Poezi nga Shazim Mehmeti
Me orë e orë pres, por ajo nuk vjen.
Plas e plas, por nuk m’vijnë as fjalët.
Shpëlarë m’është mendja,
si kjo fletë e bardhë, e paprekur.
Gjë prej gjëje, s’mund të bëj,
në një gjendje mjerimi, si kjo.
Por, sa të vijë ajo,
do ndryshojë gjithçka:
sakaq do bëhem ujk, do ulërij,
do ta ndjek nëpër kthina,
do ta zë ngusht
në një kënd të vogël dhome,
gjak n’lak qafe do t’i pi,
do t’ia ha gjithë shpirtin,
teshat, zemrën, mishin…
Do vë, më pas, muzikë,
do shtrihem n’divan, si djalë nëne,
dhe si prenë e dritës,
do ta vëzhgoj,
do ta shijoj lakuriqe.
ObserverKult
Lexo edhe:
CIKËL POETIK NGA SHAZIM MEHMETI: “PA FRYMË PO M’LE, KJO DASHNI!”
Superidiot…
M’vjen,
pa m’ba za.
M’vjen,
pa asnji fërfllimë fijeje,
pa asnji zhurmë.
Si gjethe shege,
m’pik para hunde.
E ndjej, e ndjej, e ndjej.
Ia ndjej ardhjen,
ndrrimin e hapave.
Ma shumë se shumëçka tjetër,
ia due shputat.
Borë, t’bardha, i ka shputat.
E rrëmbej, sa vjen.
Me zjarr, e mbërthej, me krahë,
ia puth shputat,
thonjtë, e gishtrinjtë.
Puplat e mishit
njipërnji ia pi,
n’bark e n’gjuhë e pi,
e pi n’amëlsì.
Trupin ia nuhas –
lëkura e paqtë, e ndritshme,
i mbushet mornica.
Oh, mezi mbushet frymë,
mezi mbushet frymë, ajo!
“Ma ze frymën, m’thotë,
ooo, ti idiot i vogël!
Pa frymë po m’le,
kjo dashni!”…
Tekstin e plotë e gjeni duke klikuar KËTU