Sergej Esenin: Tani vjeshtë atje ka rënë…

sergej esenin tanjusha...

Ulu mike këtu pranë meje,
të shihemi sy për sy.
Stuhinë me gjëmim rrufeje,
dua ta shijoj me ty.

Gjithë kjo verdhësi vjeshtore,
krelat e flokut me onde,
shfaqen si shpëtimi prore,
i një jete vagabonde.

Herët lashë fushat plot hire,
dhe gëmushat me blerim
veç lavdia, kjo lavire,
më ka zhytur në zhgënjim.

Ndaj do rri, si i mërguar,
të kujtoj bahçenë e shkretë,
këngë bretkosash kam dëgjuar,
dhe hiqesha si poet.

Tani vjeshtë atje ka rënë…
bliri e panja nën dritaret,
me putrat e shtrirë ndënë hënë,
pret, të kthehen shtegëtarët.

Veç ata kanë shkuar larg,
hëna del mbi qimitir,
dhe u thotë kryqeve varg,
se do vijmë si mysafirë.

Botën pasi kemi bredhur,
me hallet hedhur mbi shpinë,
monopatit të spërdredhur,
lart në qiell do mbërrijmë.

Ulu mike këtu pranë meje,
të shihemi sy për sy.
Stuhinë me gjëmim rrufeje,
dua ta shijojmë të dy.

Shqipëroi: Arqile Garo

LEXO EDHE: Sergej Esenin: Ty të besoj, të dashuroj…