Më pëlqen shumë, e dashur,
Të shoh si vezullon lëkura
E trupit tënd të bukur
Me lëkundje të bukura.
Thellë në flokët e tu
Me kundërmime të tharta
Det erëplot aty k’tu
Me valë të kaltra.
Si barka që zë të zgjohet
Në të mëngjesit erë,
Shpirti ëndrrues m’gatuhet
Për qiell t’largët, të nderë.
Syt’ e tu ku nuk zbulohet
Ëmbëlsi as idhtësi
Jan’ dy inxhi ku ngatrrohet
Ari me hekur të zi.
Ec me masë, të shikoj,
E bukur je, s’çan kokën fare,
Je gjarpër vallzues, kujtoj,
Në maje t’shkopit valltare.
Nën peshën e përtacisë
Koka jote fëmijnore
Luhatet prej plogështisë
Si një elefant i vogël.
Hidhesh përhidhesh,shtathedhur,
Si anije fare e lehtë
Që me vela n’ujë hedhur
Mbi valë lundron e qetë.
Si një valë, gurr’ e madhe,
Kur akullnaja zë shkrihet,
Kur uji prej gojës sate
Ndër dhëmbë të del e rritet.
Më bëhet sikur pi verë
Fitore e hidhërim, nyje,
Qiell plot lëngje të përzjerë
Zemrën ma mbush me yje.
Zgjodhi dhe përktheu: Mensur Raifi
*Titulli i origjinalit: Gjarpëri vallzues