Mos më shani. Kështu erdhi puna!
S’di me fjalën të bëj tregti.
Po e ndjej të rënduar si shumë
Këtë kokë me leshrat flori.
Fshati s’më tërheq. Ca më tepër,
As qyteti s’më josh…Mori fund:
Do flak tutje gjithçka, do lë mjekër,
Si rrugaç do të bredh nga të mund!
Do hedh torbën në sup përngaherë
Dhe për vjersha më kokën s’do çaj;
Ku ka këngë mbi këngën e erës,
Që harbon nëpër fushën pa skaj!
Erë rrepkash do qelbem e qepësh,
Do shfryj hundët me duar, t’i kall
Lemeri mugëtirës së Stepës;
Si i lojtur, gjithçka do ta tall!
Dhe do ndihem më lehtë e më mirë,
Kur tufanet të rri t’i dëgjoj;
Sepse s’mund, pa kësi mrekullirash,
Këtë jetë mbi dhe ta kuptoj.
Përktheu: Jorgo Bllaci