Shaip Beqiri: Shqipëria

Të ranë dhëmbët
Dhe nofullat të ranë
Veten duke ngrënë

Mes dy dhembjeve të mia
Çeli trëndafili yt i zi

Tash nga çdo anë e horizontit
Më afrohet i njëjti diell përvëlues
Duke u fundosur hurdhave të tua

U bëre ishull brenda vetes
Të ribëhesh duke u zhbërë gjithnjë

Mbete me varrin tënd ngarkuar
Të presësh ditën që vjen
Të bëhet syri yt i madh
Në ballin e kohës sime

Historinë ta shkruan kopilët
E udha t`u mbyll në hanxharë

Do të ribëhesh përgjithmonë e tërë
Përfundi palës së qiejve të tu bubullues
Prej krahëthyerave ujvara gjunjpërgjakura
Me ritmin e këputur të rrëkeve të mllefit tënd

Tiranë, 1992