaj,
M’është falurë durimi,
Andaj po digjem si trimi,

Se ma k’ënda t’u bënj mirë,
Të mos mbeti n’errësirë.
Jakëni rreth meje rrini,
Flisni, qeshni, hani, pini,

Në shpirt kam dashurinë,
Pa digjem për njerëzinë,
Lemëni të përvëlohem,
nukë dua më të ftohem,

Dua ta djek trupn’ e shkretë
Për atë zotn’ e vërtetë.
Me zjarr ta djek mushkërinë
E të tretem për njerinë,

Bashkë me gëzimt të tija
të vete te perëndia.
Unë dua njerëzinë,
Mirësin’ e urtësinë,

Në bëhi shokë me mua,
Në më doni si u dua,
Njëri-tjetërin në doni,
Të paudhë mos punoni.

O zëmëra fluturake,
Qasju pakë kësaj flake!
Mase krahët t’i përvëlon,
Po dhe shpirtin ta shënjtëron.

Unë duke përvëluar,
Njerëzit i kam ndrituar.
Kam qënë mik me njerinë,
Andaj i di e më dinë.

Gjithë tuajt’ i kam parë,
Mëm’ e at’ e fis e farë,
Si tani gjithë i kam ndër mënt,
Që rrininë më këtë vënt.

Edhe sot nër ju ata shoh,
Se shpirtin e tyre ua njoh,
Dhe unë si ju jam ndruar
E jam përzjer’ e ndryshuar,

Pa jam bërë shumë herë
Zjar e uj’ e balt’ e erë.
Jam një shkëndijë pej qielli
dhe një drudhëzë pej dielli.

Edhe ndër qiej fluturonj,
Edhe brënda në det qëndronj,
Shumë herë fle në baltë,
Diku ndodhem dhe në mjaltë

Bënem qëngj e kec i pirë,
Lul’ e bar e gjeth i mbirë.
Dua shumë fjalë t’u them,
Po trëmbem mos i bënj ujem.
E ku shkruhenë në kartë
Fjalët’ e gjuhësë zjarrtë?

Atdheu

O Atdhe! Më je i dashur sa më s’ka
Më je nënë, më je motër, më je vlla.
Nga ç’ka rrotull më i shtrenjti ti më je,
Je më i miri nga çdo gjë që ka ky dhé. 

Ty përditë të pat parë ime nënë,
Dheu yt në fund atë e pati ngrënë.
Nëmëruar t’i pat lulet syri i saj.
Te ti lindi, te ti vdiq ajo pastaj.

Ti i ke parë gjysh stërgjyshërit e mi,
Edhe eshtërat tretur ua ke po ti.
Nga ti, o shpirt-o kurrë s’qenë ndarë.
Pranë teje patën qeshur, patën qarë.

Nëna ime vdiq, ndaj ty të kam sot nënë,
Nënë që s’ke vdekje kurrë, faqehënë,
Numri prapë në vend mbetet kurdoherë.
Begatoje, o Zot, ti këtë vend!

Epu njerëzve të tij ti mbroth e shend!
Hi u bëfshin gjithmon’ armiqtë e tij!
Gas përjetë paçin zotërit e tij!
I begatë, i lulëzuar qoftë ai,
Një të ardhme pastë plot me lumturi!

Për se?

Pse s’vjen, o dit’e mirë,
Pse vallë nuk vjen?
Gjer kur në errësirë?
Mos Zoti të pëlqen?

As hidhe gardhë,
Dhe shpejto pak,
dit’e bardhë,
Dhe jakë, jakë,

Se të pres,
Nuk vdes.

Jak’ o dit’ e uruar!
Që lind nga perëndon,
At’ an’ e ke ndrituar
E ne pse na harron?

Dritëz’e jetës!
Edhe e motit
Dhe së vërtetës.
Dhe gaz’ i Zotit,

Ndritna
E zgjohna.

Shqipëri, o jetëgjatë

Shqipëri, o jetëgjatë,
ty të kemi mëmë e atë
dhe për ty do të luftojmë
gjersa të të trashëgojmë.
Për ty të gjithë, ditë dhe natë,
mendohemi gjerë e gjatë,
ti kurrë s’prishesh, s’shkretohesh,
as drobitesh, as rrëgjohesh,
më ke gjithë bukuritë
e tëtëra mirësitë,
ke fusha me lule shumë.
lumenj të mëdhenj pa gjumë,
male të lart’ e të veshura,
buzën e detit të qeshur,
Mëje dritëz në dritë
me të gjitha mirësitë.
……………………………..
Shqipëri, të qofsha falë,
të kam mëmë e më ke djalë.

Korça

O vëllezër shqipëtarë,
Gëzohi që erth kjo ditë
Kaq’ e mir’e kaq’e mbarë,
Që sjell gjithë mirësitë!

Kjo është një dit’e rezë,
Që bie vëllazërinë
E dëbon jetën e zezë
Dhe ndarjen e marrëzinë.

Ta lusimë këtë ditë,
Q’e bekoi zot’i vërtetë
Dh’e dërgoi me shumë dritë,
T’i mbes’emëri përjetë.

Sot e vumë gurr’e parë,
Sa’ësht’e bekuar kjo ditë!
Zot’i math e pruftë mbarë
E na dhëntë urtësinë!

Hapu, hapu, errësirë!
Pa jakë tëhu, o dritë!
Se arriti koh’e mirë,
U gdhi nata, u bë ditë.

Sot niset një tjatrë jetë,
Të rremenë posht’e shtije,
Mbretëron fjal’e vërtetë,
Dhe të mirat gjith’i bije.

Zot’i math qoft’i lëvduar,
Q’e nxjer në shesht të vërtetën,
Se ajo si ka buruar,
Pa e ndritur jetën.

Lumja ti, moj Korç’o lule,
Q’i le pas shoqet’ e tua!
Si trimi në ball’u sule,
Ta paçim përjetë hua!

Kushdo që është sot burrë
Dhe shqipëtar i vërtetë,
Emëri s’i shuhet kurrë
Dhe nderi i rron përjetë.

Gjuha jonë sa e mirë!
Sa e ëmbël, sa e gjerë!
Sa e lehtë, sa e lirë!
Sa e bukur, sa e vlerë!

Kjo ë’shtë mëm’ e mirësisë,
Që bije qytetërinë,
Gazthin e vëllazërisë,
Njerëzin’ e miqësinë.

S’jemi grekër as bullgarë,
Asgjë tjetër nukë jemi,
Jemi vetëm shqipëtarë,
Ne kët’emër nder’e kemi.

Ky emr’ është shum’ i mirë,
Se më s’jemi të gënjyer,
Nukë jemi n’errësirë,
E njohëmë gjën’ e vjyer.

Perëndia na e lëntë
Përjetë ta trashëgojmë,
Edhe kurrë mos e dhëntë
Ta humbim e ta harrojmë!

Të lemë mëmënë tënë
E të marimë një shtrigë!
Zoti mos e pastë thënë!
Pun’e keq’e shum’e ligë.

O, sa qenë të gënjyer
Ata që vuan për botë!
Turp të math kanë rrëfyer,
Punuanë fare kotë.

Pa mejtoni, o të gjorë,
Efialtin, Pafsaninë,
Që u bënë trathëtorë
Dh’e gjenë me perëndinë.

Nga gjithë ç’kemi kënduar
Për të njohur vetëhenë,
Kaqë gjë kemi mësuar,
Të nderojmë mëmëdhenë.

Se njerëstë gjithë vdesin,
Po jeta s’mbetet e shkretë,
Gjuha, mëmëdheu mbesin
Të patundurë përjetë.

Me zëmërë të gëzuar
Dhe me gjithë shpirt uroni!
Zotërinjt’ e zotëruar,
Gjithë përnjëherë thoni:

Rroft’ e qoftë Shqipëria
Dhe kombi e gjuha jonë!
Lulëzoftë dituria,
Edhe ndihmës paçim zonë.

Dhe sigurisht se kjo përzgjedhje e jona do të ishte e mangët po të mos e përfshinim këtu kryeveprën e Naimit, Bagëti e Bujqësi të cil⌂n mund ta lexoni duke klikuar në link:

KRYEVEPRA E NAIM FRASHËRI: BAGËTI E BUJQËSI / KUSH SI DI VARGJET E PARA PËRMENDËSH?

ObserverKult