Shënime për romanin “Një engjëll veshë me frak” të Stefan Çapalikut

engjëll

Stefan Çapaliku është tashmë një autor i njohur në fushë të dramës, të prozës romanore e mendimit kritiko-estetik.

Nga Ymer Çiraku

Brenda pak vitesh, botoi romanin “Secili çmendet simbas mënyrës së vet”, i përcjellë në tre vepra vijuese. Titulluar me sens provokues e jo pak kureshtues, të tri veprat, të japin shtysën dhe sikur të ftojnë që të ndjekësh “sagën” e një qyteti dhe të familjes e individit brenda tij, nëpër kryqëzime ngjarjesh, episodesh e personazhesh nga më të çuditshmit, më groteskët e njëherësh aq prekës, në shpirtin dhe karakterin sfidant e qëndrestar të tyre. Të gjitha këto përshkrime e përjetime, janë të vendosura në një sfond gri, në një atmosferë pikëllimi e mërzije mundonjëse/cfilitëse, që banorët e atij qyteti të dikurshëm (verior), përpiqen me çdo çmim që t`i rrezëllijnë sa të munden me cikla drite, sidomos përmes “alkimisë” së atij humori të tyre, aq të njohur e të pandalur dot – prej asgjëje.

Qysh te romani i parë, vrehet se ai ka densitet dhe larmi ngjarjesh e karakteresh, aq sa leximi i tij, të jep ndjesinë e një vepre voluminoze, përtej atij reali – kur në fakt, për nga vëllimi, ka një numër fletësh jo kushedi çfarë. Këtu sigurisht, që e ka marrë situatën në dorë dhe ka ndikuar ligjërimi i koncentruar, si dhe kombinacionet ritmike të regjistrave tekstore, ku jeta e një qyteti të tërë, synohet dhe arrihet që të përcillet në pamjet e tij të gjithëplanshme, si të thuash në trajtë “kaleindoskopike”. Ai qytet, në fakt pikërisht vet Shkodra, është dinjitari i dikurshëm, me elita fort të spikatura kulturore, fetare, letrare, tregtare… Por paradoksalisht, tashmë në këto momente historike të përshkruara, ka mbetur pothuaj i rënë nga vakti e i dorëzuar para rëndomtësisë së kohës. Sigurisht, imponuar kjo situatë jashtë vullnetit të tij e veçse prej çmendurisë politike, që nëpër vite, ia bren sistematikisht strukturën shpirtërore dhe materiale.

Pikërisht në këtë zgrip mbijetese, endet kjo sagë romanore, ku mbleksen e çpleksen në trajtat më dramatike e më kaotike/absurde, këto dy pamje të fytyrës së qytetit, ngjajshëm figurativisht si ajo maska e njohur e teatrit antik, konceptualisht ambigue apo “hermaphrodite”: gjysëm gaz/hare e gjysëm dhimbje/pikëllim.

Ky cikël romanor, përbëhet nga aso modelesh letrare, ku shkohet deri në zgrip, mes fiction-it dhe realiteteve të drejtpërdrejta. Janë të njohura këto modele, në letërsinë shqipe, por edhe në letërsitë e gjuhëve të tjera. Autori narrator i shtyn përshkrimet e ngjarjeve dhe personazheve, deri në kufijtë e të dhënave/të vërtetave reale biografike. “Çdo përngjasim me persona apo ngjarje konkrete, nuk është i rastësishëm”, shkruan pa mëdyshje shkrimtari qysh në ballinën e romanit të tij më të fundit: “Një engjëll veshë më frak”. Emra të njohur (apo qartësisht të nënkuptuar) poetësh, studiuesish, artistësh, meshtarësh të atij qyteti, me jetën dhe raportet e tyre me të tjerët, sigurisht, që nuk krijojnë përshtypjen dhe pastaj rrezikun e mbetjes së tyre në funksion të përcjelljes së një kronike rutinë qytetëse. Ato profile të larta njerëzore, krahas mjedisit ku jetojnë, funksionojnë brenda synimit autorial – për t`i referuar e dëshmuar si forca të epërme gravitacionale, që me sakrifica e privacione, e ruajtën ashtin egzistencial të atij qyteti emërmadh – prej degradimit përfundimtar.

Mendoj se edhe ky romani më i fundit, është konceptuar si pjesë e kësaj sage të Qytetit. Pra, autori ndihet të jetë konseguent në dëshminë e tij artistike, që ia përcjell lexuesit. Një lloj “robërie” autoriale në lëvrimin e këtij rrafshi tematik, duket se e tejkalon rrezikun e përsëritjes e të monotisë potenciale. Kjo sepse autori ka talentin, ka intuitën, por edhe fatin, që të jetë para një thesari të pafund dukurish nga më të larmishmet e më të çuditshmet, ku ai endet i sigurtë e fort i dashuruar pas tyre. E kam theksuar dhe diku tjetër për këtë prirje të ngulët tematike se ajo nuk e ezauron kurrsesi mundësinë për kreativitet origjinal, sepse kjo materje burimore, është një temë bosht, e cila mbart mjaft energji artistike përvijuese, mu si ato energjitë nukleare, që vazhdojnë gjatë, prej mbartjes së njohur ciklike të reaksioneve zinxhir.

Është ky një roman, që lexohet me endje e kërshëri fletë pas flete. Madje, ke ndjesinë se këtu, janë derdhur e tretur katër libra në një, sikundër i emërton autori ato pjesët përbërëse, brenda veprës së tij. Një strukturë e tillë kompozimi të saj, i zgjeron përmasat e përjetimit rreth fatit të heroit (figurës qendrore) të veprës: pra, të engjëllit. Atij njeriu me një talent e karakter uragani, por me shpirt aq të paqtë, të padjallëzuar, posi të një fëmije. Me njerëz të tillë këndellet jeta dhe mbahen shtyllat e saj, por ata vet edhe mund të ndëshkohen e të blasfemohen tragjikisht, në kurthet e leqeve të saj. Pol Gjakova i romanit (në fakt kompozitori i shquar Preng Jakova), dinte veçse të jetonte në lartësinë e frymëzimit qiellor, që ia derdhte plot bujari talenti, magjia e muzikës. Por që ishte edhe me shpirt e karakter të përkorë aristokrati. Pra, në figurën e tij është “ëngjëlli” karakterial, veshur me frakun e maestros, që janë krahët fluturonjës të botës së tij.

Gjithshka e endur në roman, përcjell domethënien se ai është njeriu i pazakontë, që jeton mes etheve të krijimit, që ka endërra e pasione të mëdha, që vuan thellë, derisa përfundon tragjikisht. Pikërisht gjithë ky cikël jetësor, i përshkruar në atë Lartësi, ku ia kishte mbërritur veçse dinjitetshëm e prej asaj Lartësie, që pastaj e zgjodhi për fatumin e vet. Që është në fakt njëherazi: metaforë e Lartësisë morale, frymëzese, sfiduese, tragjike!

ObserverKult

Lexo edhe:

NJË GRUSHT ME POEZI NGA STEFAN ÇAPALIKU