Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini ka dedikuar një status të veçantë në rrjete sociale lejimit të përdorimit të librave shkollorë nga Shqipëria për shqiptarët në Serbi.
“Pas shumë vite përpjekjesh, shqiptarëve në Serbi u lejohet përdorimi i librave shkollorë nga Shqipëria. Nuk ishte e lehtë, por ia dolëm duke bashkërenduar dhe intensifikuar përpjekjet mes Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi”, shprehet Shahini ndërsa nënvizon se ka filluar tashmë edhe financimi i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi nga fondi i MASR për tekste shkollore.
Në lidhje me këtë, ajo thekson “se besojmë fuqishëm që fëmijët shqiptarë në Serbi meritojnë arsim cilësor në gjuhën shqipe dhe libri shkollor është një hap i domosdoshëm në atë drejtim”.
Ndër të tjera, ministrja Shahini nënvizon faktin se “komuniteti shqiptar atje e ka të gjithë mbështetjen e qeverisë shqiptare në çdo aspekt të zhvillimit të tij”.
Njëkohësisht, nuk lë pa përgëzuar edhe ministrin në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj për angazhimin e tij dhe kontributin për një përfaqësim më të mirë të shqiptarëve në Parlamentin e Republikës së Serbisë.